Nga Paleologët tek Muzakajt
Një vepër monumentale për historinë e Shqipërisë. Për shumë vite me radhë, një nga burimet e rëndësishme për historinë shqiptare të shekujve XIV-XV ka qenë edhe historia dhe gjenealogjia e shtëpisë Muzaka (Kronika e Muzakajve) e shkruar nga princi Gjon Muzaka dhe e botuar në Itali në vitin 1510. E kontestuar nga shumë studiues autoritarë për njëanshmërinë dhe jo vërtetësinë e saj, kronika në fjalë ka shërbyer për keqinterpretime të ndryshme nga një sërë autorësh... Libri më i ri i titulluar “Nga Paleologët tek Muzakajt”, shkruar nga historiani Pëllumb Xhufi, zbulon historinë korrekte, që i përket të njëjtit standard të botimeve të mirëfillta shkencore
1.
Duheshin të kalonin disa vite që mesjetologu Pëllumb Xhufi të prezantonte përsëri përpara publikut intelektual pasionin e tij të vjetër. Sikur të mos mjaftonte përkthimi i historisë së Bizantit, kapitulli i mesjetës tek Historia e popullit shqiptar, apo studime dhe botime të tjera dhe një mori artikujsh në shtypin shqiptar dhe të huaj, ai vazhdon të pasurojë bibliotekën historike me punime të tjera. I tillë është edhe libri i tij më i ri i titulluar “Nga Paleologët tek Muzakajt”, vëllim historik prej 463 faqesh qe i përket të njëjtit standard të botimeve të mirëfillta shkencore, megjithëse ka edhe të veçantën e tij. Duke hequr një vijë imagjinarë, jo vertikalisht si ajo e Teodosit, por një tangente në drejtimin Berat-Vlorë, Pëllumb Xhufi merr përsipër, duke u nisur nga ky kënd i Shqipërisë Jugperëndimore të shpjegojë gjithë historinë shqiptare të fundit të mesjetës.
Me të njëjtën stil, elegance dhe finesë ai ndërthur “Kozmosin bizantin”, të cilin e njeh më mirë se kushdo me mikrokozmosin shqiptar, duke mos e parë me syrin e historianit por edhe në këndvështrimin tashmë të diplomacisë dhe politikës.
2.
Kushdo që e merr në dorë librin vëren njëherazi kopertinën ku paraqitet një pjesë afresku. Në të duket figura e Shën Gjergjit, jo në pozicionin e preferuar mbi kalë duke vrarë dragoin, por ne këmbë, në një qëndrim pozant me dorën e majtë ngritur në mënyrë treguese. Shenjti mban të veshur një mantel në të cilin dallohen qartë zbukurimet ornamentale dhe disa medalione, ku paraqitet shqiponja dykrenore simboli i Bizantit. Deri këtu gjithçka duket normale dhe lexuesi kupton se zgjedhja e kopertinës është bërë për efekte teknike, thjesht për të treguar se libri i kushtohet periudhës së fundit të mesjetës dhe për ta ilustruar këtë fakt është zgjedhur si shembulli në fjalë. Por, këtu nis intrigimi i autorit, i cili tek ky afresk lidh njëra me tjetrën në mënyrë simbolike dy dinasti të ndryshme: Paleologët e Bizantit me Muzakajt e Shqipërisë. Pikërisht ky është paralelizimi që shoqëron të gjithë librin, të cilin autori e ndan në pesë kapituj, duke i shtuar edhe kronikën e Gjon Muzakës, të cilën ai e trajton siç e quan edhe vetë në një vështrim kritik.
Ndërkohë që, në hyrje Pëllumb Xhufi paraqet lëndën që do të trajtojë në vijim, duke na treguar se libri është vazhdim i punës së bërë më parë nga historianët e huaj; Jireçek dhe Ducellier, duke plotësuar kështu mozaikun e historisë shqiptare të mesjetës. Në të gjejmë ashtu siç e quante dikur Çabej i madh, grindjen e madhe të botës të botës lindore bizantine me atë perëndimore latine. Këtë panoramë Pëllumb Xhufi na e paraqet nëpërmjet një historie të ndërtuar nga citimet e 360 autorëve të vjetër dhe të rinj. Duke qenë vetë një historian me përvojë 30 e ca vjeçare autori ndjek një metodë të veçantë. Ai nuk nxitohet të nxjerrë konkluzione të menjëhershme dhe në mënyrë të natyrshme i rendit faktet që të dëshmojnë vetë: Ja se ç’thotë ai në një pasazh të librit të tij. “Në kushtet e mendimeve të tilla, që divergojnë mjaft nga njëri-tjetri, do të ishte më mirë që më së pari të vendosnim piketat e sigurta, ante dhe post quem”. (f.175).
