E Diel, 1 Nëntor 2026

Refuzimi i dekreteve, Topi: Një ekzekutim politik

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, përdor fjalën “kini durim” si kundërvënie ndaj mazhorancës, pas refuzimit që iu bënë në Kuvend 5 dekreteve për anëtarë të Gjykatës së Lartë. Duke e përdorur në formën e një paralajmërimi, kreu i shtetit akuzoi PD-në se rrëzimi në Kuvend ishte një ekzekutim politik. Përmes mediave, Topi shpjegoi se kandidaturat ishin zgjedhur prej tij me kujdes, por duke vënë në dukje faktin se rrëzimi i Topit nuk përbën shkelje të Kushtetutës. Megjithatë, Presidenti i Republikës nuk hezitoi që rrëzimin e emrave të propozuar prej tij, ta konsiderojë si “një ekzekutim politik”. Ai pohoi se kishte zhvilluar konsultime për kandidaturat me institucionet, të cilat mund të japin të dhëna për karrierën dhe integritetin e këtyre personave. Sipas tij, "një pozicionim i institucioneve specifike që merren me supervizionin e ligjshmërisë mbi institucionet e drejtësisë shqiptare, i kanë dhënë plotësisht të drejtë pozicionit kushtetues të Presidentit. Z. Topi mori në mbrojtje emrat e propozuar prej tij, duke nxjerrë në pah faktin se nuk ka pritur refuzimin e një gjyqtari që ka punuar 9 vjet në Strasburg, apo rrëzimin me votë nga e djathta, të një ish të përndjekuri politik. Sipas tij, refuzimi është një luks i madh për Kuvendin. "Ky është një ekzekutim politik, sepse këto kandidatura janë zgjedhur me shumë kujdes, janë zgjedhur mbi bazën e konsultimeve të gjera të CV-ve të tyre, por edhe me institucionet, të cilat mund të japin të dhëna për karrierën dhe integritetin e këtyre personave. Të rrëzosh një gjyqtar që ka qenë 9 vjet në Strasburg është një luks shumë i madh për Kuvendin. Po ashtu është rrëzuar edhe kandidatura që mbështetet nga ish-të përndjekurit", - u shpreh Topi. Duke iu referuar debatit për procedurat e zgjedhura prej tij, për anëtarët e Gjykatës Kushtetuese Presidenti tha se “votimi duhet të konsiderohet jo në mënyrë paradoksale, por duhet të konsiderohet si një fitore e demokracisë”. Sepse, argumentoi Topi, për një muaj rresht është diskutuar për antikushtetueshmërinë e dekreteve të Presidentit, për paligjshmërinë e këtyre dekreteve dhe fakti që u futën në procedurën e votimit sipas Kushtetutës, tregon që edhe palët që e kontestonin u ndërgjegjësuan që kjo procedurë ishte kushtetuese. Këtë qëndrim, Presidenti Topi e shprehu dje gjatë një takimi për zgjedhjen e këshillit të prokurorëve, të cilëve u kërkoi të mos zhvillojnë hetime post mortum dhe post factum, por t'i paraprijnë luftës ndaj krimit të organizuar.

Dekretet, Topi thërret ambasadorët Uithers dhe Lohan

Një ditë pas rrëzimit në Kuvend të 5 dekreteve të tij për anëtarë të Gjykatës së Lartë, kryetari i shtetit, Bamir Topi, thirri dje në zyrë ambasadorin e SHBA-së dhe atë të Komisionit Evropian. Biseda e diplomatëve, Xhon Uithers dhe Helmut Lohan me Presidentin u zhvillua pasdreke dhe pa praninë e mediave. Takimi u bë në Presidencë pak çaste pasi Topi iu përgjigj interesimit të mediave në lidhje me rrëzimin në Parlament të dekreteve të tij për anëtarët e Gjykatës së Lartë. I pari, ambasadori Lohan mbërriti në Presidencë rreth orës 13:00, për të qëndruar aty për rreth 30 minuta. Megjithëse takimet nuk ishin njoftuar për mediat, Presidenca publikoi në faqen e saj të internetit foto të takimit. Pas daljes se ambasadorit Lohan, pak minuta më vonë, në orën 14:00, mbërriti ambasadori amerikan Uithers. Deri në orën 14:50 ambasadori amerikan Uithers ishte në Presidencë, në takim kokë me kokë me Presidentin. Edhe pak ditë para votimit në Kuvend, Presidenti zhvilloi takime me po këta dy diplomatë, të cilët vlerësuan punën e z. Topi për ruajtjen e pavarësisë së institucioneve në vend.

