Propozimi i Edi Ramës është hipokrit, qeveria ka vendosur subvencionimin
Zëvendëskryeministri Genc Pollo hedh poshtë pretendimet PS-së për pasaportat elektronike
TIRANE - Zëvendëskryeministri Genc Pollo ka hedhur poshtë dje pretendimet e kryetares së grupit kuvendor të PS-së, Valentina Leskaj se procesi i pajisjes së qytetarëve me karta identiteti është i rrezikuar.
Duke i kujtuar opozitës bashkëpunimin për amendamentet kushtetuese të prillit, si dhe me kodin zgjedhor që u miratua në dhjetor të 2008-ës, në funksion të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, zëvendëskryeministri Pollo u shpreh se “elementi rëndësishëm për zgjedhjet, janë listat e zgjedhësve të dala nga regjistri kombëtar i gjendjes civile, unik dhe i kompjuterizuar, duke hequr në to dublikatat”.
Këto lista sipas zëvendëskryeministrit Pollo i janë dërguar pesë muaj më parë komunave dhe bashkive që ato të bëjnë shqyrtimet dhe saktësimet e duhura. Zëvendëskryeministri Pollo bëri të ditur se janë bërë të qarta shifrat aktuale të shtetasve që po pajisen me dokumentin e identifikimit. Numri dy i qeverisë shqiptare tha dje se “deri më tani janë 277 mijë shtetas kanë bërë aplikimin për letërnjoftim, dhe norma ditore që vjen në rritje”.
Duke iu referuar shifrave të fundit të qytetarëve që kanë aplikuar për kartën e identitetit, zëvendëskryeministri Pollo tha se “ditët e fundit ka qenë 12 mijë e 800, ndërkohë që pritet të jetë 13 mijë, dhe në fund të muajit planifikojmë të jetë 15 mijë sepse sot është mbuluar me stacione aplikimi 80% e popullsisë dhe në fund të muajit arrin shifra 15% më të larat se kjo”.
Duke iu referuar deklaratave më të fundit të kryetarit të PS-së, zëvendëskryeministri Pollo u shpreh se ndërkohë që “gjithçka duket sipas një kalkulimi aritmetik të jetë në rregull, Edi Rama zgjedh të thotë të pavërtetën. Lidhur me propozimin e Partisë Socialiste për subvencionimin e shtetasve pa pasaporte, Pollo u shpreh se “sa i përket propozimeve të Edi Ramës që të jepen letërnjoftimet pa lek, kjo është hipokrite, asnjë vend i botës nuk e bën këtë, për më tepër ju dhe certifikatat i keni dhënë me lek”.
Pollo u shpreh se në këtë proces “ne kemi marrë masa për të subvencionuar pensionistët për letërnjoftimet për studentët për të papunët dhe për rrogëtarët e vegjël, për këto kategori pagesa është e subvencionuar”.
Sa i përket deklaratave të PS-së, për të penguar shtetasit me pasaporte nga aplikimi, zëvendëskryeministri Pollo u shpreh se “ky propozim është parimisht i padrejtë, dhe praktikisht i padobishëm, sepse stacionet e aplikimit janë të hapur në të gjitha anët e vendit”, duke përsëritur dhe njëherë se nga 13 mijë aplikime në ditë, synohet të shkohet në 15 mijë aplikime në ditë, duke rritur në këtë mënyrë shifrën e shtetasve që aplikojnë të pajisen me karta të reja identifikimi.