Rama mban peng planin urbanistik, për të përfituar në mënyrë korruptive

Deputeti Edi Paloka përcjell shqetësimet e banorëve të Tiranës dhe akuzon kryebashkiakiun
TIRANE - Deputeti i Partisë Demokratike, Edi Paloka ka akuzuar dje kryetarin e bashkisë, Edi Rama se po mban peng planin urbanistik të Tiranës, duke abuzuar dhe përfituar në mënyrë korruptive. Duke iu referuar ankesave të qytetarëve të zonës së tij, deputeti Paloka u shpreh se “qytetarëve të zonës sime, u kanë shkuar bojaxhinjtë e natës të Edi Ramës për t`ju prishur shtëpitë, dhe kjo nuk bëhet për të ndërtuar Tiranën, kjo bëhet për të vjedhur Rama sa më shumë”.
Në vijim të problematikës së banorëve të kësaj zone, deputeti Paloka u shpreh se “gjatë natës, të gjitha muret e shtëpive të tyre ishin mbushur me bojë, dhe të nesërmen u ka vajtur policia tatimore dhe u ka thënë se do t’u prishën shtëpitë se këtu do të hapet rruga. I binte që një rrugë lagjeje të bëhej sa bulevardi, dhe pas kësaj u kishin vajtur ‘deliorgjët’ e Ramës, pasi kishin marrë informacionin çuditërisht shumë shpejt gjatë natës, dhe u thoshin se meqenëse do t’ju prishet shtëpia na e jepni ne ta bëjmë pallat se e rregullojmë ne këtë punë”.
Sipas Palokës “ky është fenomeni, çon policinë për të prishur shtëpitë e qytetarëve, që të çojë më pas “deliorgjët” që ta blenë atë tokë sa më lirë për të ndërtuar pallatet e tyre”. Duke iu referuar deklaratave të kryebashkiakut, Edi Rama, rreth planit urbanistik të Tiranës, deputeti Paloka u shpreh se “kjo është vetëm një nga arsyet sepse ky zotëria prej 9 vjetësh deklaron se do ta bëj planin urbanistik sot, do ta bëj nesër dhe nuk e bën asnjëherë, sepse po të bëjë planin urbanistik nuk i bën dot këto pisllëqe, nuk jep dot më leje pallatesh, siç i jep ai edhe në mes të rrugës, siç i ka dhënë Dash Pezës”.
Sipas deputetit Paloka këto leje pallatesh bëjnë korrupsion pasiv dhe korrupsion aktiv, “të cilat pastaj përdoren për të korruptuar të tjerë, pra pasi korruptohet në mënyrë pasive ky zotëria duke u marrë njerëzve, shkon e korrupto me këto leje pallatesh në mënyrë aktive, duke blerë mediat me leje pallatesh, duke i përdorur apartamentet si shpërblim, për x-et apo y-et që pastaj i përdor në mënyrën e vet, dhe këtë e di më mirë dhe ish bashkëpunëtori i tij Blendi Gonxhe që e deklaron sot në vende të ndryshme, së këtë e dinë dhe erionët”, deklaroi Paloka.
Duke iu referuar modeli që përcjell kryebashkiaku Rama, Paloka u shpreh se modeli i tij është “ai i një sundimtari të Tiranës, që do të udhëheqë këtë vend, dhe që në fakt mendon vetëm për vete, sepse 200 mijë euro merr për një leje ndërtimi, dhe mendon vetëm se si të rrjepë qytetarët e Tiranës, ndërkohë që qan për qytetarët e Tiranës, por ndërkaq këtyre qytetarëve përveç të ndenjurave lakuriq nuk u ka treguar asgjë tjetër”.