Qeveria miraton fondin fizik për kompensimin e ish-pronarëve
Qeveria vendosi dje krijimin e fondit fizik
Përcaktohen tokat, objektet dhe livadhet e para
Qeveria ka miratuar ditën e djeshme krijimin e fondit fizik të pronave që do të përdoret për kompensimin e ish-pronarëve. Ministria e Ekonomisë ka dërguar në qeveri të gjithë fondin e parë, i cili përbëhet nga toka bujqësore, livadhe dhe kullota, si dhe objekte shtetërore që nuk janë në përdorim. Me hapjen e këtij fondi, pritet të miratohet edhe procedura për ndarjen e këtyre pasurive për ish-pronarët. Këtë muaj do të ndahet edhe kompensimi financiar prej 5 milionë dollarësh për ish-pronarët deri në 20 metra truall. Fondi i krijuar nga qeveria do të administrohet nga Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, e cila do të hartojë edhe metodikën për ndarjen e tij. Çdo pasuri e dhënë nga kjo agjenci, do të verifikohet nga Ministria e Drejtësisë, e cila do të dërgojë edhe vendimin për t’u miratuar nga Këshilli i Ministrave.
Toka bujqësore
Qeveria përcaktoi ditën e djeshme se në fondin e kompensimit fizik, AKKP-ja do të ketë në një fond me sipërfaqe 17 335 hektarë tokë bujqësore të ish-NB-ve dhe institucioneve kërkimore të Ministrisë së Bujqësisë. Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, pasi bën verifikimin përfundimtar të pronësisë së truallit për fondin e tokës, shikon se kur ka përfunduar procesi i regjistrimit fillestar si dhe ku nuk është kryer regjistrimi fillestar. Pas verifikimit përfundimtar të bërë nga AKKP-ja, pronat të cilat rezultojnë me njohje apo kthim pronësie, zbriten nga fondi i mësipërm.
Pyjet dhe kullotat
Sipas vendimit të djeshëm të qeverisë, në fondin e kompensimit fizik, AKKP-ja do të ketë në një fond me sipërfaqe prej 72 891 hektarë pyje dhe kullota, i cili ka kaluar ose është në procedurën e kalimit në përdorim të organeve të pushtetit vendor, deri në momentin e hyrjes në fuqi të këtij vendimi. Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave pasi bën verifikimin përfundimtar të pronësisë së këtyre pyjeve dhe kullotave, e përdor atë për kompensimin e ish-pronarëve, sipas mënyrës që përcakton ligji. Në rast se pas verifikimit përfundimtar të bërë nga AKKP-ja, pronat të cilat rezultojnë me njohje apo kthim pronësie, zbriten nga fondi i mësipërm.
Objektet
Vendimi i qeverisë ka vendosur në ngarkim të Agjencisë së Pronave edhe 29 objekte në të gjithë vendin, të cilat do të përdoren për kompensim të ish-pronarëve. Këto objekte janë jofunksionale dhe jashtë ankandeve të Ministrisë së Financave për t’u shitur. Objektet në fjalë nuk përdoren aktualisht. Sipas listës së miratuar dje, objektet janë kryesisht magazina të vjetra që janë përdorur në sistemin komunist si dhe depo grumbullimi materialesh. Nuk mungojnë edhe ndërtesa për qëllime të tjera, si thertore mishi. Objektet do të kalojnë direkt në dorën e ish-pronarëve.
Vendndodhja e pronave
Toka bujqësore
Berat 1 487 ha
Dibër 1 516 ha
Durrës 320 ha
Elbasan 2 280 ha
Fier 3 063 ha
Gjirokastër 816 ha
Korçë 1 779 ha
Kukës 208 ha
Lezhë 473 ha
Shkodër 1 610 ha
Tiranë 1 029 ha
Vlorë 3 131 ha
Gjithsej 17 335 ha
Pyjet dhe kullotat
Berat 10 500 ha
Elbasan 6 500 ha
Fier 3 000 ha
Gjirokastër 14 300 ha
Kukës 29 000 ha
Shkodër 1 720 ha
Tiranë 2 298 ha
Vlorë 4 000 ha
Gjithsej 72 891 ha
Objekte
Ish-depo
Ish-magazina
Ish-thertore
Ndërtesa jofunksionale
Gjithsej 29 objekte