Aurora Thomollari
Rinis lufta PS-LSI për “vjedhjen” e anëtarësisë
Vasili: 1700 socialistë presin të vijnë tek ne
Rinisin përplasjet mes Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim, për t’i marrë sa më shumë anëtarë njëra-tjetrës. LSI e Beratit pësoi dje një tronditje, pasi kryetari aktual i kësaj partie në Berat, Roland Bejko, deklaroi largimin nga kjo parti, duke iu bashkuar më vonë Partisë Socialiste. Lajmi u konfirmua nga vetë Bejko, i cili pohoi se bashkë me të kanë lënë teserën edhe 220 anëtarë të tjerë nga Berati dhe nga Ura Vajgurore. Bashkimi me PS-në nuk është artikuluar qartë nga Bejko, po ai bëri të ditur se këta 220 anëtarë do të angazhohen më tej në politikë. Largimi i Bejkos vjen në prag të zgjedhjeve që do të zhvillohen në këtë degë ditën e shtunë, me parimin “një anëtar, një votë”, ku Bejko nuk rezulton të jetë kandidat. Sipas vendimit të kryesisë së LSI të pak ditëve më parë, kandidatë janë z. Tomorr Kapllani, bankier në një nga filialet e bankave më të njohura të vendit, si dhe mjeku Leka Papa. Bejko është shprehur se një vendim i tillë vjen pasi zhvillimet e fundit brenda kampit të LSI nuk janë aspak koherente, ndërsa ka nisur një gjueti ndaj njerëzve me kontribute në LSI, vetëm e vetëm se paraqesin mendimin ndryshe. “Shikojmë se përkushtimit dhe idealizmit tonë iu hodh baltë pa asnjë shkak apo motiv madhor. Shikojmë që brenda radhëve të LSI, si në qendër dhe në bazë, dominon herë pas herë mllefi, inati dhe aspak tolerancë për zhvillimet e ndryshme politike, shikojmë shkelje të statutit në përzgjedhjen e kandidaturave në çdo nivel, ku strukturat e LSI në bazë luajnë thjesht rolin e manekinit, gjë që tregon për një pseudodemokraci të brendshme”, - tha Bejko.
Reagimi
Menjëherë pasi Bejko nga Berati deklaroi largimin nga LSI, reagoi sekretari i Përgjithshëm i kësaj partie, Petrit Vasili. Duke konsideruar se filozofia e politikës së re është matrapazllëku, ai tha se vetëm pas 21 prillit, LSI ka pasur 1700 kërkesa nga anëtarët të PS-së, që duan të bëhen pjesë e kësaj partie, madje ai bëri të ditur se në vjeshtë LSI do të zhvillojë një takim me anëtarë të PS-së që janë anëtarësuar gjatë kësaj kohë tek LSI. “LSI pavarësisht se pas 21 prillit i kanë ardhur mbi 1700 kërkesa për anëtarësim nga ish-anëtarë të PS-së, pas shitjes së Kushtetutës tek Berisha, nuk ka dashur ta bëjë publike këtë edhe pse ka ndërmjet tyre edhe shumë personalitete themeluese e me kontribute të shquara në PS”, - deklaroi Vasili. Dy ditë më parë, këshilltarët e LSI në Berat, Lonik Cuedari, Luan Buba dhe Zana Ago denoncuan, sipas tyre, përpjekjet e kryetarit të Partisë Socialiste në Berat, Selman Hodo, “për të blerë me oferta të ndyra dhe duke ofruar favore personale e deri edhe para, që këta këshilltare të LSI të bëheshin pjesë e një skenari kundër LSI në Berat, e cila është në procesin e përgatitjeve të zgjedhjeve që do të mbahen të shtunën sipas parimit “Një anëtar, një votë”. Kalimi i anëtarëve nga LSI te PS dhe anasjelltas është një dukuri që është përsëritur shpesh që me ndarjen e LSI nga PS në 2004. Kryesisht figurat që lihen mënjanë nga PS shkojnë te LSI dhe anasjelltas nga LSI te PS. Ajo çfarë nuk ndryshon është se gjithsesi ky elektorat lëvizës mbetet brenda së majtës.
Rama, shtëpi në Burrel për disa orë gjumë
Për disa orë gjumë në një fshat të Burrelit, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ia ka lejuar vetes rregullimin e shtëpisë dhe arredimin e saj me mobilie komode, për të qenë sa më i qetë. Kjo, natyrisht që i ka kushtuar kryesocialistit, i cili duket se kur vjen fjala për shtëpi në fshat dhe me pamje të bukura piktoreske, nuk nguron fare të shpenzojë. Janë të njohura shijet e kreut socialist për vendbanime të veçanta, meqë herë pas herë banon në një shtëpi që nuk është në kryeqytet, por në fshatin Pezë, afër Tiranës. Mobilimi i kësaj shtëpie ku Rama do flejë vetëm një natë ndodhet në fshatin Xibër të Burrelit, kur prej disa ditësh kanë nisur punimet për ta bërë shtëpinë sa më komode. Vizita në Xibër do të jetë në kuadër të turit “Dialog me Shqipërinë”, i cili zgjat prej afro tetë muajsh. Ky tur i ka kushtuar kreut të PS mijëra kilometra rrugë me makinë, por dhe me këmbë dhe shumë net larg shtëpisë. Ndërsa nuk dihet ende se çfarë kosto financiare ka ky tur, që herë pas herë është financuar nga deputetë të PS-së, të njohur edhe si biznesmenë.
