E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vazhdojne protestat ne Tunizi 23 te vrare

Ndërtesa të dëmtuara dhe funerale të viktimave pasojnë përplasjet mes protestueve dhe forcave të rendit në Tunizi. Njerëzit që marrin pjesë prej disa javësh në protesta denoncojnë korrupsionin në qeveri e kërkojnë vende pune e kushte më të mira jetese ndërsa autoritetet fajësojnë për organizimin e tyre ekstremistët e armatosur.

Trazirat më të rënda që prej dhjetëra vitesh ndërkohë  kanë përfshirë dhe kryeqytetin e vendit Tuniz. Policia iu përgjigj me të shtëna paralajmëruese dhe gaz lotsjellës qindra të rinjve, të cilët hodhën gurë kundër policëve dhe shkatërruan dyqanet. Iu vu zjarri një banke dhe një ndërtese qeveritare.

Përleshje të ngjashme pati edhe në qytetin Gassrine në perëndim të Tunizisë ku humbën jetën katër persona. Në protestat e dhunshme bilanci më i fundit zyrtar  flet për 23 të vrarë. Aktivistët për të drejtat e njeriut raportuan se numri i të vdekurve është 35.

Presidenti Zine al-Abidine Ben Ali tha se protestat kontrollohen nga jashtë për t'i sjellë dëm Tunizisë. Ai deklaroi se deri në fund të vitit 2012 do të hapë 300.000 vende pune. Ndërkohë në  vend vazhdojnë të qëndrojnë të mbyllura shkollat dhe universitetet.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›