E Diel, 1 Nëntor 2026

Australi, pjesa lindore përfshihet nga një stuhi rëre

Një stuhi e fuqishme rëre ka përfshirë Australinë Lindore ndërsa ka mbuluar Sydney-n të mërkurën duke krijuar kaos e probleme të mëdha në qarkullim. Si pasojë e kësaj stuhie e cila ka vështirësuar fushëpamjen, është ndërprerë sistemi i transportit dhe njerëzit janë detyruar në të shumtën e rasteve të qëndrojnë në ambiente të mbyllura. Reja e pluhurit ka përfshirë një hapësirë në një rreze prej 725 miljesh ose 1.167 km, duke e mbështjellë Sydney-n me një shkëlqim të kuq. Ndërkohë më herët stuhia e rërës u përhap në pjesën jugore të shtetit tropikal Australian, Queensland. "Në fillim unë mendova se qyteti ishte përfshirë nga zjarri apo diçka tjetër, pasi gjithcka ishte e kuqe. Nuk e di pse menduam se ishte zjarr, ndërsa më pas menduam se ishte dielli që po i afrohej tokës dhe ne hapëm televizionin për të parë se çpo ndodhte pasi u shqetësuam për atë që po ndodhte", thotë një banor i Sydney-t. Për këtë arsye, janë pezulluar fluturimet ndërkombëtare që nisen nga Sydney, udhëtimet detare me tragetet e shumta në portin e Sydney-t, ndërsa edhe shoferët e atuomjeteve u paralajmëruan të kenë kujdes pasi fushëpamja ishte shumë e kufizuar.
Shumë pasagjerë ishin të detyruar të presin në aeroport për orë të tëra. Nga stuhia e rërës janë pezulluar edhe shumë biznese të tjera. Autoritetet e Shëndetësisë i bënë thirrje popullsisë që të qëndrojë në shtëpi ose të kufizojnë kohën e tyre jashtë për shkak të cilësisë "së rrezikshme e ajrit" të mbyllin të gjitha dritaret dhe dyert e jashtme, duke paralajmëruar se stuhia e pluhurit ka gjasa të vazhdojë edhe të enjten. Më shumë se 200 persona u janë drejtuar shërbimeve të urgjencës pasi kanë shfaqur probleme në frymëmarrje. Specialistët shpjegojnë se stuhia e pluhurit shkaktohet nga një front i ftohtë shumë i fuqishëm që përfshiu të gjithë New South Wales dhe Queensland-in jugor dhe erërat shumë shumë të forta lidhur me këtë front. Duke qenë se pjesët e brendshme janë shumë të thata, fronti i ftohtë tërheq sasi të mëdha pluhuri, e balte, duke e çuar atë drejt brigjeve detare, që formojnë më pas stuhinë e rërës. Specialitët shpjegojnë se kjo stuhi është shumë e pazakontë për vendin. Meteorologët australianë, thonë se një tjetër stuhi e fuqishme do të përshkojë zonat jugore dhe lindore të vendit të entjen dhe të premten.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›