E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosova feston, sot hyn në fuqi Kushtetuta e vendit

Sot do të hyjë në fuqi Kushtetuta e Kosovës, e cila pritet të ndryshojë mënyrën se si do të drejtohet republika më e re në Kontinent pas administrimit nga Kombet e Bashkuara prej rreth 10 vitesh. 

Kushtetuta hyn në fuqi 120 ditë pas shpalljes së pavarësisë, por ende shumë gjëra kanë mbetur pa u sqaruar. Kosova feston, luan himnin e vet identifikues, ngre flamurin dhe gëzon që më në fund do të marrë në dorë administrimin e vendit, ndërsa përfaqësuesit ndërkombëtarë janë në krizë dhe nuk dinë ende se si do të veprohet pas hyrjes në fuqi të këtij dokumenti, si do të ndahen kompetencat dhe deri ku do të shtrihen ato. Pas miratimit të kushtetutës, sipas Planit të Ahtisarit duhet të jenë autoritetet kosovare që do të drejtojnë Kosovën. Qeveria do të marrë shumë nga fuqitë që tashmë janë në duart e OKB. Edhe BE ka rënë dakord të dislokojë me misionin EULEX në Kosovë. Kalimi i pushtetit nga njëra palë te tjetra parashikohet të ketë shumë probleme. OKB ka ende për të sqaruar si duhet se çfarë roli do të luajë në Kosovë nga e diela. Nuk është ende e qartë se kush do të mbikëqyrë zonat ku jetojnë serbë. Ndërsa, Bashkimi Evropian pritej që t’i kishte ekipet e veta operuese këtë fundjavë, por nuk është e qartë se kur këto ekipe do të fillojnë tërësisht dislokimin. Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar që OKB dhe BE të ndajnë kompetencat, pasi që sot ato do të kenë probleme me administrimin në Kosovë. “UNMIK nuk do të jetë në gjendje të përmbushë detyrat e tij për administrimin e brendshëm, në kohën kur Kushtetuta e Kosovës hyn në fuqi”, kështu ka deklaruar Chase Beamer nga Departamenti i Shtetit në një prononcim për REL. Sipas zëdhënësit të Departamentit të Shtetit, elementi kyç i propozimit të kreut të Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Moon, është zvogëlimi i rolit të UNMIK-ut në Kosovë. “Shtetet e Bashkuara të Amerikës kërkojnë nga Bashkimi Evropian dhe Kombet e Bashkuara të sqarojnë sa më parë rolin operacional të Bashkimit Evropian në Kosovë”, tha Beamer. Detajet e planit mbeten ende të sqarohen.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›