E Diel, 1 Nëntor 2026

Në të gjithë vendin vijon procesi për shpërndarjen e “lejeve të legalizimit”

Agjensia e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale vijon takimet në të gjitha qarqet e vendit, sipas kalendarit të njoftuar për pajisjen e të gjithë qytetarëve me "Lejen e Legalizimit". Sipas burimeve zyrtare të kësaj agjensie, nesër në orën 11.00 vazhdon shpërndarja e "Lejeve të Legalizimit" ne Qarkun e Vlorë, ditën e merkurë në Bashkinë Sarandë dhe qarkun Gjirokastër. ALUIZNI, gjatë javës që kaloi zhvilloi një sërë aktivitetesh të rëndësishme në disa nga qarqet kryesore të vendit. Shpërndarja e lejeve të legalizimit në këto qarqe vazhdon, por tashmë janë qytetarët, ata që duhet të shkojnë të shlyejnë detyrimet sipas ligjit për tu pajisur me "Lejen e Legalizimit". Sipas të dhënave të ALUIZNI-t, në Tiranë, procesi vazhdoi me shpërndarjen e Lejeve të Legalizimit për apartamente, objekte social - ekonomike, garazhe dhe podrume me një total prej 6200 pasurish familjare. Sipërfaqja që u legalizua është 662.559 m2. Vlera e kesaj siperfaqe e kalon shumën 2 miliard euro (me çmim minimal tregu prej 300 euro m2), e cila tashmë behet pjesë e tregut.

 Ndërkohë në qarkun e Shkodrës janë deklaruar 18 000 objekte informale nga të cilat për 12 688, janë kryer matjet në terren dhe është bërë azhornimi i tyre. Për 8 627 objekte është kryer e gjithë procedura ligjore, tashmë ato janë të dixhitalizuara dhe të gatshmë për qytetarët, të cilët mund të shkojnë të pajisen me "Lejen e Legalizimit", pasi të kenë shlyer detyrimet për objektin sipas ligjit. Në qarkun Shkodër është miratuar shpërblimi sipas vendimit te qeverisë për 51 familje ish-pronarësh. Për 705 familje të tjera ka dalë vendimi i qeverisë për kalimin e pronesisë.

Burimet bënë të ditur se në qarkun e Elbasanit janë deklaruar 18 756 objekte informale nga të cilat 8 573 i përkasin vetëm qytetit të Elbasanit. Aktualisht janë kryer matjet në terren dhe është bërë azhornimi për 7 500 objekte, nga të cilat 6 232 objekte janë me dokumentacion teknik të dixhitalizuar, pra është kryer e gjithë procedura ligjore. Burimet thanë se janë të gatshme për qytetarët 1 050 "Leje Legalizimi", të cilët mund t'i tërheqin, pasi të kenë shlyer detyrimet për objektin sipas ligjit. Ndërsa për 550 objekte është përfunduar i gjithë procesi dhe mund të bëhet tërheqja e lejeve. Në qarkun Elbasan është miratuar kompesimi sipas vendimit te qeverisë për 53 familje ish-pronarësh dhe për 2 735 familje të tjera ka dalë vendimi i qeverisë për kalimin e pronesisë.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›