Përveçse plotëson me detaje të tjera historitë e familjeve feudale mesjetare të Muzakajt, Matrengët, Balshajt si faktorë politikë vendas, autori ndriçon edhe marrëdhëniet që krijuan familjet e huaja që erdhën nëpërmjet pushtimeve në Shqipëri. Në libër gjejmë informacione të plota mbi Raguzën dhe aktivitetin e saj, mbi skelat lumore të Vregut, Pirgut dhe Spinaricës, Vlorën dhe Beratin, kronikën e Gjon Muzakës, të dhëna mbi aktivitetin e hebrenjve. Gjithashtu në parathënie autori zbulon edhe dy fakte të tjera të cilat nuk kanë të bëjnë në dukje me brendinë e librit, por kanë qenë në funksion të tij. I pari është vetë dëshmia e Xhufit, ku ai pohon se është vazhdues i traditës së shkollës së historiografisë shqiptare dhe i dyti është zbulimi i trashëgimtarëve të Muzakajve, siç është edhe familja Pinguli, e cila jeton në Tiranë dhe në vazhdim të kontributeve financon edhe botimin e librit.
3.
Për shumë vite me radhë një nga burimet e rëndësishme për historinë shqiptare të shekujve XIV-XV ka qenë edhe historia dhe gjenealogjia e shtëpisë Muzaka (Kronika e Muzakajve) e shkruar nga princi Gjon Muzaka dhe e botuar në Itali në vitin 1510. E kontestuar nga shumë studiues autoritarë për njëanshmërinë dhe jo vërtetësinë e saj, kronika në fjalë ka shërbyer për keqinterpretime të ndryshme nga një sërë autorësh. Shumë pseudo shkrues të sotëm krahinorë të cilët për të nxjerrë sa më të fisme dhe të lavdishme historinë e fshatit dhe të mëhallës së tyre, janë munduar të shfrytëzojnë kronikën e Muzakës për vetë specifikën e ndërtimit të saj. Biles edhe as i përfoluri Oliver Jens Schmitt është përfshirë në këtë vorbull, duke ju referuar gabimisht kronikës. Pikërisht korrigjimin e kësaj vepre merr përsipër Pëllumb Xhufi duke i bërë asaj një punim kritik, për t’i dhënë fund pikërisht këtyre keq interpretimeve.
Së pari, autori na tregon sesi u gjet kronika e Gjon Muzakës nga historiani i palodhur gjerman Karl Hopf, në shtëpinë e sekretarit mbretëror Skipion Volpiçela në Napoli. Një ekzemplar të saj Hopf ja dhuroi albanologut të shquar Hahn me qëllim që ai t’ia bënte të njohur atë botës shkencore. Në pamundësi që t’i shkelte vetë vendet e përshkruara në kronikën e Muzakës, Hahn ja besoi një kopje Doktor Auerbahut, mjekut të karantinës së Vlorës.
Në vitin 1885 kjo kopje përfundoi në koleksionin e Peshkopit të Beratit Anthim Aleksudhi, i cili me një shënim të tij e dorëzoi në Bibliotekën Kombëtare të Athinës, ku u gjet në sektorin e dorëshkrimeve të rralla.
Së dyti Pëllumb Xhufi e “kodifikon” kronikën duke u nxitur edhe nga qëndrimi kritik që mban ndaj saj Babingeri, i cili e quan atë: “Një material të mbushur me të dhëna të rreme”, ose Ducellier që e konsideron atë “një material me të dhëna konfuze”. Kështu autori veçon si tekst të Muzakës vetëm materialin që përfshin faqet 271-302 të kronikës. Pjesët e tjera sipas tij nuk janë veçse shtojca të bëra nga Kostandin Muzaka dhe Andrea Ëngjëlli.
Së fundi Pëllumb Xhufi e quan kronikën e Gjon Muzakës si një burim të dorës së parë dhe të pazëvendësueshëm për historinë mesjetare të Shqipërisë.
Së bashku me këtë dokument mesjetologu Pëllumb Xhufi kompleton përfundimisht edhe historinë e familjes Muzaka, një “betejë” të gjatë shkencore të tij. Midis të tjerave ai trajton edhe probleme të së drejtës mesjetare siç është rasti i zotërimit të Kosturit, ku Muzakajt shfaqën pretendimet mbi bazën e argumentit “Jus Patriae”, pra të drejtën e territorit kombëtar, duke treguar shtrirjen etnike të shqiptarëve.
Si askush tjetër Xhufi trajton edhe betejën e Peristerit, ku Andrea Muzaka theu me ndihmën e dy dhëndurëve të tij: Balshës II dhe Andrea Gropës në vitin 1371, mbretin serb Vukashinin. Menjëherë pas kësaj fitoreje Perandori Bizantin Joani V Paleolog i dhuroi Andrea Muzakës stemën perandorake: Shqiponjën me dy krerë dhe një yll në mes. Pikërisht disa vjet më vonë djemtë e Despotit Andrea ngritën në Kostur, kishën e Shën Athanasit, së cilës i përket edhe afresku i kopertinës së këtij libri, për të cilin Xhufi arsyeton se figura e Shën Gjergjit nuk personifikon veçse despotin Andrea me stemat perandorake ne mantelin e tij.
