E Diel, 1 Nëntor 2026

Kuvendi miraton disa ndryshime në Ligjin për Legalizimet

Rregullohet një boshllëk ligjor

TIRANE - Kuvendi miratoi dje me shumicë votash ndryshime në ligjin “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”. Amendimi i bërë në ligjin për legalizimet synon rregullimin e një boshllëku ligjor të krijuar nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese i 2 shkurtit 2008, që vendosi shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën dhe me Kartën Evropiane të Autonomisë Lokale, të disa neneve të ligjit në fjalë. Ndryshimi i miratuar përcakton veprimin e ALUIZNIT në ato raste kur pushteti vendor nuk ndërhyn për ndërtimet apo objekte, që mund të jenë pjesë e procesit të legalizimit. Amendimi, i iniciuar nga një grup deputetësh të mazhorancës, hasi kundërshtimin e deputetëve të opozitës  të cilët kundërshtuan atë me pretendimin se cenon kompetencat e qeverisjes vendore.
Një tjetër projektligj i rëndësishëm që u votua gjatë seancës së djeshme parlamentare ishte dhe ndryshimi që iu bë ligjit “Për miratimin e niveleve të tarifës doganore”, duke bërë kështu që, tarifa e importit të energjisë elektrike prej 2 për qind të shfuqizohet. Heqja e kësaj takse erdhi në kuadër të traktatit të krijimit të komunitetit të energjisë, ndërmjet Komunitetit Evropian dhe vendeve ballkanike, përfshirë edhe Shqipërinë, që përcakton një sërë masash të karakterit ligjor dhe ekonomiko-financiar, të cilat duhet të zbatohen nga shtetet anëtare.
Sipas relacionit të këtij projektligji në këtë traktat përcaktohet se palët do të eliminojnë taksat doganore dhe kufizimet sasiore mbi importin dhe eksportin e energjisë dhe të gjitha masat që kanë efekt të njëjtë. Ky ndalim do të zbatohet edhe për tarifat doganore me natyrë fiskale. Heqja e kësaj takse, sipas relacionit, ka efekte financiare që rrjedhin nga pagesa e kësaj takse në buxhetin deficitar të KESH, sh.a-së. Efekti financiar i pritshëm nga reduktimi i kësaj tarife doganore, i llogaritur në bazë të importit të bërë për vitin 2008, në sasi dhe në çmim, parashikohet të jetë rreth 488 milion lekë.
Gjatë seancës së djeshme Kuvendi ratifikoi dhe Memorandumin e Mirëkuptimit Shqipëri-KE për pjesëmarrjen në Programin “Evropa për qytetarët”.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›