E Diel, 1 Nëntor 2026

Maqedoni, familjet shqiptare largohen nga Radishani

Familjet shqiptare që prej mbrëmjes së djeshme janë larguar plotësisht nga lagja Radishan e Shkupit, për shkak të pasigurisë.
Banorët janë vendosur tek të afërmit e tyre në lagjet e Shkupit dhe qytetet e tjera, deri në qetësimin e situatës.
 

“Jemi detyruar që të lëshojmë shtëpitë, për shkak të pasigurisë dhe rrezikut, se mund të sulmohemi nga huliganë maqedonas. Kemi qëndruar në shtëpitë tona, mirëpo dje vlerësuam se duhet të ikim për momentin, sepse nuk i dihet situatës”, ka theksuar për agjencinë e lajmeve INA, një banor i kësaj lagjeje.
 

Sipas tyre, djegia e një dyqani në sheshin e lagjes, mbishkrimet raciste “Vdekje për shqiptarët” nëpër muret e shtëpive në pjesën ku jetojnë familje shqiptare kanë detyruar që nga shkaqet e sigurisë të largohen shtëpitë e tyre.
 

Banorët shqiptarë të Radishanit kanë theksuar se një i ri i fshatit është rrahur brutalisht në rrugën mbi urën që lidh këtë lagje me Butelin. Ai ishte sulmuar nga një grup huliganësh maqedonas.
 

Ndërkohë, në këtë lagje, po vazhdojnë ende të qëndrojnë në rrugë barrikada, në shenjë proteste për vrasjen e pesëfishtë që ndodhi të enjten në Smilkovc të Shkupit.

Forca të mëdha policie janë të pozicionuara në hyrje-daljet e autostradës që lidh Tetovën me Shkupin, në urën lidhëse që lidh Radishanin dhe Butelit.  Dhjetëra familje shqiptare jetojnë në dalje të lagjes Radishan, e dominuar nga popullësia maqedonase dhe serbe.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›