E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Barrikade njerezorre ne protesten e 20 nentorit ne Tirane

Liderët e PS-së: Shqiptarët të na mbështesin në protestën e madhe të 20 nëntorit në Tiranë. Rama: “Do të bëhemi barrikadë njerëzore përpara pushtetit të krimit dhe korrupsionit”

Partia Socialiste dhe partitë e tjera opozitare, të majta dhe të djathta, kanë zhvilluar dje një miting në qytetin e Beratit për të protestuar ndaj manipulimeve të ndodhura në zgjedhjet e 28 qershorit dhe për të kërkuar hapjen e kutive të votimit. Socialistët, jo pa qëllim kishin zgjedhur pas Tiranës që të protestonin në Berat, pasi në këtë qark Partia Socialiste pretendon se i është grabitur një mandat deputeti në zgjedhjet e 28 qershorit.
Përpara protestuesve kanë folur deputetët socialistë të qarkut të Beratit: Erion Braçe, Fidel Ylli e Ermonela Velaj, liderët e partive aleate të PS-së, Skënder Gjinushi (PSD), Paskal Milo (PDS) e Erion Veliaj (G99). Gjithashtu, fjalim mbajti edhe kryetari i PLD-së, Spartak Ngjela, ish-drejtuesi i LSI-së, Mustafa Muçi dhe në fund kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama. Të pranishëm në këtë protestë kanë qenë edhe deputetët Gramoz Ruçi, Pandeli Majko dhe Valentina Leskaj, si dhe ish-drejtuesi i LSI-së, Ndre Legisi. Liderët e opozitës u kanë bërë thirrje qytetarëve të Beratit dhe të të gjithë Shqipërisë që të jenë të pranishëm dhe të mbështesin protestën e madhe, e cila do të organizohet në datën 20 nëntor në Tiranë.

Braçe

Deputeti socialist i qarkut të Beratit, Erion Braçe, deklaroi se qarku i Beratit është qarku më i vjedhur pas Shkodrës në zgjedhjet e 28 qershorit. Ai lëshoi akuza të ashpra në drejtim të kryeministrit Sali Berisha, të cilin e akuzoi jo vetëm si grabitës të votave të shqiptarëve, por edhe si rrënues i gjendjes ekonomike të familjeve shqiptare. “Pas Shkodrës, Berati është qarku më i vjedhur në zgjedhjet e 28 qershorit. U bë nga Sali Berisha, nga qeveria e tij, u bë për interesa jo të shqiptarëve, u bë për interesat e vetëm një familjeje, që po rrënon ekonominë, jetën e përditshme të çdo familjeje në këtë vend. E drejta për votën është një e drejtë themelore e çdo familjeje në Shqipëri. Duhet ta kërkojmë me çdo kusht dhe pa kthim deri në fund. Duhet të përfshihemi të gjithë në këtë betejë, që të kthejmë institucionin e zgjedhjeve të lira. Pa zgjedhje të lira do të kemi një pushtet ilegjitim, një pushtet që grabit, që vret siç vrau në Gërdec, një pushtet që rrënon ekonominë e çdo familjeje në këtë vend. Beteja për botën e lirë nuk mbaron në një qytet, do të vazhdojë në çdo qytet të Shqipërisë që të kthehet demokracia në këtë vend, që të largohet pushteti nga një familje e korruptuar si ajo e Berishës, dhe të kthehet në çdo familje shqiptare”, - tha Braçe.

