E Diel, 1 Nëntor 2026

Augsburgu i Kapllanit, “favoriti” i trajnerëve për titull



Augsburgu, skuadra e sulmuesit shqiptar, Edmond Kapllani, ka shanset më të mëdha për t’u ngjitur në Bundesligën 1 sezonin e ardhshëm. Konkluzioni ka dalë nga vetë 18 trajnerët e skuadrave të Bundesligës 2, që e shohin Augsfburgun si një nga top-kandidatët e sezonit 2009-2010. “Stadium i ri, lojtarë të rinj dhe një bos i ri me ëndrra të mëdha, kështu Ausburg troket në derën e Bundesligës”, - shkruan agjencia gjermane e lajmeve, Dpa. Një nga blerjet e këtij sezoni është dhe ish-sulmuesi i Karlsruhes dhe i Kombëtares shqiptare, Edmond Kapllani, që nga ana e drejtuesve të klubit gjerman konsiderohet si në forcë plus në vijën e parë sulmuese. “Augsburgu do të shpallet kampion. Ka një ekip të mira dhe një Jos Luhukaj, i cili është shumë i zoti”,- tha Jurgen Luginger i Rot-Vajs Oberhauzenit. Augsburg ndërtoi një stadium të ri për të cilin u shpenzuan 45 milionë euro, dhe sipas Dpa-së, bosi i klubit Seinsh, përmbushi ëndrrën e tij të parë. Blerja e lojtarëve të rinj cilësorë ishte angazhimi tjetër i presidentit të Augsburgut, dhe ish-sulmuesi i Karlsruhes, Kapllani, vlerësohet njëri prej tyre.

“Shpëton” Hyka

Tërmet te Mainc 05 i Jahmir Hykës. Vetëm katër ditë nga fillimi i kampionatit gjerman, drejtuesit e klubit të porsangjitur në Bundesligë, shkarkuan trajnerin Jërn Andersen. Norvegjezi u ndëshkua pas eliminimit të turpshëm të Maincit në Kupën e Gjermanisë nga skuadra e kategorisë së katërt, Lybek (1-2). Pasuesi i tij do të jetë, trajneri aktual i Mainc U-19, Tomas Tuhel. Për hir të së vërtetës, Hyka nuk ka gjetur hapësira nën drejtimin e Andersonit, kur Mainc ishte në Bundesliga 2, por trajneri norvegjez kishte premtuar më shumë minuta për mesfushorin e Kombëtares shqiptare gjatë sezonit të ri.

Metaj
Shkodran Metaj, futbollisti kosovar në forcë me Groningen në kampionatin holandez, do të huazohet te klubi RKC Valvijk. Lajmin e dha faqja e njohur voetbalprimeur.nl, që i referohet nga ana e saj deklarimve të trajnerit të Valvijk, Rud Brod. Mesfushori, i cili ka shprehur së fundi se dëshiron të luajë edhe në radhët e Kombëtares A shqiptare, vlerësohet si një i ri i talentuar. “Ne e mirëpresim ardhjen e Shkodranit, - tha drejtori teknik i Valvijkut, Mohamed Allah, - ai është një lojtar i ri i talentuar rolin e mesfushorit të majtë. Futbolli i tij është i fuqishëm dhe mund të ndihmojë shumë grupin tonë aktual”. 21-vjeçari Metaj më parë ishte i lidhur me një interesim të SC Kambur, po në Holandë, por si një lojtar profesionist i Eredvieses, Shkodrani këmbënguli të ishte pjesë e një ekipi të një niveli më të lartë.

“Daily Mail”: “Cana, një blerje nxitëse”

Në një analizë të saj kushtuar merkatos së klubeve të Premier Ligës angleze për sezonin e ardhshëm, gazeta e njohur britanike “Daily Mail”, e ka vlerësuar si një blerje “eksituese” atë Lorik Canës nga Sanderlendi. “Sanderlendi. Stiv Brus ka bërë disa shtesa modeste te një skuadër, që ishte keqazi nënformë sezonin e kaluar. Do të ketë nevojë për pak nënshkrime cilësore, nëse Sandërlendi do të luftojë për mesin e sipërm të tabelës. Shënjat e mira: Brus mund të sigurojë një përmirësim nga sezoni i dëshpëruar i vitit të kaluar, ndërkohë që Cana mund të jetë një nënshkrim shumë nxitës. Shenjat e këqija: Piter Krauç bëhet lojtari i fundit që tregoi mospërfillje për klubin, për shkak të pozicionit”,- shkruhet në specialen e “Daily Mail”. Cana debutoi me fanellën e Sandërlendit në miqësoren e fituar 2-1 kundër Sëlltikut, të shtunën e kaluar. Loriku ka veshur fanellat e tre ekipeve si lojtar profesionist, dy në Francë, ato të Paris Sën Zhermenit e Olimpikut të Marsejës, dhe Sandërlendit në Angli. Lorik Cana ka fituar vetëm një trofe gjatë karrierës së tij futbollistike, pikërisht Kupën e Francës të fituar me Paris Sën Zhermenin në vitin 2004. Mesfushori shkatërrues numëron 31 ndeshje me përfaqësuesen shqiptare, për të cilën luan që nga mosha 19 vjeç. Cana ka shënuar vetëm një gol.

Bent “thyen” rekordin e Lorikut

Ylli i Anglisë, Darren Bent, theu “rekordin e Lorik Canës” si blerja më e shtrenjtë e Sanderlendit, pasi ish-sulmuesi i Totenhemit pranoi të transferohej te “macet e zeza” në “Stadiumin e dritës”. Cana u transferua te Sandërlendi nga Marseja për shumën e 6 milionë eurove, ndërkohë që kartoni i Darren Bent, sipas medieve angleze kushtoi 16.5 milionë euro.

Tifozët: “Gabim shitja e kapitenit”

Ultrasit e Marsejës e konsiderojnë një gabim shitjen e Lorik Canës, te një klub anglez i dorës së dytë. “Një kapiten ekzemplar si ai, që ka çuar lart ngjyrat e klubit tonë e na ka bërë krenar meritonte më shumë. Do të mbetet gjithmonë në memorien tonë. Shitja e tij është një gabim i klubit dhe DD (trajnerit Didier Deshamps)”, - shkruan tifozi i identifikuar si “JPP2000”.

4 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›