E Shtunë, 31 Tetor 2026

Australia nën ujë

Nga Express më 12 janar 2011 në ora 12:13

Deri në 20 mijë shtëpi janë në rrezik në Brisban të Australisë, për shkak të përmbytjeve masive.

Lajmin e ka bërë të ditur kryeministrja e shtetit të Queenslandit, sipas të cilës ujërat po vërshojnë drejt qytetit të tretë më të madh të vendit.

Brisbani Qendror është kthyer tashmë në një qytet fantazmë, pa elektricitet dhe me mijëra banorë të cilëve u është bërë thirrje të evakuohen.

Në perëndim të tij, qyteti i Ipswichit është kthyer në një moçal, për shkak të ujërave që kanë vërshuar. Situata atje vlerësohet si një “kaos total”.

Ndërkohë, numri i viktimave në Queensland është ngritur në 12, ndërsa shumë të tjerë konsiderohen të humbur.

Kryeministrja e këtij shteti, Anna Bligh, tha për mediat australiane se numri i personave të humbur në perëndim të Brisbanit dhe në Luginën Lokier është rritur.

“Policia po kërkon më shumë se 90 persona, cilët nuk kanë kontaktuar me familjet e tyre”, ka deklaruar Bligh.

Përmbytje si pasojë e shirave të dendura ka pasur edhe në Filipine, ku kanë humbur jetën së paku shtatë persona, duke e ngritur kështu në 40 numrin e të vdekurve në këtë vend.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›