Austostrada Fier-Lushnjë, shkak aksidentesh
FIER - Mbikalimet në autostradën Fier - Lushnjë rezultojnë të jenë shumë të nevojshme për banorët e zonës.
Përfundimi i kësaj autostrade, përveç përmirësimit të qarkullimit të mjeteve që lëvizin në pjesën jugore të vendit ose anasjelltas, që prej disa muajsh është shndërruar në rrezik serioz për jetën e banorëve nga të dyja anët e saj.
Këta të fundit shprehen se janë të detyruar të rrezikojnë jetën për të shkuar në pronat e tyre, pasi për të kaluar nga ana tjetër e rrugës duhet të përshkojnë kilometra të tëra për t'i transportuar, sepse mungojnë kalimet.
Edhe nënkalimet, që janë të rralla për gjithë gjatësinë e rrugës janë jashtë funksionit të tyre. Ato janë të mbushura me ujë dhe të pakalueshme në kohë shirash. Në këto kushte banorët janë të detyruar të kalojnë mbi pengesat e autostradës.
Por më të rrezikuar janë fëmijët të cilët për të shkuar në shkollë kalojnë dy herë në ditë nëpërmjet kësaj autostrade. Pak kohë më parë, një prej tyre është aksidentuar duke marrë plagë të rënda, të cilët e kanë lënë me probleme shëndetësore për jetën.
------------------------------------------------------------------------------------------
Shkëndija elektrike shkrumbon banesën
BERAT - Një shkëndijë elektrike ka bërë që të marrë flakë banesa e qytetarit Minella Vjeshta në lagjen "30 Vjetori".
Fatmirësisht në shtëpi nuk ka pasur njeri, për faktin që dy fëmijët kanë qenë në shkollë dhe familjarët e tjerë të angazhuar me punë, në të kundërt do të kishte ndodhur ndonjë tragjedi.
Banesa dykatëshe ka marrë flakë papritur paraditen e djeshme dhe kanë qenë banorët aty pranë që pasi kanë parë tymin, kanë njoftuar menjëherë zjarrfikësit dhe policinë. Zjarrfikësit kanë mbërritur menjëherë, por flakët kishin gllabëruar gjithçka ndodhej brenda banesës duke shkaktuar një dëm të konsiderueshëm material.
Nga ekspertiza paraprake rezulton se zjarri mund të jetë shkaktuar nga ndonjë pajisje që fëmijët mund ta kenë harruar në prizë para se të largoheshin në shkollë.
------------------------------------------------------------------------------------------------------
Shkon për peshk, mbytet në Osum
BERAT - Ka humbur jetën teksa ka shkuar për të peshkuar. Ngjarja e dhimbshme ka ndodhur mbasditen e së enjtes në fshatin Moravë në komunën Otllak.
42-vjeçari Luan Hajdari ka shkuar si zakonisht për të peshkuar në ujërat e Osumit, por teksa ka hedhur rrjetën, ka rrëshqitur duke rënë në lumë, pa mundur që të dalë prej andej. Familjarët më kot kanë pritur që njeriu i tyre të kthehej në shtëpi dhe kur kanë parë se ai po vonohej, kanë njoftuar policinë.
Policia ka shkuar në vendngjarje, përballë shkollës së fshatit ku mendohej se Hajdari gjuante, por për shkak të pamjes së kufizuar nuk ka mundur të kryejë ndonjë operacion kërkimi.
Gjithçka ka nisur nga e para në agimin e ditës së djeshme, ku forcave të shumta policore iu shtuan dhe polumbarët e ardhur nga qendra, të cilët pas shumë kërkimesh kanë mundur të nxjerrin 1 kilometër larg vendit të ngjarjes trupin e pajetë të 42-vjeçarit Hajdari, i cili tashmë është përcjellë për në banesën e fundit.