E Shtunë, 31 Tetor 2026

shkurt: politike

Basha në Uganda në takimin e vendeve islamike

Ministri i Punëve të Jashtme, z. Lulzim Basha, do të kryesojë delegacionin zyrtar të vendit tonë, i cili do të marrë pjesë në punimet e Konferencës së 35-të të Ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve anëtare të Organizatës së Konferencës Islamike, që zhvillohet në Kampala, Uganda, më 18 deri 20 qershor 2008. Ministria e Jashtme bëri të ditur këtë fakt dhe sqaron se gjatë qëndrimit të tij në Uganda, ministri i Punëve të Jashtme, z. Basha, do të mbajë një fjalë në seancën plenare të Konferencës. Gjithashtu, ai do të takojë edhe mjaft homologë të tij. Në qendër të bisedimeve zyrtare do të jenë çështje të marrëdhënieve dypalëshe, me fokus të veçantë bashkëpunimin ekonomik si dhe lobingu për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga vendet anëtare të OKI-së.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi do të pritet në Tiranë me të gjitha nderimet që i takojnë kreut të një shteti mik. Ai mbërrin sot në kryeqytetin shqiptar dhe do të zhvillojë një vizitë dyditore në vend, vizitë kjo e para pas ardhjes në pushtet si Kryeministër i Kosovës dhe vizita e parë e një Kryeministri kosovar pas shpalljes së pavarësisë së saj. Sipas axhendës së shpërndarë dje nga Kryeministria, mësohet se Thaçi përveç takimeve me krerët më të lartë të shtetit dhe të opozitës, do të nderohet dhe me çmimin “Qytetar nderi” i qytetit të Vlorës. Sipas njoftimit të Kryeministrisë, Kryeministri Thaçi do të vendosë një kurorë në monumentin “Pavarësia”, i ndërtuar në qendër të Vlorës. Ai do të shoqërohet nga kryetari i bashkisë, prefekti dhe deputetë të zonës dhe më pas do të zhvillohet ceremonia e dorëzimit të titullit “Qytetar nderi”. Një pllakatë e njëjtë do të përurohet dhe në Durrës. Gjatë qëndrimit në Shqipëri, Thaçi do të pritet fillimisht nga homologu i tij, Kryeministri Berisha, me të cilin do të ketë dhe një takim kokë më kokë e do të firmosë disa marrëveshje mes dy vendeve. Ai do të mbajë gjithashtu një fjalë para Parlamentit shqiptar dhe më pas do të takohet me Presidentin e Republikës, Bamir Topi.

PDK: Berisha po shkel marrëveshjen, të shkarkojë Gurakuqin

Partia Demokristiane i ka kërkuar përsëri Kryeministrit Sali Berisha që të shkarkojë nga detyra e zv.ministrit, Anton Gurakuqin. “Në emër të grupit parlamentar dhe të kryesisë, apelojmë PD-në të respektojë marrëveshjen e nënshkruar më PDK-në. Ndaj, ne vlerësojmë se është e papranueshme, që në kundërshtim të hapur me marrëveshjen politike, vazhdon të mbahet në postin e zëvendësministrit të Jashtëm një shtetas që është proceduar penalisht nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor në Tiranë për falsifikim dokumentesh dhe mashtrime”, - thuhet në deklaratën e djeshme të Ndue Shpanit, kryetar i grupit parlamentar të partisë së kryesuar nga Nard Ndoka. Më tej ai shprehet se “Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë, në bazë të kallëzimeve penale dhe materialeve shtesë të administruara nga kjo Prokurori, me datën 12.6.2008, ka regjistruar procedimin penal nr. 1978 ndaj shtetasit Anton Gurakuqi për veprën penale të “Falsifikimit të dokumenteve”, parashikuar nga neni 186 i Kodit Penal. Në listat e depozituara në gjykatë nga ky shtetas për të legjitimuar të ashtuquajturin Kongres të Jashtëzakonshëm, figuron edhe emri i një shtetasi nga Gjirokastra, i cili prej vitesh vuan dënimin në një burg në Greqi, ndërsa në Prokurori janë depozituar me dhjetëra deklarata të noterizuara që akuzojnë Anton Gurakuqin se ka falsifikuar firmat dhe shkrimin e tyre”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›