“Lila” bën “lesh arapi” FSHF-në
Federata Shqiptare e Futbollit është mbërthyer në një ngërç të pa dëgjuar ndonjëherë e që ka marrë përmasat e një skandali sa mediatik aq dhe instititucional. Shkurt e qartë. Gjithçka ka të bëjë me vendimet kontradiktore në lidhje me pezullimin e mbrojtësit të Tiranës, Andi Lila. Futbollisti i 24-herë kampioneve u ndëshkua fillimisht me pesë ndeshje pezullim nga Komisioni i Disiplinës, e pak ditë më pas, edhe Komisioni i Apelit la në fuqi masën e marrë nga Disiplinori. Me një vendim të dytë, Apeli ia lehtësoi Lilës masën nga pesë në tre ndeshje, duke i dhënë mundësinë lojtarit të ishte në dispozicion të trajnerit Alban Tafaj për derbin kundër Dinamos (luhet këtë të diel). Pikërisht kjo masë lehtësuese e Apelit provokoi edhe zemërimin e Dinamos, që nga ana e saj iu drejtua Federatës për të sqaruar vendimin e Komisionit në varësi të saj. Dhe këtu ndodh çudia.
FSHF-ja me një vendim të brendshëm pezullon vendimin e dytë të Apelit, duke e lënë çështjen “Lila” në dorë të Komitetit Ekzekutiv, duke mos e lejuar aktivizimin e lojtarit në ndeshjen kundër Dinamos. Në fakt, askush deri më sot nuk e ka kuptuar se përse në FSHF ndodhin gjithmonë e më shpesh “lojëra” të tilla.
Gjithsesi, një gjë është e qartë çështja “Lila” nuk do të jetë e fundit. Është provuar disa herë.
Gramozi, Oliveira: “Në Fier për pikë”
Gramozi do të luajë të shtunën kundër Apolonisë në “Loni Papuçiu” (ora 14:30). Debutuesit kolonjarë (vendi i 8-të, 6 pikë në 6 ndeshje) shpresojnë për pikë ndaj “zonjushës” fierake, siç po quhet Apolonia e vendit të tretë (12 pikë). Kapiteni i Gramozit, 28-vjeçari Jurandir Oliveira, një nga tre futbollistët brazilainë të formacionit të Agim Canajt beson se ndaj Apoloinisë skuadra do të japë më të mirën. “Synojmë një rezultat pozitiv për t’iu larguar vendeve të fundit të klasifikimit, por edhe një pikë ndaj Apolonisë do të ishte e kënaqshme për mua”, - tha Oliveira, një ish-lojtar i Partizanit, Tomorit e Shkumbinit. Gramozi ka mundur të marr vetëm një barazim në transfertë, ajo me Laçin (1-1) në javën e dytë dhe përballë Apolonisë vjen pas barazimit 0-0 në shtëpi me Besën e Kavajës. Apolonia vjen pas dy fitoresh rresht, ku spikat triumfi 4-3 ndaj Skënderbeut në Korçë në javën e 6-të. Kryendeshja e javës së 7-të është derbi Dinamo-Tirana (ora 19:00).
Kategoria Superiore
Të shtunën, 17.10.2009
Apolonia-Gramozi 14:30
Të dielën, 18.10.2009
Besa-Flamurtari 13:00
Kastrioti-Skënderbeu 14:30
Teuta-Laçi 14:30
Vllaznia-Shkumbini 14:30
Dinamo-Tirana 19:00
Partizani-Kamza, derbi i vogël
Kategoria e Parë do të luajë të shtunën (7 ndeshje) dhe të dielën (1 ndeshje) takimet e vlefshme për javën e 7-të të këtij kompeticioni futbollistik. Kryendeshja e kësaj jave është Partizani-Kamza (“Selman Stërmasi”, 14:30). Bylisi kryesues (15 pikë) do të luajë në transfertë kundër Bilisht Sport (6 pikë)
KATEGORIA E PARË
JAVA 7, NDESHJET
Të shtunën, 17.10.2009
Elbasani-Ada
Memaliaj-Lushnja
Burreli-Pogradeci
Gramshi-Turbina
Partizani-Kamza
Skrapari-Besëlidhja
Bilisht Sport-Bylis
Të dielën, 18.10.2009
Sopoti-Luftëtari (Cërrik)
17 Tetor 2009