Rama

Gjatë fjalës së tij, Edi Rama tha se Partia Socialiste protestonte në qytetin e Beratit, në një qytet ku asaj iu grabit padrejtësisht një mandat deputeti në zgjedhjet e 28 qershorit. Rama tha se të gjithë qytetarët duhet të bëhen barrikadë njerëzore përballë pushtetit të korrupsionit dhe mashtrimit elektoral. Ai u ka bërë thirrje të gjithë shqiptarëve që të mbështesin protestën e madhe të 20 nëntorit në Tiranë.
“Çdo shqiptar ka të drejtë për t’u bërë barrikadë njerëzore përballë pushtetit të korrupsionit dhe mashtrimit elektoral. Më 20 nëntor duhet të bëhemi të gjithë barrikadë njerëzore përballë pushtetit të manipulimit dhe korrupsionit elektoral. Më 20 nëntor, në Tiranë, për të parë forcën tonë, për të hapur kutitë e votave tona, për ta çliruar votën tonë nga presioni i deformuar i pushtetit të bërë njësh me shtetin, sepse ky pushtet nuk mendon për ne, sepse shumica e popullit nuk ka vendosur për të. Nëse Sali Berisha do të kërkojë t’i mbajë forcërisht të mbyllura kutitë e votimit, ne do ta përballim Sali Berishën me pushtetin e sovranitetit të popullit. Nuk do të kërkojmë të përmbysim me dhunë pushtetin, por kërkojmë që dhunimi i votës të mbarojë bashkë me këtë pushtet dhunuesish. Ne kërkojmë që shteti të ndahet nga pushteti njëherë e mirë dhe të mos përzihet për llogari të pushtetit, për llogari elektorale. Mospranimi për të hetuar në Parlament dhunimin e zgjedhjeve, duke i dhënë popullit të drejtën të shohë se çfarë ka në kuti, është prova e frikës së madhe që ka Berisha nga e vërteta, por është prova e së vërtetës së madhe, që ne ta mbrojmë me çdo kusht, pa frikë dhe pa lodhje, deri në fund”, - tha Rama. Ai deklaroi se nuk do të tradhtonte besimin e njerëzve, të cilët e kanë mbështetur për të bojkotuar Kuvendin.

Muçi: Lidershipi i LSI-së vulosi kutitë e turpit të 28 qershorit

Ish-anëtari i Kryesisë së LSI-së, Mustafa Muçi, gjatë fjalës së tij në protestën e djeshme, akuzoi lidershipin e LSI-së se është bërë palë për të mbyllur kutitë e turpit të zgjedhjeve të 28 qershorit. Muçi kërkoi hapjen e kutive të votimit. Sipas tij, në kutitë e votimit gjendet vullneti i shprehur nga shqiptarët, për të nxjerrë në pension politik Sali Berishën. “Kutitë e votimit duhet të hapen që të lexohet e vërteta dhe të kuptohet se kryeministrin Sali Berisha e nxorëm në pension. Duhet të hapen kutitë e votimit që t’i jepet fund historisë së turpshme të zgjedhjeve në këtë vend”, - tha Muçi.

Milo: “Duhen dënuar hajdutët e votave në Shqipëri”

Kryetari i Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo, tha se qeveritarët në pushtet e kanë mendjen të vjedhin votat dhe të vjedhin pasuritë e shqiptarëve. Milo tha se tashmë ka ardhur koha që të dënohen hajdutët e votave në Shqipëri. “Qeveritarët nuk e kanë mendjen te qytetarët. E kanë mendjen të vjedhin jo vetëm votat, por edhe pasuritë e shqiptarëve. Çështja më e madhe nuk është se pse u vodhën një palë vota, por problemi më i madh është se vjedhja është bërë moral, është bërë normë dhe standard. Duhet t’i japim fund njëherë e mirë kësaj epoke dhe këtij mashtrimi publik. Nuk jemi këtu për të ankuar, jemi këtu për të dhënë mesazhin e bashkimit të vërtetë që na duhet, të majtë e të djathtë, që kemi vërtet aspiratë për të ndërtuar një demokraci. Por pa hajdutë të votës. Duke dënuar sot hajdutët, t’i hedhim nga pushteti, të mos u japim mundësi që të vjedhin”, - tha Milo.

Fidel Ylli: “Nuk na intereson mandati i deputetit pa u zbardhur zgjedhjet”

Deputeti socialist, Fidel Ylli, i zgjedhur në qarkun e Beratit, tha se atij dhe kolegëve të tjerë socialistë nuk u intereson mandati i deputetit për sa kohë që qeveria do të refuzojë të bëjë transparencën e zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit, apo pa u zbardhur e vërteta e mandatit të grabitur në Berat. “Slogani i PS-së në fushatë ka qenë ndryshimi. Ju premtoj që këtë ndryshim të madh në Berat dhe në të gjithë Shqipërinë do ta vazhdojmë. Nuk duhet ta humbasin shpresën dhe do ta bëjmë, por duhet të jemi bashkë përballë kësaj qeverie që dhunon njerëzit që punojnë në administratën publike. Neve nuk na intereson mandati i deputeti pa u zbardhur kutia e votimit në Berat, pa u zbardhur e vërteta e kutive të 28 qershorit”, - tha Ylli.

