Vdes aksidentalisht minatori, e zuri masivi i kromit
BULQIZË – Vetëm pak orë pasi është varrosur një minator, një tjetër pritet të shkojë pranë tij. Sërish një tjetër punonjës në minierat e kromit gjeti vdekjen dje pasdite. Burimet zyrtare të policisë së Qarkut të Dibrës bëjnë të ditur se “shtetasi Mehmet Rama është aksidentuar gjatë orëve të pasdites së hënë në minierën e Kromit në Bulqizë. Viktima është nga fshati Gurrë e Matit. Ai po punonte në minierën e kromit të Batrës në Martanesh, kur është shembur masivi i gurtë, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Në lidhje me këtë ngjarje ka nisur menjëherë hetimi, pasi ky është rast i përsëritur brenda pak ditësh. Të paktën 13 minatorë kanë gjetur vdekjen në minierat e kromit të Qarkut të Dibrës brenda më pak se një vit.
Ngjarja
Të hënën pasdite Mehmet Rama ka qenë duke punuar në një nga galeritë e minierës së Batrës, kur para tij është shembur një masiv i tërë kromi. 60-vjeçari Rama nuk ka mundur të largohet. Gurët e kanë zënë poshtë, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Megjithë ndihmën e dhënë nga kolegët që ndodheshin në vendngjarje, ka qenë e pamundur, pasi goditjet kanë qenë vdekjeprurëse. Trupi i tij është dërguar në spitalin e Burrelit dhe më pas në morg. Menjëherë në vendngjarje mbërriti policia, e cila mori të dhënat për rrethanat e aksidentit. Ende nuk bëhen të ditura shkaqet e tij nga grupi hetimor. Ndërkohë që mësohet se janë marrë në pyetje drejtuesit teknik të minierës.
Tragjeditë
Në më pak se 1 vit kanë gjetur vdekjen të paktën 13 minatorë gjatë aksidenteve në punë. Pesë ditë më parë një aksident i tillë ndodhi në mjediset e jashtme të minierës së Bulqizës. Një masiv dheu ka rrëshqitur duke zënë poshtë disa punonjës. Tre minatorë, punonjës të firmës “Çeka” që ushtron aktivitet të licencuar në këtë zonë për nxjerrjen e kromit, kanë qenë duke punuar në zonën tek pusi Nr. 2, kur janë ndodhur përballë aksidentit tragjik. Për pasojë, humbi jetën Nevruz Gjoka, 43 vjeç nga Bulqiza, dhe u plagos Bardhyl Duriçit, 30 vjeç, i cili ndodhet në rrezik për jetën në spital. Ndërsa kolegu i tyre ka marrë plagë të lehta.
Licencat
Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës i ka hequr para pak ditësh licencën firmës "Duriçi 07”, që kishte si aktivitet heqjen e stokut të mineralit pranë Minierës së Bulqizës, ku pesë ditë më parë një punonjës humbi jetën dhe 3 të tjerë u plagosën. Nëpërmjet një deklarate për shtyp në lidhje me këtë ngjarje, METE bën të ditur se, aksidenti ka ndodhur për shkak të mosrespektimit të rregullave të sigurimit teknik. ”Përsa i takon sigurisë teknike në sektorin mineral, Ministria vëren se aksidentet e kohëve të fundit kanë treguar se edhe në minierat e licencuara ka pasur shkelje flagrante të rregullave të sigurimit teknik”, - tha zëdhënësja e METE-s. Sipas të dhënave, deri tani janë rihapur rreth 150 vendburime minerare të mbyllura në ish-minierat e kromit, hekur-nikelit etj. Që nga muaji janar, METE ka ngarkuar shoqëritë "Albminiera", "Albkrom" dhe "Albakër", që të verifikojnë të gjitha punimet e rihapura dhe të vënë në dijeni organet e pushtetit lokal dhe të Policisë për të parandaluar këto aktivitete të paligjshme. Dhënia e të drejtës për shfrytëzime minerare të shumë subjekteve, të paprofilizuara për kryerjen e aktiviteteve të tilla, janë bërë shkas për aksidente tragjike.
c
27 Maj 2008