Kodheli: Në PS, me mijëra anëtarë të LSI-së
Partia Socialiste, përmes zëdhënëses së saj, Mimi Kodheli, u përgjigj në orët e vona të pasdites, pas deklaratave të sekretarit të Përgjithshëm të LSI, Petrit Vasili, për përplasjet në Berat. Edhe Kodheli konfirmoi se PS ka me “mijëra motra e vëllezër të familjes progresiste në të gjithë Shqipërinë që kanë ardhur nga LSI në PSSH, gjatë këtyre muajve me vullnetin e tyre të lirë, por në asnjë rast ne nuk e kemi kthyer ardhjen e tyre në një shfaqje mediatike apo në një njoftim për shtyp”. Ajo shprehu keqardhjen që miku i PS-së, Ilir Meta, nuk e ka kuptuar ende se politikës së vjetër i ka ikur koha. “Është vërtet gjynah që miku ynë Ilir Meta s’po e kupton akoma që politikës së shpifjeve i ka ikur koha dhe se duke u bashkuar me PS, njerëzit bashkohen me të ardhmen për të dalë nga bataku i së shkuarës, ku ai po zhytet përditë”, - përfundoi Kodheli.
Omari dhe Ibrahimi, në mbrojtje të Topit
Dy konstitucionalistët, Luan Omari dhe Genc Ibrahimi, kanë dalë në mbrojtje të qëndrimit të mbajtur nga Presidenti Topi për çështjen e dekreteve për Gjykatën e Lartë që u rrëzuan në Kuvend. Për Luan Omarin, pavarësia e gjyqësorit është cenuar nga Kuvendi, duke shtuar se konsultimi i Presidentit me Kuvendin nuk është i detyrueshëm. “Konsultimi i presupozuar nuk është një detyrim i Presidentit. Kjo është një praktikë e ndjekur nga ish-Presidenti Meidani, por që nuk është ndjekur në asnjë rast nga Presidenti i mëpasshëm, Moisiu. Njëlloj si Moisiu bëri edhe Presidenti Topi, duke ndjekur po të njëjtën procedurë. Është skandaloze që gjyqtari i parë që përfaqësonte Shqipërinë me sukses në Gjykatën e Strasburgut, kthehet këtu dhe gjykohet politikisht nga mazhoranca”, - tha Omari. Zërit të Omarit iu bashkua edhe drejtori i Institutit për Studime Publike dhe Ligjore, z. Gent Ibrahimi. Ai tha se kjo që ndodhi me dekretet e Presidentit të Republikës, cenon pavarësinë e sistemit gjyqësor. Ibrahimi shtoi se Kushtetuta dhe as vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk e cilëson si të detyrueshme konsultimin e Presidentit me Kuvendin. “Gjykimi i Kuvendit është politik dhe si i tillë, mazhoranca duhet të përgjigjet për vendimet e gabuara”, - deklaroi ai. Zv.avokati i Shtetit në Mbretërinë e Spanjës, z. Manuel Ribero, deklaroi se kombinimi i mekanizmave të brendshëm dhe të jashtëm do të do të garantonte deri në një farë mase pavarësinë e sistemit gjyqësor, duke shtuar se zakonisht ekzekutivi bën shpesh përpjekje që të ndërhyjë në pushtetin gjyqësor. Në tryezë ishin të pranishëm edhe kreu i FGS-së, Saimir Tahiri, deputetët Fatmir Xhafa dhe Arben Isaraj etj.
Ish-kryeprokurori Sollaku: Topi gaboi
Ish-kryeprokurori Theodhori Sollaku mendon se Presidenti Topi nuk është treguar transparent në përzgjedhjen e kandidaturave për anëtarë të Gjykatës së Lartë. Madje, ai kritikon firmosësin e shkarkimit të tij, duke theksuar se konsultimi i Presidentit me Kuvendin është një procedurë që duhej ndjekur nga Presidenti. Ish-kryeprokurori theu heshtjen mbi këtë çështje. Pavarësisht se është munduar që të mos mbajë anën e asnjërës palë, duket se kritikat ishin më të ashpra ndaj Presidentit Topi, i cili disa muaj më parë pranoi shkarkimin e tij si Prokuror të Përgjithshëm. “Transparenca i ka munguar jo vetëm Kuvendit, por edhe procedurës vendimmarrëse të Presidentit. U bënë akuza që disa nga kandidatët janë mbështetur nga krimi i organizuar, ndërkohë askush nuk u mundua të bënte transparencë, as Presidenti dhe as Kuvendi. Sot Gjykata e Lartë është me mangësi të thella për të kryer detyrën e saj në mënyrë normale”, - thekson ish-kreu i akuzës. “Pikërisht ky fakt, pikërisht për të mos lejuar që të kemi të paralizuar institucione të tilla kaq të rëndësishme, na bën të gjykojmë se konsultimi i Presidentit me Kuvendin është një procedurë që duhet ndjekur”, - tha Sollaku, gjatë një tryezë të organizuar nga FGS, me temë “Sfidat e reformës në sistemin gjyqësor shqiptar”.