Garantohen edhe 40 milionë euro për rrugët e fshatit shqiptar
Në kulmin e krizës ekonomike botërore, qeveria ka arritur të bindë Bankën për Zhvillim të Këshillit të Evropës, duke siguruar një grant të ri prej 40 milionë eurosh, për rindërtimin e rrugëve të fshatit shqiptar. Bashkë me financimet e tjera, garantohet ndërtimi i 1500 km rrugë brenda vitit 2001, ndërkohë që projekti masiv i 6 mijë km do të mbyllet me përfundimin e mandatit të dytë të kryeministrit “Berisha”
TIRANE - Banka për Zhvillimin e Këshillit të Evropës do t’i akordojë Shqipërisë një hua prej 40 milionë eurosh për zhvillimin e infrastrukturës rurale. Projekti për rindërtimin ose rehabilitimin e rrjetit rrugor ekzistues vlerësohet se do të ketë një impakt të drejtpërdrejtë në rritjen e qarkullimit të mallrave, zhvillimin e bizneseve si dhe rigjallërimin e sektorit të shërbimeve.
Në planifikim për të rikonstruktuar apo ndërtuar janë 1.000 -1.500 km rrugë, një projekt ky që në total kushton 200-400 millionë dollarë amerikanë. Por përveç CEB, një fond prej 56.4 milion eurosh ishin akorduar më herët edhe nga Banka Botërore, fondi i OPEK dhe Bashkimi Evropian.
Banka për Zhvillim e Këshillit të Evropës, vitet e fundit ka shtuar ndjeshëm financimet për Shqipërinë. Përfaqësuesit e saj e kanë shpjeguar këtë vëmendje në rritje me treguesit pozitivë të ekonomisë shqiptare që konsiderohen si mjaft domethënëse në krahasim me vendet e tjera të rajonit. Sipas klasifikimit të fundit të ekspertëve, Shqipëria ishte nga të rrallat vende të kontinentit të paprekura nga kriza ekonomike dhe që paraqiste një ekonomi të shëndetshme, e cila mund të thithte investime të kësaj shkalle, në bazë të projekte që përmbushin edhe kriteret fort specifike që ka CEB për akordimin e fondeve; kryesisht në projekte që kanë një impakt të rëndësishëm shoqëror.
Qeveria shqiptare ka shpallur si objektiv afatmesëm të vetin ndërtimin e 6000 km rrugë rurale, të cilat, siç shprehet edhe kryeministri Sali Berisha, do të mund ta nxjerrin fshatin shqiptar nga diktatura e baltës dhe e llucës. Si fazë e parë, ky projekt pritet ët përfundojë brenda vitit 2011 – pra me ndërtimin e 1500 km rrugë, ndërkohë që krejt projekti shpresohet të mbyllet në fund të mandatit të dytë qeverisës të Partisë Demokratike.