E Shtunë, 31 Tetor 2026

Auditimi, rezultate të dështuara në realizimin e projekteve në Shqipëri

Gjykata Europiane e Auditit publikon raportin për ecurinë e projekteve në Shqipëri. Nga 8 prej projekteve të financuara, vetëm njëri prej tyre ka rezultate të kënaqshme

Albert Gjoka

Projektet e financuara nga Bashkimi Europian në fushën e Drejtësisë dhe të rendit kanë përfunduar me rezultate të dështuara. Ky është vlerësimi që u ka bërë Gjykata Europiane e Auditit projekteve të përfshira në programin “CARDS”. Raporti ka të bëjë me “efektshmërinë e projekteve në fushat e Drejtësisë dhe të çështjeve të brendshme për Ballkanin Perëndimor” dhe mbyllet me një argumentin që ka parashtruar Komisioni, si institucioni që ka menaxhuar projektet në vendin tonë dhe në shtetet e tjera të rajonit. Dokumenti është firmosur nga presidenti i Gjykatës së Audituesve në Luksemburg, zoti Vítor Manuel da Silva Caldeira. Sipas tij, nga 8 projekte të financuara, 7 prej tyre janë klasifikuar me rezultate të pakënaqshme. Ky është rekordi më negativ i efektshmërisë së projekteve që Komisioni Europian ka financuar në rajonin e Ballkanit. Auditi i ekspertëve të BE-së ka futur në sitë 8 projekte që përfshijnë investime dhe ndërtimin e institucioneve në fushën e Drejtësisë dhe të çështjeve të brendshme. Ato kanë një vlerë totale financimi 18 371 686 euro.
Auditi
Shqipëria vazhdon historinë e mungesës së eficiencës së projekteve që Bashkimi Europian jep për vazhdimin e reformave dhe ndërtimin e institucioneve sipas standardeve që kërkon procesi i integrimit. Një gjë e tillë ndodh jo vetëm për shkak të mangësive që paraqiten tek institucionet tona, por edhe burokracitë e Komisionit Europian dhe zyrës së tij në Shqipëri në proceset e përgatitjes së projekteve, alokimit të fondeve dhe mënyrës së realizimit të tyre. Një gjë të tillë e konfirmon edhe kontrolli më i fundit që ka bërë Gjykata Europiane e Auditit, e cila publikoi raportin e saj tri ditë më parë. Në sitën e kontrollit kanë hyrë të gjitha projektet që financohen nga Komisioni Europian në fushën e Drejtësisë dhe çështjeve të brendshme, në periudhën 2001-2006. Ato janë në financuara në kuadrin e programit “CARDS”, i cili ka përfunduar para dy vitesh. Gjykata Europiane e Auditit e ka përgatitur raportin më 16 korrik të këtij viti dhe ka futur në filtrin e tij të gjitha projektet e kësaj fushe në ato vende të Ballkanit që janë në procesin e integrimit.
Dështimi
Thuajse të gjitha projektet e realizuara në Shqipëri për ngritjen e institucioneve apo investimet në infrastrukturë, kanë rezultate të pakënaqshme. Ky është konkluzioni i dalë nga raporti, ku vetëm njëri prej tyre konsiderohet i suksesshëm. Në përfundim të ekspertizës ka rezultuar se vetëm programi i veprimit antiminë, me vlerë 2 milionë euro, që ka përfunduar në vitin 2006, është i suksesshëm. Ndërsa 7 projektet e tyre kanë dalë me rezultate shkurajuese. Ndërkohë, zyra e Auditit në Luksenburgut konstaton se projekti për ndërtimin e Burgut të Fushë-Krujës nuk konsiderohet i përfunduar ende, ndonëse afatet e tij ka qenë në mars të vitit 2007.
Projektet
Projektet e financuara nga CARDS në Shqipëri kanë të bëjnë me reformat në fushën e Drejtësisë dhe çështjeve të brendshme. Ato përfshijnë pajisjen me mjete dhe logjistikë të komisariateve të policisë, ndërtimin e Burgut të Fushë-Krujës, të gjykatave të apelit në Korçë dhe Vlorë, kontrollin dhe menaxhimin e kufijve, strategjinë e migrimit, çështjet e azil-kërkimit, programet antiminë dhe financimin e Misionit Policor të Bashkimit Europian PAMECA II. Rezultatet e dobëta në realizimin e tyre u dukën qartë edhe në vlerësimin që Brukseli u bëri reformave të Shqipërisë për heqjen e vizave. Për shkak të efektshmërisë së dobët të këtyre projekteve, falë edhe mangësive të theksuara që kanë treguar gjatë këtyre viteve institucionet tona, shqiptarët u përjashtuan nga e drejta për të lëvizur pa viza në vendet e BE-së. Gjithsesi, raporti i publikuar vjen në vazhdën e dobësive që kanë treguar institucionet dhe qeveria shqiptare për menaxhimin e financimeve të huaja. Ekspertët në Bruksel nuk fajësojnë vetëm aktorët në Shqipëri, por shpeshherë, në qendër të kritikave, kanë qenë edhe zyrat e Komisionit Europian, të cilat janë shënjestruar për burokraci apo zvarritje të fondeve dhe realizimit të projekteve. Të dhënat flasin qartë: kur nuk ka efektshmëri të projekteve të financuara nga taksapaguesit europianë, për rrjedhojë nuk vijnë as sukseset. Dhe për këtë, pjesën kryesore të fajit, pa dyshim që e kanë institucionet shqiptare.

