Rikthimi i dhunës politike

Përpjekja për të vrarë kongresisten amerikane, Gabriel Giffords, ka tronditur amerikanët në atë shkallë që vetëm vrasjet politike janë në gjendje ta bëjnë.
Miliona amerikanë ende kujtojnë tmerrin që shkaktuan vrasjet e aktivistit të të drejtave të njeriut, Martin Luther King, presidentit Kenedy apo atentati ndaj presidentit Reagan.
Të hënën, ditën kur doli para drejtësisë i akuzuari për sulmin ku u vranë gjashtë persona dhe ku u plagos rëndë Gifords e 12 të tjerë, presidenti Barack Obama drejtoi kombin në mbajtjen e një minute heshtje.
Më vonë ai theksoi se është kohë reflektimi dhe bashkimi.
“Në ditët që vijnë, do të kemi kohë të mjaftueshme për të reflektuar. Në këto momente duhet t’i ofrojmë ngushëllimet dhe lutjet tona të gjithë të prekurve dhe të sigurojmë që si popull po bashkohemi dhe po qëndrojmë pranë njëri-tjetrit. Si president, por dhe si baba, po i kushtoj shumë kohë familjeve të goditura nga tragjedia”, tha Obama.
Dy janë grupet, të cilat më së shumti po reflektojnë pas sulmit të fundjavës në Arizona: të zgjedhurit dhe kritikët e ligjit që lejon armëmbajtjen në Shtetet e Bashkuara.
Ligji federal amerikan lejon personat mbi 21 vjeç që të blejnë armë, derisa në shtetin e Arizonës kjo është e mundur nga mosha 18-vjeçare. Armët lejohen thuajse kudo, duke përfshirë ndërtesat qeveritare, shkollat dhe baret.
Vitin e kaluar grupet që mbështesin armëmbajtjen shënuan një fitore të konsiderueshme në Arizona, pasi u hodh poshtë ligji që kërkonte nga armëmbajtësit të pajiseshin me leje të posaçme.
Organizata Brady, që merret me parandalimin e dhunës së shkaktuar nga armëmbajtja, i ka dhënë Arizonës një nga vlerësimet më të këqija në nivel të Shteteve të Bashkuara.
Për ironi të fatit, Giffords ka qenë ndër mbështetëset e ligjit për armëmbajtje, duke e cilësuar si “një traditë të Arizonës”. Por, armët e blera në Arizona nuk mbeten brenda kufijve të këtij shteti.
Sipas Washington Postit në vitin 2009 1600 armë të blera në Arizona ishin përdorur në krime të kryera jashtë këtij shteti.
Kongresistja amerikane Carolin MekKarthi, bashkëshorti i së cilës u vra nga një person i armatosur në metronë e New Yorkut në vitin 1983, po harton një propozim-ligj që kufizon mbajtjen e armëve, përfshirë atë të tipit të përdorur në sulmin kundër Giffords.
Përfaqësuesit e grupit Bredi kanë kërkuar nga Kongresi që të reagojë pas tragjedisë në Arizona.
Sulmi i fundjavës së shkuar ka shërbyer si kujtesë për ligjvënësit lidhur me rreziqet që i kanosen kur paraqiten në publik.
“Mendoj se kjo duhet të jetë si zile alarmi për anëtarët e Kongresit që e kanë trajtuar çështjen e sigurisë së tyre me lehtësi. Personalisht e di se sa herë kam takime me zgjedhësit, e ato janë shumë të rregullta, gjithmonë ka policë të pranishëm”, tha kongresistja Debi Vaserman Shultz, demokrate nga Florida.
Sipas Zyrës Federale për Hetime, FBI, anëtarët e Kongresit amerikan gjatë dhjetë viteve të fundit kanë marrë rreth 236 kërcënime me vdekje.
Policia e Kongresit e angazhuar me sigurinë e ligjvënësve amerikanë pas sulmit në Arizona, ka marrë shumë telefonata nga kongresistët e shqetësuar për sigurinë e tyre dhe të familjeve.
Për shumë njerëz, ngjarja e Arizonës sjell mjaft kujtime. Antonio Valenzuela u rrit në Tusan, por tani punon në Washington. Ai vendosi lule në një përmendore të thjeshtë të ngritur në Kapitol.
"Kjo është një tragjedi e tmerrshme. Ne na duket e pabesueshme që dikush mund ta bënte këtë sidomos në qytetin tim të lindjes", theksoi ai.
Këtë javë, flamurët në selinë e Kongresit dhe në ndërtesa të tjera publike janë ulur në gjysmë-shtizë për të nderuar viktimat.
Të dyja partive politike u janë bërë thirrje të ulin retorikën dhe të zbutin mosmarrëveshjet politike.
Ndërkohë, personi që dyshohet se hapi zjarr, Jared Loughner, doli para gjykatës federale në Finiks.
Ai u akuzua për vrasjen e dy punonjësve federalë dhe për tentativë vrasjeje të një anëtareje të Kongresit.
Të shtunën, anëtarja e Kongresit, Giffords po takohej me zgjedhësit kur u godit me plumb në kokë. Mes të vrarëve ishte edhe një vajzë nëntë-vjeçare.
Nuk është e qartë nëse vrasësi u motivua nga retorika antiqeveritare apo nga grupet që nxisin urrejtje.
Në spital, mjekët vazhdojnë të jenë optimistë për fatin e Giffordsit. Doktor Micheal Lemoll tha se një pjesë e kafkës së saj është hequr, për të zbutur ënjtjen që mund të rrisë trysninë mbi trurin.
"Ajo ende nuk është plotësisht jashtë rrezikut. Ënjtja e trurit ndonjëherë kërkon 3 deri 5 ditë të shfaqet por deri tani nuk shikojmë shtim të ënjtjes prandaj jemi diçka më optimistë", tha ai.