Botërori 2010, 23 vendet që kanë prerë biletën
Njëzet e tre vende kanë prerë një biletë për në finalet e Kampionatit Botëror “Afrika e Jugut 2010”, ndërsa 18 skuadra janë ende në garë për 9 vendet e fundit të kompeticionit më të madh e më të rëndësishëm futbollistik. Dy muaj përpara hedhjes së shortit të grupeve të fazës finale, situata paraqitet e tillë. Kur ka mbetur vetëm 8 muaj nga fillimi i Kampionatit Botërori, janë ende 9 “bileta” në lojë për të kompletuar kuadrin e 32 skuadrave pjesëmarrëse në “Afrika e Jugut 2010”. Të premten, më 4 dhjetor, do të hidhet shorti i tetë grupeve të Botërorit. Skuadrat aktualisht të kualifikuara janë 23. Ja emrat e tyre kontinent për kontinent.
EUROPA
(9 skuadra të kualifikuara)
Nëntë fitueset e grupeve respektove në fazës së kualifikueseve e kanë prerë në mënyrë automatike një biletë në Afrikën e Jugut. Këto janë: Holanda, Anglia, Spanja, Gjermania, Danimarka, Serbia Italia, Zvicra dhe Sllovakia. Skuadrat e renditura të dytat në grup (me përjashtim të Norvegjisë, të eliminuar për koeficientin më të ulët të pikëve për ndeshje), do të zhvillojnë midis tyre një duel të dyfishtë në plej-of. Tetë skuadrat janë ndarë në dy grupe në bazë të koeficientin të përcaktuar nga FIFA. Në njërën vazo ndodhen kokat e serisë, që do të thotë: Rusia, Franca, Greqia e Portugalia, dhe në vazon e dytë, atë kundërshtare janë, Ukraina, Irlanda, Bosnja e Sllovenia. Shorti do të hidhet të premten.
AMERIKA E JUGUT
(4 skuadra të kualifikuara)
Brazili, Paraguai, Kili dhe Argjentina janë katër skuadrat që do të përfaqësojnë Amerikën e Jugut në Botërorin e ardhshëm. Uruguai, skuadra e renditur e pesta në klasifikim, do të sfidojë Kosta Rikën në plej-of.
AMERIKA E VERIUT
(3 skuadra të kualifikuara)
Shtetet e Bashkuara, Meksika dhe Hondurasi janë vendet që tashmë do të luajnë në finalet afrikane. Kosta Rika, e katërta në klasifikim, do të luajë kundër Uruguait për një vend në Afrikën e Jugut.
AFRIKA
(3 skuadra të kualifikuara)
Dihen vetëm tre nga gjashtë emrat e mundshëm që do të përfaqësojnë kontinentin afrikan në Botëror: Afrika e Jugut, si vend organizator, dhe Gana e Bregu i Fildishtë, të cilat nga ana e tyre kanë fituar grupet respektove. Tre emrat e tjerë do të mësohen, më 14 nëntor. Në grupin 1 lufta është midis Kamerunit dhe Gabonit, në grupin 2 midis Tunizisë e Nigerisë, dhe në grupin 3 do të luftojnë Egjipti me Algjerinë.
AZIA
(4 skuadra të kualifikuara)
Dihen prej kohësh emrat e katër vendeve që do të përfaqësojnë kontinentin aziatik: Japonia, Koreja e Jugut, Koreja e Veriut dhe Australia. Bahreini do të sfidojë Zelandën e Re për vendin e fundit që do të dalë nga ky kontinent.
OQEANIA
(asnjë skuadër ende nuk është kualifikuar)
Zelanda e Re, që nga ana e saj fitoi grupin kualifikues do të përballet me Bahreinin.
Kapelo: “Bekham si Barack Obama”
Trajneri i Anglisë, Fabio Kapelo, i bëri një kompliment të madh yllit britanik, David Bekham, pas paraqitjes së tij mbresëlënëse në fitoren 3-0 të “Tre luanëve” kundër Bjellorusisë, në ndeshjen e fundit në grup për eliminatoret të Kampionatit Botëror 2010. Bekham u vlerësua si “Man of the Match” (lojtari i ndeshjes) për lojën e tij. Trajneri italian e tha pas ndeshjes për televizionin “ITV”: “Të vlerësosh David Bekham si ‘njeriun e ndeshjes’ është njëlloj si vlerësimin me çmimin ‘Nobel’ të paqes, që iu bë Barack Obamës pas vetëm tetë muajve në detyrë (si president i SHBA-ve). Bekham u zgjodh ‘njeriu i ndeshjes’ pas vetëm 30 minutave lojë të tij kundër Bjellorusisë”. Gjithsesi, Kapelo shtoi për mega-yllin 34-vjeçar: “Ka lojtarë, që kanë probleme të gjejnë ritmin e lojës, kur hyjnë si zëvendësues. David luan gjithmonë mirë, edhe nëse do të jetë në fushë, 20, 30 apo 40 minuta. Ai është gjithmonë i përqendruar dhe synon të japë më të mirën e tij”.
Berluskoni: “Nuk e shes Milanin”
Silvio Berluskoni, presidenti i 17-herë kampionëve të Italisë, Milanit, deklaroi se nuk ka aspak ndërmend të shesë klubin. Në fakt, para disa javësh qarkulluan thashetheme në median italiane dhe atë ndërkombëtare se kryeministri italian mund ta shiste atë, madje u përmend edhe një blerës potencial (shqiptari Rezart Taçi) dhe shuma që duhej të paguhej (700 milionë euro).
16 Tetor 2009