E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria rrit pensionet



Rritje 15 për qind dhe 10 për qind

Ja kategoritë që përfitojnë

Qeveria zbardh paketën e rritjes së pensioneve në fshat dhe qytet, ndërsa publikon kategoritë që përfitojnë nga ky vendim. Paketa përfshin kategoritë, me pensione pleqërie, familjare, invaliditeti, si dhe të gjitha familjet me ndihmë ekonomike. Rritja që bëhet tejkalon ndikimin e rritjes së çmimeve dhe, përveç këtij indeksimi, shënon një rritje reale në të ardhurat minimale, mesatare dhe maksimale të pensionistëve në fshat dhe qytet. Kryeministri Sali Berisha njoftoi dje gjatë mbledhjes së Këshillit të Ministrave, vendimin për pensionet, që hyn në fuqi në datën 1 korrik 2008. Berisha informoi para kabinetit qeveritar se rritja në masën 10 për qind, bëhet për pensionet e plota, të pjesshme dhe të parakohshme, të pleqërisë, të pensioneve për merita të veçanta dhe për vjetërsi shërbimi, pensioneve të invaliditetit dhe pensioneve familjare. Nga kjo masë rritjeje përfitojnë pensionet e posaçme shtetërore dhe të shtresave të pensioneve të posaçme shtetërore. Rritjen, në masën 15 për qind, e përfitojnë në bazë të këtij vendimi pensionet e plota dhe të pjesshme, të pleqërisë, të pensioneve të invaliditetit dhe pensioneve familjare. Sipas relacionit të ministrit të Financave, zbatimi i këtij vendimi, për pensionistët e qytetit, do të bëhet i kombinuar me politikat në fushën e të ardhurave të pensionistëve. Kështu parashikohet që pensionistët që përfitojnë pension pleqërie, pension invaliditeti dhe pensione familjare, shtetërore dhe pas rritjes së pensionit me 10 për qind, do të vazhdojnë të marrin kompensimin e të ardhurave në atë masë, 500 lekë në muaj, sipas vendimit të qeverisë “Për kompensimin e të ardhurave mujore të pensionistëve” dhe deri në 760 lekë në muaj po sipas këtij vendimi. Numri i përfituesve të pensioneve të fshatit është 369.4 mijë lekë. Nisur nga strategjia për barazimin gradual të masës së pensionit të fshatit me atë të qytetit, në këtë projektvendim është parashikuar që të gjithë kategoritë e pensioneve të fshatit, të cilat janë caktuar sipas ligjit “Për pensionet e anëtarëve të kooperativave bujqësore”, dhe ato të caktuara “Për sigurimet shoqërore” rriten në masën 15 për qind, pavarësisht se kanë përfituar kompensim të të ardhurave sipas vendimit të Këshillit të Ministrave “Për kompensimin e të ardhurave të pensionistëve të fshatit”, i cili do të vazhdojë të jetë pjesë e të ardhurave të pensionistëve edhe në vazhdim. Numri i përfituesve të pensionistëve të fshatit është 158 mijë vetë. Efektet financiare të kësaj rritjeje, sipas ministrit të financave, dërgojnë në buxhetin familjar 2668 milionë lekë me shumë se një vit më parë. Ndërsa numri i përfituesve është rreth 527 mijë persona. Pas kësaj rritjeje, të ardhurat minimale për personat që marrin pension të plotë shteti, nuk do të jenë më pak se 11.275 lekë në muaj, ndërsa për pensionet e plota minimale të fshatit, jo më pak se 6.090 lekë në muaj. E gjithë kjo rritje, - tha Kryeministri, - po shënon rritje reale të të ardhurave minimale, mesatare dhe maksimale të pensioneve. “Vendimi realizon gjithashtu rritjen e të ardhurave edhe për personat me aftësi të kufizuar, për personat paraplegjikë dhe tetrapelgjikë, për pagesat e kujdestarisë, të naftës dhe të paketës hijeno-sanitare për këtë kategori”, - deklaroi z. Berisha. Duke e konsideruar si rritjen më të madhe të pensioneve dhe ndihmës ekonomike të realizuar ndonjëherë, Kryeministri Berisha theksoi se ky vendim u bë i mundur në sajë të luftës kundër korrupsionit dhe rritjes së të ardhurave, që këtë vit rriten me 1.2 miliard dollarë. “Qeveria shqiptare, - tha Kryeministri, - nuk ka ndërmarrë kurrë ndonjëherë një rritje kaq të fuqishme të pensioneve të të gjitha kategorive, të ndihmës ekonomike dhe të pagesave të tjera, të kujdestarisë, të naftës, të paketës higjieno-sanitare etj. Sipas z. Berisha, kjo është bërë e mundur para së gjithash për shkak të luftës kundër korrupsionit, të disiplinës fiskale të bazuar në ligj. “Kjo është bërë e mundur gjithashtu për shkak të rritjes së ndjeshme të të ardhurave. Këtë vit të ardhurat rriten me 1.2 miliard dollarë, pavarësisht nga ulja dramatike e taksave”, - u shpreh z. Berisha.

