E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta: Pres Ramën në zyrë që ti sqaroj Marrëveshjen.



Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, e cilësoi të gabuar vendimin e Partisë Socialiste dhe të partive të tjera opozitare për të ankimuar në Gjykatën Kushtetuese Marrëveshjen për kufijtë detarë me Greqinë. Në një prononcim për mediat, Meta tha se veprimi i PS-së nuk është serioz dhe nuk përkon me seriozitetin e kësaj çështjeje shumë të rëndësishme politike. Meta tha se mirëpriste në zyrë kreun e PS-së, Edi Rama, për t’i sqaruar vlefshmërinë ligjore të kësaj marrëveshjeje.
“Unë e mirëpres Ramën edhe në Ministrinë e Jashtme, ku ai mund të takohet me të gjithë ekspertët që janë marrë me këtë çështje. Megjithatë, është e drejta e tij të veprojë për të ndërmarrë nisma të tilla”, - tha Meta. Ndërkaq, pas kësaj deklarate ka reaguar menjëherë Partia Socialiste, me anë të deputetes Olta Xhaçka, e cila tha se ministri i Jashtëm është kthyer në një zëdhënës i qeverisë. “Me sa duket Ilir Metës duhet t’i thërrasim Ilir Bregu, sepse ka marrë edhe detyrën e zëdhënëses së qeverisë, po problemi është se ky vartës i zellshëm i Saliut po bën qesharake Ministrinë e Jashtme të Shqipërisë duke u marrë përditë me opozitën për llogari të shefit të tij. Sa për Marrëveshjen për kufijtë detarë, Partia Socialiste po bën detyrën e saj elementare në mbrojtje të interesit kombëtar, duan apo s’duan karagjozët që qeverisin Shqipërinë”, - tha Xhaçka.

17 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›