***
Paleologët zënë një vend qendror në këtë studim voluminoz, veçanërisht Androniku i dytë, Perandor i Bizantit. Pëllumb Xhufi e trajton këtë personazh në marrëdhënie me fisnikërinë shqiptare.
Aty shohim se perandori kishte shumë armiq midis shqiptarëve të cilët morën pjesë në rebelimin e vitit 1305 ndaj tij në Kostandinopojë. Të tillë ishin Teodor Duka Muzaka, i cili mbante titullin e Epistratit, prifti Joan Drimi i cili rridhte nga familja shqiptare Gjika. Pjesëmarrës në këtë komplot autori citon edhe Nikollë Matrengën, i cili në atë periudhë ishte gjyqtar i lartë i Bizantit dhe mik i afërt i bashkëperandorit Androniku III dhe i domestikut të madh (komandantit të ushtrisë) Joan Kantakuzenit.
Këta dy personazhe të fundit do të jenë udhëheqësit e fushatave ushtarake kundër shqiptarëve derisa mori fund sundimi Bizantin në këto territore diku nga viti 1340. Këtu autori bën një saktësim të rëndësishëm në lidhje me strategun Bizantin Sirgian, i cili kishte qenë në vitet 1316-1327 komandanti i provincave perëndimore. Deri më sot historiografia jonë në disa botime e përmend këtë person me emrin Sirian, duke e lidhur emrin me origjinën etnike. Kështu Pëllumb Xhufi e korrigjon përfundimisht këtë emërtim duke na dhënë formën përfundimtare Sirgian.
Një trajtesë të veçantë autori i bën edhe diplomacisë Bizantine në marrëdhëniet e saj me shtetet fqinjë. Pikërisht në këtë vorbull marrëdhëniesh përfshihen një sërë qytetarësh shqiptarë si ambasadorë ose ndërmjetës, të cilët kryejnë për Bizantin misione të ndryshme.
Të tillë përmenden fisnikët nga Vlora si; Kanxhaj dhe Sinofet, të cilët duke u bërë edhe qytetarë nderi të Venedikut dhe Raguzës të bëheshin, sipas Pëllumb Xhufit ndërmjetësit në marrëdhëniet e komplikuara që krijoheshin në këtë rajon.
Në faqet e këtij libri autori nga jep të dhëna interesante edhe për qytetin e Vlorës ku përveç bashkësisë së saj një rol aktiv luanin edhe familjet Malagari, Likuda, Sinofi dhe Kanxha. Ndërsa familja Frëngu zotëronte disa ndërtesa në Kështjellën e Kaninës, ku përfaqësuesja e saj Maria do të ishte bashkëpunëtorja e vrasjes së dy personazheve të historisë së kohës: Kostandin Habaronit dhe admiralit Filip Kinardi.
Kështu ai plotëson “pasaportën” e Vlorës mesjetare, duke na dhënë një radiografi të qartë të historisë shqiptare të epokës.
Detaje të tjera interesante janë publikimi i 27 fotografive të Kështjellave, kishave bizantine, monedhave mesjetare, dorëshkrimeve të rralla, fragmenteve arkitektonike, etj.
Autori nuk harron që të paraqesë edhe një fragment të portës së kalasë së Himarës, ku është skalitur shqiponja dykrenore. Diku më tej ai citon faktin që në betejën e Kosovës morën pjesë edhe himarjotët, si pjesë e pandashme e truallit shqiptar.
Më tej flitet edhe për hebrenjtë dhe praninë e tyre edhe gjatë mesjetës në Shqipëri si një element i pandashëm i qytetërimit mesjetar. Ndërsa e vetmja mangësi e librit është se autori Xhufi nuk pasqyron me foto kishën e Shën Marisë së Apolonisë, ku në narteksin e saj ndodhet mbetja e afreskut që paraqet Familjen Perandorake Paleologe, e vetmja e këtij lloji në Shqipëri.
Pëllumb Xhufi nuk lë pa përmendur edhe Epokën Skënderbejane duke vënë atë në funksion të librit. Për këtë ai shfrytëzon mjaft mirë edhe kroniken e Gjon Muzakës dhe një sërë dokumentesh të qëmtuara me kujdes që na zbulojnë situate të caktuara, të cilat në çdo moment e intrigojnë lexuesin dhe e mbajnë atë lidhur pas librit dhe tematikave të shumta që trajtohen në të. Në këtë rast historiani Xhufi nuk shkruan një histori narrative dhe skematike, por ndërton një mozaik historish personale, të cilat nxjerrin më mirë në pah të vërtetat e periudhës para osmane të Ballkanit. Historia e shkruar prej tij nuk është histori e tagentes Berat-Vlorë, por është histori e të gjithë rajonit që përfshihet në të dyja anët e magjistrales Romë-Kostandinopojë, ku autori kombinon të dhënat e arkivave, botimeve dhe bibliotekave me përvojën e shtegtimeve të tij, për të gjetur gjurmët e Paleologëve, Muzakajve dhe të gjithë të tjerëve.