Australia mirëpret anëtarësimin e Shqipërisë në NATO
Ministri Basha pret Ambasadorin e Australisë në Shqipëri, Jeremy Roger Newman
TIRANE - Ministri i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha ka zhvilluar dje një takim me Ambasadorin e Australisë në Shqipëri, rezident në Athine, Jeremy Roger Newman, i cili po zhvillon një vizitë pune në Shqipëri. Ministri Basha i shprehu mirënjohjen Ambasadorit Newman për mbështetjen që Australia i ka dhënë Shqipërisë në politikën e saj të jashtme, kryesisht në çështjen e Kosovës.
Ndër të tjera, ministri Basha e njohu ambasadorin me nismën e Qeverisë Shqiptare për hapjen në të ardhmen të një misioni diplomatik shqiptar në Australi i cili do t’i shërbejë intensifikimit të marrëdhënieve mes dy vendeve, veçanërisht në fushën ekonomike. Në këtë kuadër, ministri Basha tregoi gatishmërinë për mbështetjen e kompanive australiane që kërkojnë të investojnë në Shqipëri, veçanërisht në fushën minerare.
Nga ana e tij, Ambasadori Newman, duke theksuar rëndësinë e intensifikimit të marrëdhënieve mes dy vendeve, vlerësoi klimën mjaft të përshtatshme për investimet në Shqipëri.
Gjithashtu ai theksoi se Australia mirëpret anëtarësimin e Shqipërisë në NATO duke e konsideruar atë faktor stabiliteti dhe paqeje në rajonin e Ballkanit. Kjo do të rrisë mundësitë e bashkëpunimit duke qenë se Australia është një kontribuuese shumë e rëndësishme dhe pjesëmarrëse në forcat paqeruajtëse të Aleancës.