NUMRI PROJEKTI VLERA (euro)

Projekti 1 - Pajisje për zyrat e komisariateve të policisë 419 093
Projekti 2 - Ndërtimi i Burgut të Fushë Krujës 2 874 708
Projekti 3 – Gjykatat e Apelit në Korçë dhe Vlorë 1 636 375
Projekti 4 – Kontrolli i kufirit dhe menaxhimi i vijës të gjelbër 2 127 106
Projekti 5 – Strategjia Kombëtare e Migrimit 1 000 000
Projekti 6- Programi i aksionit antiminë në Shqipëri 2 000 000
Projekti 7 – Para-projektimi i azil-kërkuesve dhe emigrantëve 2 000 000
Projekti 8 – Misioni Policor PAMECA II 6 314 404

TOTALI 18 371 686

TË DHËNAT PËR AUDITIMIN E PROJEKTEVE NË SHQIPËRI

INVESTIMET

Projekti 1 - Pajisje për zyrat e komisariateve të policisë
Programi “CARDS 2001”
Vlera në euro 419 093
Përfundimi i projektit shtator 2005
Menaxhuar nga delegacioni i KE-së
Gjendja: përfunduar
Rezultati i arritur: i pakënaqshëm

Projekti 2 - Ndërtimi i Burgut të Fushë-Krujës
Programi “CARDS 2001”
Vlera e Financimit 2 874 708
Koha e mbarimit mars 2007
Menaxhuar nga Delegacioni i KE-së
Gjendja - pjesërisht i përfunduar
Rezultati i arritur: - i pakënaqshëm

Projekti 3 – Gjykatat e Apelit në Korçë dhe Vlorë
Programi “CARDS 2003”
Vlera e Financimit 1 636 375
Afati i përfundimit maj 2006
Menaxhimi nga Delegacioni i KE-së
Gjendja, i përfunduar
Rezultati: i pakënaqshëm

Projekti 4 – Kontrolli i kufirit dhe menaxhimi i vijës të gjelbër
Programi “CARS 2003”
Vlera e financimit 2 127 106
Përfundimi i projektit shkurt 2006
Menaxhimi nga Delegacioni i KE-së
Gjendja – i përfunduar
Rezultati – i pakënaqshëm

NDËRTIMI I INSTITUCIONEVE

Projekti 5 – Strategjia Kombëtare e Migrimit
Programi “CARDS 2001”
Vlera e financimit 1 000 000 euro
Përfunduar në janar të vitit 2005
Menaxhuar nga Delegation i KE-së
Gjendja – i përfunduar
Rezultati, - i pakënaqshëm

Projekti 6 - Programi i aksionit antiminë
Programi “CARDS 2002”
Vlera e financimit, - 2 000 000
Afati i përfundimit maj 2006
Menaxhuar nga Delegacioni i KE-së
Gjendja i përfunduar
Rezultati, - i kënaqshëm
Para-projektimi

Projekti 7 – Para-projektimi i azil-kërkuesve dhe emigrantëve
Programi “CARDS 2003”
Vlera e financimit 2 000 000
Koha e përfundimit shkurt 2006
Menaxhuar nga Delegacioni i KE-së
Gjendja, i përfunduar
Rezultati, - i pakënaqshëm

Projekti 8 – Misioni Policor PAMECA II
Programi “CARDS 2004-2005”
Vlera e financimit 6 314 404
Përfundimi i projektit, - dhjetor 2007
Menaxhuar nga Delegacioni i KE-së
Gjendja, - i përfunduar
Rezultati, - i pakënaqshëm

