PD-ja nis hartimin e listës me emrat e rinj të Këshillit Kombëtar
Selia blu fillon përgatitjet për Kuvendin Kombëtar. Rivalitet për postet e anëtarëve të forumeve kryesore
Eljona Ballhysa
Me përfundimin e zgjedhjeve parlamentare demokratët kanë nisur punën për të përgatitur mbledhjen e Kuvendit X Kombëtar të Partisë Demokratike. Ndërsa lideri i PD-së, Sali Berisha, ka filluar të hedhë të letër emrat e rinj të anëtarëve të Këshillit Kombëtar, që do t’i paraqiten për votim Kuvendit Kombëtar, i cili është forumi më i lartë vendimmarrës i PD-së. Një anëtar i Këshillit Kombëtar ka të drejtë të zgjidhet anëtar i Kryesisë Qendrore, por dhe të garojë për një post në Sekretariatin e partisë. Pra zgjedhja në Këshillin Kombëtar u hap anëtarëve të PD-së një dritare për të vazhduar më tej karrierën politike brenda partisë.
Këshilli
Në bazë të Statutit të PD-së, Këshilli Kombëtar drejton veprimtarinë e Partisë në periudhën midis dy kuvendeve. Këshilli Kombëtar përbëhet nga kryetari, sekretari i Përgjithshëm, nënkryetarët, sekretarët funksionalë, ish-Presidentët e Republikës, ish-kryeministrat, ish-kryeparlamentarët dhe ish-kryetarët e PD-së, kryetarët e këshillave të qarqeve dhe kryetarët e bashkive të kategorisë së parë, kryetarët e degëve, kryetarët e organizatave partnere si dhe nga anëtarët që duhet të votohen. Por, rëndësia e Këshillit Kombëtar është se ai zgjedh dhe shkarkon nëpërmjet votimit anëtarët e Kryesisë Qendrore si dhe drejtuesit e lartë të partisë, siç janë nënkryetarët, sekretari i Përgjithshëm dhe sekretarët e tjerë të partisë. Ndërkaq, burimet bëjnë të ditur se kryetari i PD-së do të jetë mëse i vëmendshëm që të vendosë në listën e anëtarëve të Këshillit Kombëtar mbështetësit e tij. Pritet që kryetari të zëvendësojë dhe vendet e lëna bosh në këtë forum pas largimit të deputetëve historikë të PD-së, siç janë Besnik Mustafaj, Preç Zogaj, Aleksandër Biberaj, Spartak Ngjela e të tjerë.
Kuvendi
Miratimi i anëtarëve të rinj të Këshillit Kombëtar do të zhvillohet në mbledhjen e Kuvendit të PD-së, i cili, sipas burimeve, pritet të zhvillohet në fund të muajit shtator.
Kuvendi, në bazë të Statutit, mblidhet një herë në katër vjet dhe parashikohej të mbahej në fund të muajit prill, por zhvillimi i tij u shty për shkak të zgjedhjeve parlamentare. Megjithëse fitorja në zgjedhje duket sikur e ka mjegulluar përgatitjen e Kuvendit burimet nga selia blu pohojnë se ai do të mbahet në fund të muajit shtator. Demokratët në këtë Kuvend do të rimandatojnë kryetarin e Partisë, Sali Berishën, duke e zgjedhur sërish në krye të PD-së edhe për katër vite të tjera. Në Kuvendin Kombëtar do të votohet për programin politik të PD-së me të cilin do të qeverisë vendin për katër vitet në vazhdim, si dhe do të zgjidhen anëtarët e Këshillit Kombëtar. Ajo që ka filluar të lëvizë është përpjekja e figurave të PD-së për të marrë një post në Sekretariatin e kësaj partie apo në Kryesinë Qendrore, që është organi më i lartë vendimmarrës i PD-së. Prej kohësh është folur në strukturat e Partisë Demokratike për një reformë të kupolës drejtuese të partisë, çka përfshin zgjedhjen e anëtarëve të rinj të Kryesisë Qendrore, si dhe zgjedhjen e individëve të rinj në postet e sekretarëve. Po kështu është folur dhe për ndarjen e posteve ministrore nga ato partiake, ide kjo që është vendosur të diskutohet gjatë mbledhjes së Kuvendit Kombëtar. Këto ide kanë qarkulluar në PD, veçanërisht pas zgjedhjeve lokale të vitit 2007, ku demokratët humbën në qytetet kryesore. Vetë kryetari i partisë, Sali Berisha, deklaroi për mediat se ka ardhur koha e një reforme të gjerë brenda PD-së. Burimet bëjnë të ditur se i gjithë procesi zgjedhor për postet drejtuese brenda partisë është shtyrë qëllimisht pas zgjedhjeve parlamentare në mënyrë që të mos krijonte konflikte dhe përçarje brenda partisë. Ndaj duket se tani është momenti për këtë reformë, e cila mendohet se do të prekë postin e sekretarit të Përgjithshëm, postet e nënkryetarëve dhe postet e sekretarëve të tjerë, siç është ai për Çështjet Ligjore dhe sekretarin Organizativ.
5 Gusht 2009