Ngjela: “Koha për të krijuar një front të përbashkët me shqiptarët”

Kryetari i Partisë Ligj dhe Drejtësi, Spartak Ngjela, tha se ka ardhur tashmë koha që të gjithë shqiptarët të organizohen në një front të përbashkët dhe të bëjnë një aleancë të madhe për shtetin për të mbrojtur votat, liritë e individit, sistemin demokratik dhe institucionet demokratike. “Nuk ka të majtë e të djathtë. E majta dhe e djathta janë nocione që u takojnë rrugëve të zhvillimit, ekonomisë etj., por jo sistemit. Kjo është arsyeja që jam këtu. Kam pasur mendimin se ne shqiptarët nuk e kemi nervin e protestës, sidomos për çështjen e lirisë së votës. Por kjo kohë po tregon se ky konkluzion ka qenë i përkohshëm. Ne duhet me çdo kusht të ngrihemi si një trup i vetëm për të shkallmuar këtë gjëmë të madhe që na ka krijuar një moszhvillim të madh të shoqërisë, sepse nuk lejon qarkullimin e elitave të shoqërisë me anë të votës së lirë. Ju e treguat që e kemi këtë nerv, është mirë ta mbajmë. Ka ardhur koha që të bëjmë një marrëveshje të madhe për ngritjen e dinjitetit dhe shtetit tonë”, - tha Ngjela. Ai i ftoi të gjithë qytetarët e Shqipërisë që të mbështesin protestën e 20 nëntorit në Tiranë, e cila, sipas tij, do të jetë protesta më e madhe e organizuar ndonjëherë. “Më 20 nëntor, datë kulmore ku gjithsecili të vijë në Tiranë për të protestuar në mënyrë të fortë për votën e lirë dhe për t’i dhënë fund kësaj qeverie shterpë. Më 20 nëntor e gjithë Shqipëria, me çdo mjet, të vijë në Tiranë. Janë 850 mijë shqiptarë që duan të shohin transparencë të votës. Të gjithë ata kanë të drejtë të ngrihen dhe të kërkojnë për këtë çështje”, - tha Ngjela.

Gjinushi: “Po të hapen kutitë në Berat, kuptohet kush është fituesi i zgjedhjeve”

Kryetari i PSD-së, Skënder Gjinushi, tha se vetëm në rast se do të hapeshin kutitë e votimit në Berat, do të kuptohet se kush ishte në të vërtetë fituesi i zgjedhjeve të 28 qershorit. Kreu i socialdemokratëve ka deklaruar se opozita do të merrte një mandat më shumë në Berat, por pikërisht në këtë qark, me mijëra veta nuk morën kartë identiteti, qindra nuk e gjetën emrin në listë. Sipas tij, ky është një fakt që nuk e pohon vetëm opozita, por raporti i OSBE-së. “Hapja e kutive të Beratit do të mjaftonte për të deklaruar maxhorancën e vërtetë, që është opozita e bashkuar”. Kryetari i PSD-së ka theksuar se “vendi nuk ndodhet në një krizë besimi midis partive, por në një krizë mes popullit dhe votës së tij”. Ai ka shprehur bindjen se “qeveria ‘Berisha’ nuk do të luftojë korrupsionin, pasi ajo është qeveria që e polli këtë korrupsion dhe krijoi kryeministrin më të korruptuar në Ballkan”.

Veliaj: “Ka nisur rezistenca qytetare për votën e lirë”

Kreu i G99-s, Erion Veliaj, ka bërë thirrje që gjithë shqiptarët që nuk mund të lejojnë që vota dhe liria e tyre të jetë peng në duart e qeverisë, të ngrenë zërin e tyre dhe të mos humbasin asnjëherë besimin se kauza e përbashkët do të fitojë. “U themi skeptikëve dhe cinikëve për të protestuar aty për çdo gjë më 20 nëntor, por sidomos për mënyrën se si u ngjiz kjo qeveri. Ka shumë njerëz që mendojë se ne humbëm nga këto zgjedhje, po ne u themi se kemi fituar njëri- tjetrin dhe kemi fituar aq forcë sa ta çojmë deri në fund këtë betejë. Do të shihemi të gjithë më 20 nëntor në Tiranë. Ka më shumë gjëra që na bashkojnë, sesa na ndajnë. Sot jemi këtu për të gjitha ato që na bashkojnë, për këto do të luftojmë. Kjo është dita e rezistencës qytetare”, - ka përfunduar fjalën e tij përpara qytetarëve të Beratit Veliaj.

17 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›