Burimi: Të dhënat janë marrë nga Raporti i Gjykatës Europiane të Audituesve

KE-ja dhe Suedia, më 19 tetor, konferencë për çështjet e Ballkanit

Më 19 tetor të këtij viti pritet të organizohet në Bruksel një konferencë e iniciuar nga Presidenca Suedeze e BE-së, së bashku me Komisionin Europian, e cila do të ketë në qendër mbështetjen e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Burimet zyrtare të Presidencës Suedeze bëjnë të ditur se në këtë takim do të marrin pjesë rreth 200 zyrtarë të lartë, ministra dhe ekspertë nga vendet e rajonit. Qëllimi i saj është që të diskutojë rreth ofrimit të mbështetjes financiare për vendet kandidate dhe ato potencialisht kandidate të përfshira në Instrumentin e Para-Anëtarësimit (IPA) nga Bashkimi Europian; për t’i ndihmuar ato që të vazhdojnë reformat në linjë me standardet europiane. Konferenca do të fokusohet në rolin e këtyre vendeve për kontribuimin e një pritjeje më efektive dhe përdorimin e financimeve dhe se çfarë mund të bëhet më mirë për të përmirësuar skicimin dhe planifikimin e IPA-s. “Komisioni Europian prezantoi paketën e tij të zgjerimit më 14 tetor. Pikërisht kjo është një kohë shumë e përshtatshme për të diskutuar të gjitha çështjet që lidhen me aspektet e zgjerimit, duke përfshirë proceset politike dhe mbështetjen financiare që ofrohet përmes IPA-s”, - tha Frank Belfrage, sekretari i Shtetit për Çështjet e Jashtme në qeverinë suedeze.

Qeveria shqiptare krijon Agjencinë e Auditit për menaxhimin e asistencës së BE-së

TIRANË – Mungesa e efektshmërisë së financimeve të BE-së në disa raste dhe burokracitë e shumta e kanë detyruar qeverinë shqiptare që të marrë masa. Burimet zyrtare të Ministrisë së Financave bëjnë të ditur se së shpejti pritet të realizohet Agjencia e Auditit, institucion që do të jetë në varësi të Ministrisë së Financave. Sipas burimeve zyrtare të Ministrisë së Financave, Agjencia e Auditimit të Programeve të Asistencës së BE-së, që pritet të funksionojë si e tillë së shpejti, do të ndikojë në procesin e ngritjes së kapaciteteve në vend për akreditimin e sistemit të menaxhimit dhe kontrollit të Asistencës së BE-së në kuadër të IPA-s. "Kjo agjenci ka si qëllim auditimin dhe verifikimin e të dhënave financiare që i dërgohen Komisionit Europian si dhe dhënien e rekomandimeve për përmirësimin e veprimtarive që lidhen me zbatimin e programeve të asistencës dhe monitorimin e zbatimit të tyre", - thanë burimet zyrtare. Rregullorja e brendshme e Agjencisë do të miratohet nga ministri i Financave me propozim të drejtorit të Agjencisë. Burimet thanë se projekti nuk përmban efekte të ndjeshme financiare për shkak të numrit tepër të reduktuar të stafit të Agjencisë. Çdo shpenzim lidhur me funksionimin e Agjencisë do të përballohet brenda fondeve të miratuara për Ministrinë e Financave. Niveli i pagave të punonjësve do të përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave.

Deputetja gjermane: “Pjesëmarrja e opozitës në Kuvend, tejet e rëndësishme”

TIRANË – “Pjesëmarrja e opozitës në Parlament është tejet e rëndësishme”. Kështu është shprehur kryesuesja e një delegacioni deputetësh gjerman, zonja dr. Margrit Wetzel, pas takimit që zhvilloi me kryetaren e Kuvendit, zonjën Jozefina Topalli. Duke komentuar qëndrimin e opozitës, ajo ka bërë një paralele me Bundestangun gjerman, sipas së cilës, do të ishte e papranueshme mungesa e opozitës. Zonja Wetzel ka theksuar gjithashtu se pranimi i kërkesës së bërë nga Shqipëria për statusin e vendit kandidat është e lidhur me kushtet e kërkuara nga BE-ja. Delegacioni gjerman po zhvillon një vizitë në vendin tonë, ku po diskutohen edhe çështjet e bashkëpunimit ndërparlamentar mes Shqipërisë dhe Gjermanisë.

17 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›