Australia dhe Danimarka, vuajnë nga altituda
Miqësorja ndërmjet Australisë dhe Danimarkës në stadiumin “Ruimsig” ka vënë në dukje problemet që pritet të kenë këto dy skuadra gjatë Botërorit 2010. Goli i Kenedit në të 71-tën mjaftoi për t’i dhënë australianëve fitoren, por trajneri Pim Verbek theksoi se skuadra e tij duhet të mësohet me altitudën. “Duke luajtur në lartësi të tilla, duhet të ndryshosh mënyrën e lojës. U pa qartë se Danimarka vuante kur mundohej të praktikonte pasimet e gjata”, tha ai. “Në 10 ditët e ardhshme do të stërvitemi në lartësi të mëdha, edhe pse në ndeshjen e parë me Gjermaninë kushtet nuk do të jenë të tilla”. Në anën tjetër, përveç problemeve me altitudën, trajneri i danezëve, Morten Olsen e ka vënë theksin edhe te topi jo i përshtatshëm që do të përdoret në Afrikën e Jugut: “Si ne, ashtu edhe Australia, e kishte mjaft të vështirë të mësohej me kontrollin e topit”.
#