E Shtunë, 31 Tetor 2026

Australi, gjykata lejon vajzën 12-vjeçare të ndërrojë seks

Një vogëlushe australiane, vetëm 12-vjeçare, ka nisur një trajtim për të ndryshuar seksin, me gjithë kundërshtimin e të atit, pasi një gjykatës në Gjykatën e Melburnit ka vendosur që kjo 

procedurë do të ishte në të mirën dhe interesin e vogëlushes. Vajza tashmë ka nisur një trajtim hormonal, i cili i pengon pjekjen e pubertetit si femër dhe ka të drejtën të kërkojë një certifikatë të re lindjeje nën një emër mashkulli, përveç pasaportës dhe certifikatës shëndetësore. Seanca e gjyqit ishte zhvilluar me dyer të mbyllura në muajin dhjetor, por është zbuluar sapo është marrë vendimi për këtë çështje, në të cilën gjykatësi ia ka dhënë të gjithë të drejtat ligjore vajzës 12-vjeçare. “Sipas gjykimit tim dhe në bazë së të gjitha provave, trajtimi për ndërrimin e seksit do të jetë në interesin e saj”, ka vendosur gjykatësi. Nëna e vajzës u kishte kërkuar autoriteteve të Gjykatës mbi vendimin pro këtij trajtimi, pasi e bija i ka shprehur me forcë prindërve dhe shumë psikologëve se dëshironte të jetonte si mashkull, madje kishte nisur të shprehtë ankth të fortë mbi afrimin e pubertetit dhe zhvillimin e hormoneve. “Që në moshën më të re e delikate ajo ka pasur tipare mjaft të forta dhe sjellje mashkullore, e ndërsa në pamje fiziologjike dhe anatomike ajo ishte një femër normale, sillej në çdo kuptim në çdo vend dhe në çdo kohë si të ishte mashkull”, ka dëshmuar e ëma. Vendimi është kritikuar mjaft ashpër nga presidentja e Shoqatës së Mjekëve në Australi, Rosanna Capolingua, sipas së cilës, gjëja më e mirë që duhet të bëhet për momentin është të shtyhet kjo procedurë e ndryshimit të seksit, pasi vajza është vetëm 12 vjeçe dhe kjo është një periudhë puberteti për të dhe tranzicion në formimin e identitetit të vet. Por, tashmë procedurat kanë nisur dhe ndikimi psikologjik i vajzës në rast se ato do të ndërpriteshin do të ishte i paparashikueshëm.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›