Detaj

1 korrik është data kur do të hyjë në fuqi rritja e pensioneve e vendosur dje nga qeveria

Nuk ndërpritet përfitimi nga kompensimi i bukës dhe energjisë

Në projektvendimin e qeverisë përcaktohet qartë dhe masa e kompensimit të rritjes së çmimit të bukës, dhe asaj të energjisë elektrike. Sipas raportit vlerësues të ministrit të Financave, Ridvan Bode, pas rritjes që propozohet për pensionet e qytetit në masën 10 për qind, pensioni i plotë minimal i pleqërisë nuk mund të jetë më pak se 9.515 lekë në muaj. Nga ana tjetër, mbështetur në vendimin “Për sigurimet shoqërore”, pensioni maksimal nuk mund të jetë më shumë se dyfishi i pensionit bazë ose jo më shumë se 19.030 mijë lekë. Edhe pas kësaj rritjeje, pensionisti krahas të ardhurave nga pensioni do të vazhdojë të marrë të ardhura të tjera, që jepen me vendime të veçanta të Këshillit të Ministrave si 150 lekë në muaj si kompensim për diferencën e çmimit të bukës, 350 lekë në muaj si kompensim për energjinë elektrike dhe 414 lekë në muaj për çdo pjesëtar të familjes që është në varësi ekonomike. Gjithashtu, do të vazhdojë të përfitojë nga politikat e kompensimit të pensioneve sipas dy vendimeve të qeverisë për 500 deri në 760 lekë në muaj. Në të njëjtën kohë, pas rritjes që propozohet në masën 15 për qind, pensionet e plota minimale të fshatit nuk mund të jenë më të ulëta se 5.200 lekë në muaj. Ky pension tashmë bëhet sa 55 për qind e atij të qytetit. Ndërsa personat që kanë paguar kontribute si të vetëpunësuar në bujqësi përfitojnë një pension 6.910 lekë ose 72.6 për qind të pensionit të qytetit, me synim barazimin deri në vitin 2012. Përveç pensionit, edhe këta pensionistë kur banon në fshat marrin çdo muaj një kompensim për rritjen e çmimit të energjisë për 200 lekë. Të gjithë pensionistët që marrin pension fshati kur banojnë në qytete, përveç pensionit mujor, do të vazhdojnë të marrin kompensim për liberalizimin e çmimit të ushqimeve 494 lekë në muaj, kompensim për rritjen e çmimit të energjisë prej 350 lekë në muaj dhe kompensim për personat në varësi ekonomike të tyre, deri në 414 lekë në muaj për çdo person si dhe kompensimin e të ardhurave sipas vendimit përkatës të Këshillit të Ministrave deri në 690 lekë në muaj. Nga rritja e pensioneve të parashikuar në këtë vendim do të përfitojnë një numër rreth 527 mijë pensionistë, prej të cilëve rreth 158 mijë janë pensionistë që marrin pensione fshati. Efektet financiare për zbatimin e këtij projekt-vendimi llogariten në shumën 2674 milionë lekë dhe përballohen nga fondet e kontigjencës të planifikuara në buxhetin e shtetit për vitin 2008.

