E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mubarak:Javën tjetër paqe në Gaza

Presidenti egjiptian Hosni Mubarak ka deklaruar se javën tjetër mund të arrihet një armëpushim i qëndrueshëm në Rripin e Gazës. Pas përfundimit të ofensivës trijavore të Izraelit, më 18 janar, në Gaza u arrit një armëpushim i brishtë. "Mendoj se marrëveshja e paqes mund të arrihet javën tjetër", tha Mubarak në lidhje me përpjekjet për arritjen e një marrëveshjeje të konsoliduar në Rripin e Gazës. Duke folur në Paris pas një takimi me Presidentin Nikolas Sarkozi, Mubarak u shpreh se i kishte kërkuar liderit francez që të bashkëpunonin në mbajtjen e një konference donatorësh më 2 mars në Kajro, për rikonstruktimin e Gazas. "Ne biseduam për rikonstruktimin e Gazas dhe për konferencën që do të mbahet në Egjipt më 2 mars. Unë e ftova Presidentin Sarkozi dhe ai do të mbajë me mua ceremoninë e hapjes së kësaj konference", shtoi kryetari i shtetit egjiptian. Diplomatë ndërkombëtarë kanë njoftuar se Egjipti po punonte për një plan që bën fjalë për zgjerimin e armëpushimit midis Izraelit e Hamasit, shkëmbimin e të burgosurve, si dhe heqjen e bllokadës në Rripin e Gazës. Sipas këtij plani, Izraeli do të ndalojë sulmet në Gaza dhe Hamasi do të pushojë së hedhuri raketa në territorin izraelit për 18 muaj. Kjo marrëveshje do të zëvendësonte atë të 18 janarit, që i dha fund ofensivës 22 ditore të Izraelit, gjatë së cilës u vranë të paktën 1 300 palestinezë. Ndërkohë që deri më tani ka pasur disa thyerje të marrëveshjes aktuale me sulme sporadike nga të dyja palët.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›