E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pranga policit të rremë, vodhi celularin e një qytetari



Tiranë – Një polic i rremë është shfaqur në Tiranë madje në mënyrën më origjinale duke iu vjedhur qytetarëve. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3 Tiranë kanë kryer kapjen dhe më pas arrestimin në flagrancë të shtetasit Kudusi Oka, 23 - vjeç, lindur në Kukës dhe banues në Babrru Tiranë. Arrestimi i tij u bë në afërsi të stacionit të trenit në Tiranë, pasi kishte përvetësuar pa të drejtë detyrën e punonjësit të policisë së shtetit, i ka vjedhur më pas një telefon celular tip “Nokia”, një shtetasi. Sipas burimeve ai ka konsumuar veprën penale të “Përvetësimit të titullit apo të detyrës shtetërore” si dhe të veprës penale të “Vjedhjes”. U kryen veprimet procedurale, në cilësinë e provës materiale u sekuestrua telefoni celular. Materialet i kaluan Prokurorisë së Tiranës.

Arrestohet për armëmbajtje pa leje 42-vjeçari nga Yzberishti

Tiranë – Mbante me vete një thikë që plotësonte kushtet e armës së ftohtë, por ka tentuar ta fshehë gjatë kontrollit të policisë. Burime policore thanë për gazetën se u arrestua në flagrancë Bajram Loçka, 42 - vjeç, lindur dhe banues në Yrshek Tiranë, i dënuar më parë për “Drejtim të mjetit në gjendje të dehur”. Kapja e tij u krye sepse dje rreth orës 01:30, është kapur në flagrancë në fshatin Yzberisht, në momentin që po tentonte të hidhte në tokë një armë të ftohte (thikë). Më pas gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij, u gjetën dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale një armë zjarri pushkë si edhe 18 fishekë. U kryen veprimet procedurale, materialet i kaluan Prokurorisë së Tiranës, për veprat penale të “Mbajtjes pa leje të armëve luftarake e municioneve” si dhe “Mbajtjes pa leje të armëve të ftohta”, parashikuar nga nenet 278/2/ 3 dhe 279 të Kodit Penal.

Ngiste makinën në gjendje të dehur, aksidentoi një shtetas

Tiranë – Aksidentoi rëndë një shtetas, ndalohet nga policia. Burime nga uniformat blu thanë për gazetën se u bë arrestimi në flagrancë nga specialistët e seksionit të hetimit të aksidenteve rrugore, Artan Ndoci, 32 - vjeç, lindur ne Pukë dhe banues në Tiranë. Arrestimi i tij u krye sepse dy ditë më parë duke qarkulluar në kthesën e Valiasit, pranë fabrikës së tullave, me automjetin tip - Audi, me targa të huaja, ka aksidentuar këmbësorin Fran Gjergji, 22 - vjeç, banues në Kamëz, i cili ndodhet në Spitalin Ushtarak Tiranë në gjendje të rëndë shëndetësore. U kryen veprimet procedurale nga grupi hetimor, ku rezultoi se shkak i këtij aksidenti ka qenë humbja e kontrollit në drejtim të automjetit si dhe përdorimi i pijeve alkoolike. Materialet i kaluan Prokurorisë për veprat penale të “Shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor” si dhe të “Drejtimit të automjetit në gjendje të dehur”.

27 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›