Australi, zjarri shkakton 171 viktima
Të paktën 171 persona kanë vdekur nga zjarret, më vdekjeprurëse në historinë e Australisë, që po dëmtojnë juglindjen e vendit. Lajmi është bërë i ditur përmes një bilanci të ri të publikuar nga policia vendase. Australia është duke luftuar me zjarret më të mëdha në këto 100 vitet e fundit. Flakët nuk janë vënë ende nën kontroll. Në distriktin Viktoria në Australi, është djegur një zonë me sipërfaqe 3 mijë kilometra katror, janë shkrumbuar 750 shtëpi dhe disa fshatra janë fshirë nga harta. Njerëzit kanë mbetur të izoluar nga zjarri për shkak të erës së fortë. Edhe temperaturat e larta deri në 47 gradë kanë ndikuar në vështirësimin e operacioneve për fikjen e zjarrit dhe rritjen e numrit të viktimave. Sipas informacioneve, bëhet e ditur se temperaturat kanë rënë disi, por era vazhdon të jetë e fortë. Një numër i madh njerëzish që përpiqeshin të shpëtonin nga zjarri, humbën jetën duke u djegur në rrugë. Afërsisht 100 vetë ndodhen në spital të plagosur. Flakët vazhdojnë ende në të paktën 10 vende. Autoritetet australiane bëjnë të ditur se numri i të vdekurve mund të rritet edhe më shumë. Mendohet se disa nga zjarret janë vënë me dashje. Ndërkohë që dyshohet se zjarret mund të jenë vënë në mënyrë të qëllimshme. Kryeministri i vendit Kevin Rud ka deklaruar se për të cilësuar vënien e zjarrit me dashje nuk ka fjalë më të përshtatshme se masakra. Ai që shpallet fajtor për shkaktim të zjarreve, në Australi mund të dënohet me 25 vjet burg, ndërsa faji për vrasje dënohet me burg të përjetshëm.