Kuzhe: “Bëra eksperimente me Kombëtaren”
Trajneri i Kombëtares, Josip Kuzhe, zbardhi gjithë enigmën e drejtimit të tij në tri ndeshjet e fundit zyrtare të përfaqësueses shqiptare në eliminatoret e Kampionatit Botëror 2010, pikërisht ndaj tri skuadrave që e mbyllën në vendet e para grupin tonë: Danimarkës (barazoi 1-1, në Tiranë), Portugalisë (humbi 1-2, në Tiranë) dhe Suedisë (humbi 4-1, në Suedi). “I përdora ndeshjet e eliminatorëve të Botërorit për të parë situatën. Mund të them se kam eksperimentuar me skuadrën. Puna ime e vërtetë fillon me eliminatoret e Kampionatit Europian 2012. Federata ishte e qartë kur më punësoi”, - tha gjatë konferencës për shtyp pasuesi i holandezit Ari Han. Trajneri i Shqipërisë paralajmëroi për ndryshime të mëdha në ekip, duke theksuar se tre ndeshjet zyrtare (bilanci: 1 barazim, 2 humbje) dhe 3 ndeshjet miqësore, duke përfshirë edhe Greuther Fyrth (1 fitore, 1 barazim, 1 humbje) i shërbyen atij për njohjen më të mirë të lojtarëve që ka pasur në dispozicion. “Dikush më kënaqi me formën e tij, disa të tjerë jo. Do të ketë emra të rinj në skuadër, ndonjë nuk do të jetë më anëtar i ekipit Kombëtar”, - theksoi Kuzhe, i cili nga ana e tij ka investuar jo pak për promovimin e portierit Samir Ujkani dhe mesfushorit Emiljano Vila. Trajneri kroat pranoi lojën amatore dhe gabimet foshnjarake të lojtarëve në ndeshjen me Suedinë, ku spikati gafa e Armend Dallku në golin e dytë të suedezëve. Shqipëria e mbylli fushatën kualifikuese në vendin e parafundit në grupin 1 me 7 pikë, duke marrë vetëm 2 pikë në pesë ndeshjet e fundit, në barazimet 0-0 me Maltën dhe 1-1 me Danimarkën. Ndeshje e ardhshme e Kombëtares është ajo me Estoninë, më 14 nëntor në Talin.
Renditja FIFA, Shqipëria zbret 4 vende
Katër vende më poshtë në renditjen botërore. Kaq i ka kushtuar Shqipërisë humbja 4-1 me Suedinë. Në klasifikimin e përmuajshëm të FIFA-s, për muajin tetor 2009, ndodhemi në vendin e 97-të, teksa një muaj më parë, në shtator, ishim në vendin e 93-të. Edhe pikët kanë rënë: - 26, tani kemi 334 pikë. Në renditjen botërore, Shqipëria ndodhet midis Zambias (vendi i 96-të) dhe Angolës (98).
I dhimbshëm është një fakt. Kombëtarja e Malit të Zi, fqinji ynë i vogël verior, e krijuar vetëm para pak vitesh, ndodhet më lart në renditje: vendi i 75-të në FIFA e i 38-të në UEFA. Kjo do të thotë shumë për Federatën Shqiptare të Futbollit. Renditja më e mirë e Shqipërisë në vitin 2009 është ajo e muajit janar: vendi i 78-të, pra nga fillimi i viti kemi humbur 19 vene në renditjen botërore. Në renditjen specifike europiane Shqipëria vazhdon të ndodhet në vendin e 42-të nga 53 federata futbollistike që bëjnë pjesë në UEFA. Në klasifikimin e zonës evropiane, Kombëtarja jonë renditet midis Moldavisë (41) dhe Armenisë (43), duke lënë pas 11 skuadrat e mëposhtme: Armenia, Estonia, Gjeorgjia, Kazakistani, Ishujt Faroe, Azerbajxhani, Luksemburgu, Lihtenshtejni, Malta, Andorra e San Marino. Në renditjen botërore në podium janë Brazili (vendi 1, 1632 pikë), Spanja (2, 1629) dhe Holanda (3, 1340).
17 Tetor 2009