E Shtunë, 31 Tetor 2026

Digjet shkolla e mesme “Gjergj Kastriotit, dyshohet për zjarr-vënie



DURRËS – Flakët e zjarrit kanë përfshirë ndërtesën e shkollës së mesme “Gjergj Kastrioti” në Durrës, ku vatra e saj ka qenë kabineti i trupës pedagogjike. Falë ndërhyrjes së shpejtë të banorëve të zonës përreth dhe zjarrfikësve, është bërë e mundur shuarja e tij brenda orës, ndërkohë që dyshohet për një akt të qëllimshëm zjarr-vënie. Burimet zyrtare të policisë bëjnë të ditur se rreth orës 3.30 të ditës së hënë në ambientet e brendshme të shkollës së mesme “Gjergj Kastrioti”, ka rënë zjarri. Sipas zëdhënëses së policisë, “vatra e tij ka qenë në sallën e mbledhjeve të stafit pedagogjik. Për pasojë, janë djegur salla e mësuesve dhe fasadat e katit të dytë dhe të tretë”, si dhe disa klasa në katin e katërt të ndërtesës. Flakët janë konstatuar menjëherë nga banorët përreth, duke u njoftuar policia. Në vendngjarje kanë mbërritur disa makina të repartit Zjarrfikës dhe ekspertët e një grupi hetimor. Nga verifikimet e para, është konstatuar shkatërrimi dhe djegia totale e sallës së mësuesve si dhe dëme materiale në dy klasat e tjera. Drejtuesit e shkollës kanë pezulluar paraditen e djeshme procesin mësimor. Drejtori i shkollës, Maksim Bonjaku pohon se shkolla nuk kishte roje, gjë që favorizonte hyrjen e personave nga jashtë pa patur asnjë kontroll. Policia e qarkut bën të ditur se po hetohet në dy pista; në atë të vënies me qëllim të zjarrin apo në shkaktimin e zjarrit në mënyrë aksidentale, nga një shkëndije elektrike. Në mjediset e komisariatit janë marrë në pyetje disa nxënës dhe banorë, të cilët janë pyetur për shkaqet e rënies së zjarrit. Duke u bazuar nga vatra e zjarrit, ekspertët dyshojnë se kjo mund të jetë bërë nga ndonjë prej nxënësve të shkollës, në mënyrë që të shkatërrohet e gjithë arkiva e të dhënave për vlerësimet e nxënësve. Ditën e sotme pritet të nisë procesi mësimor normalisht, si ditët e tjera.

27 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›