Pension, edhe për invalidët dhe paraplegjikët

Paketa e rritjes së pensioneve dhe indeksimi i tyre, përfshin dhe 73 mijë persona me aftësi të kufizuar dhe kujdestarët e tyre, mbi 5.200 invalidë të punës dhe të sëmundjeve profesionale dhe, siç e theksova, mbi 90 mijë familje në ndihmë ekonomike. Kryeministri Sali Berisha informoi dje se indeksimi i pagesës për personat me aftësi të kufizuar është realizuar në masën 10 për qind, për 57 mijë persona. Por këtyre kategorive, qeveria iu shton një fond tjetër prej 300 milionë lekë, fond i cili përdoret për mbështetjen e rreth 2 mijë personave para dhe tetraplegjikë, duke rritur pagesën për paketën e tyre higjieno-sanitare me 33 për qind, nga 9 në 12 mijë lekë për person në muaj. Për invalidët e punës, duke përfshirë edhe invalidë të punës që janë paraplegjikë, mbështetja për karburantin rritet me 50 për qind. Një vendim tjetër shumë i rëndësishëm për të mbështetur invalidët e punës të të gjitha kategorive është rritja e pagesës me 10 për qind për aftësinë e kufizuar.

Berisha: Kur bëj një premtim, mendohem 70 herë

Kryeministri Sali Berisha në mbledhjen e djeshme të qeverisë iu kundërpërgjigj akuzave të PS-së për mosmbajtje të premtimit të rritjes së pensioneve. Berisha pohoi se para së të bëjë një premtim, mendohet 70 herë dhe rasti më tipik, sipas tij, është vendimi për rritjen e pagave dhe pensioneve. “Nuk mund të mos jap një këshillë miqësore. Para se të shpall një premtim, ju siguroj se e mendoj jo 7, por ndoshta edhe 70 herë. Ndërsa ju para se t’i përgënjeshtroni ato në avancë, ju këshilloj të paktën të mendoheni tre herë, përndryshe do ta gjeni veten të përgënjeshtruar. Ja për shembull, me javë të tëra u tha se nuk do të rriten pensionet, por erdhi data dhe sot shënojmë rritjen më të madhe të tyre në historinë e vendit”.

Tabelë

Do të ketë rritje në masën 10 për qind të:

Pensioneve të plota, të pjesshme dhe të parakohshme, të pleqërisë, të pensioneve për merita të veçanta dhe për vjetërsi shërbimi, pensioneve të invaliditetit dhe pensioneve familjare

Pensioneve të posaçme shtetërore dhe të shtesave të pensioneve të posaçme shtetërore

Pensioneve të ushtarakwve

Do të ketë rritje në masën 15 për qind, të:

Pensioneve, të plota dhe të pjesshme, të pleqërisë, të pensioneve të invaliditetit dhe pensioneve familjare, tw fshatit

Rritje përfitojnë edhe pensionet, të cilat caktohen nga data 1.7.2008 e në vazhdim, me kusht që data e fillimit të pensionit të jetë deri më 30.6.2008

Pensionet e qytetit nuk do tw jenw më pak se 9 515 (nëntë mijë e pesëqind e pesëmbëdhjetë) lekë në muaj dhe më shumë se 19 030 (nëntëmbëdhjetë mijë e tridhjetë) lekë në muaj.

Pensionet e fshatit nuk do tw jenw më pak se 5 200 (pesë mijë e dyqind) lekë në muaj

Efektet financiare tw vendimit tw djeshëm përllogariten në shumën 2 668 (dy mijë e gjashtëqind e gjashtëdhjetë e tetë) milionë lekë dhe përballohen nga fondi i kontigjencës, i caktuar në buxhetin e shtetit, të vitit 2008, për rritjen e pensioneve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›