E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria rrit 5 për qind pensionet suplementare



Përfitojnë ushtarakët, policët dhe SHISH

Qeveria, 100 milionë lekë për pensionet suplementare

Ushtarakët, punonjësit e Forcave të Rendit dhe Shërbimit Informativ Shtetëror përfitojnë një rritje prej 5 për qind të pensioneve suplementare. Nga ky vendim përfitojnë rreth 22.600 ish-ushtarakë të Forcave të Armatosura, pilotë fluturues, detarë të nëndetëseve, ish-ushtarakë të Ministrisë së Rendit, minatorë nën trajtim të veçantë dhe punonjës të industrisë ushtarake. Efektet financiare nga zbatimi i këtij vendimi parashikohen 100 milionë lekë që do të përballohen nga buxheti i sigurimeve suplementare të parashikuara për vitin 2008. Trajtimi i veçantë financiar i pilotëve fluturues, në pension, të rritet në masën 5 për qind. Sipas vendimit të djeshëm të qeverisë, trajtimi i veçantë financiar i efektivave, oficerë dhe nënoficerë, lundrues, të nëndetëseve dhe polumbarëve të Forcave Detare, në pension, të rritet në masën 5 për qind. Kurse i punonjësve, që kanë punuar në miniera, në nëntokë, të rritet në masën 5 për qind. Nga vendimi, trajtim të veçantë përfitojnë dhe punonjësit e disa ndërmarrjeve ushtarake, në masën 5 për qind. Sipas relacionit të ministrit të Financave, pas rritjes që propozohet për pensionet suplementare një pension maksimal për vjetërsi shërbimi arrin në 18.165 lekë në muaj, një pension maksimal rreth 9000 lekë në muaj, trajtim i veçantë për ish minatorët 6.400 lekë në muaj, ndërsa për ish-punonjësit e industrisë ushtarake rreth 10.800 lekë në muaj. Edhe pas kësaj rritjeje, këta persona krahas të ardhurave nga pensioni do të vazhdojnë të marrin të ardhura të tjera që jepen me vendime të veçanta të Këshillit të Ministrave nga sigurimet e detyrueshme shoqërore. Nga ky vendim parashikohet të përfitojnë 13.300 ushtarakë të Forcave të Armatosura, 240 pilotë fluturues dhe 125 detarë të nëndetëseve, 3.660 ish-ushtarakë të Ministrisë së Rendit, Shërbimit Informativ dhe të Policisë së Shtetit, 4.500 minatorë nën trajtim të veçantë dhe 850 punonjës të industrisë ushtarake. Efektet financiare, për vitin 2008, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, llogariten në shumën 100 (njëqind) milionë lekë, dhe do të përballohen nga buxheti i këtij viti, miratuar për Institutin e Sigurimeve Shoqërore.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›