Oketa, De Marnhac: KFOR, kontribut për sigurinë në Kosovë

Shqipëria vlerëson kontributin e KFOR-it për sigurinë në Kosovë. Ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa, takoi dje komandantin e KFOR-it, gjeneral lejtnant Xavier Bout De Marnhac, i cili ndodhet në Tiranë për një vizitë njëditore. Vizita e komandantit të KFOR-it në Tiranë zhvillohet në kuadër të konfirmimit të marrëdhënieve shumë të mira midis KFOR-it dhe Forcave tona të Armatosura, si dhe për të diskutuar rreth situatës aktuale në Kosovë dhe në rajonin tonë. Gjatë bisedës u fol edhe mbi kontributin që kanë dhënë dhe rëndësinë që kanë trupat e KFOR-it në Kosovë. “Stabiliteti dhe siguria e Kosovës do të sjellë edhe stabilitet ekonomik dhe zhvillim në të gjitha fushat e tjera”. Shqipëria dhe Forcat e saj të Armatosura, u shpreh ai, po punojnë edhe më shumë që në samitin e ardhshëm të jemi pjesëtarë me të drejta të plota në NATO. Nga ana e tij Komandanti i KFOR-it, gjeneral lejtnant De Marnhac, e vlerësoi si shumë të rëndësishëm vendimin që u mor në takimin e fundit të ministrave të Mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO-s në Bruksel, për përgjegjësi të reja të KFOR-it dhe vazhdimin e misionit të tij në Kosovë. “Forcat e KFOR-it kanë kontribuar shumë për sigurinë e Kosovës dhe kjo siguri është e nevojshme jo vetëm për të, por edhe për të gjithë rajonin, sepse kjo është një çështje shumë e rëndësishme edhe për vetë NATO-n”, - u shpreh ai.

Berisha: Edhe australianët duan të investojnë në Shqipëri

Edhe austriakët shprehin interesim për të investuar në Shqipëri. Kjo iu bë dje e ditur Kryeministrit Sali Berisha gjatë takimit që zhvilloi me ambasadorin e Australisë për Shqipërinë, z. Jeremy Roger Newman, me rezidencë në Athinë, me rastin e emërimit të tij në këtë detyrë. Kryeministri Berisha i shprehu ambasadorit vullnetin dhe angazhimin e qeverisë shqiptare, për të forcuar marrëdhëniet shumë të mira politike që ekzistojnë mes dy vendeve dhe për të rritur bashkëpunimin dypalësh në të gjitha fushat. Ambasadori australian, pasi shprehu falënderimet e tij më të mira për pritjen, i transmetoi Kryeministrit Berisha përshëndetjet e përzemërta të Kryeministrit australian, Kevin Rudd, dhe i shprehu gatishmërinë e qeverisë australiane për të intensifikuar kontaktet në nivelet më të larta politike, si dhe për të zgjeruar dhe thelluar bashkëpunimin dypalësh në të gjitha fushat. Ambasadori Newman theksoi se dy vendet ndajnë pikëpamje të njëjta për zhvillimet rajonale dhe globale dhe njohja e shtetit të Kosovës nga Australia i shërben stabilitetit dhe sigurisë në rajon. Të dy personalitetet u shprehën për intensifikimin e marrëdhënieve ekonomike e tregtare dypalëshe. Ambasadori australian vlerësoi ndryshimet e mëdha që kanë ndodhur në Shqipëri kohëve të fundit dhe e njohu Kryeministrin Berisha me interesin e madh të biznesit australian për të investuar në Shqipëri. Kryeministri Berisha e siguroi ambasadorin Newman se qeveria shqiptare do t’u japë këtyre investitorëve mbështetje të plotë dhe i prezantoi atij reformat më të rëndësishme që ka ndërmarrë qeveria shqiptare për sa i përket klimës së favorshme për investitorët e huaj në vend.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›