E Shtunë, 31 Tetor 2026

Si e rrëzoi Kaczynski aeroplanin e vet?

Nga Express më 12 janar 2011 në ora 13:10

Hetuesit rusë ia dorëzuan Polonisë versionin final të raportit për rrëzimin e aeroplanit, ku vdiq presidenti polak, Lech Kaczynski.

Bëhet e ditur se raporti i është dorëzuar ambasadës së Polonisë në Moskë.

Presidenti Kaczynski dhe 95 persona të tjerë vdiqën, kur aeroplani i presidentit u rrëzua më 10 prill 2010, teksa përpiqej të aterrojë në qytetin Smolensk, në verilindje të Rusisë.

Kryeministri polak Donald Tusk fillimisht e lëvdoi bashkëpunimin e Moskës, por së fundmi e quajti draftin fillestar të papranueshëm dhe me plot gabime.

Tatjana Adonina, kryesuese e Komisionit për hetimin e tragjedisë në Smolensk, konfirmoi se zyrtarë të lartë polak kanë qenë të pranishëm në kabinën e pilotit dhe se ata kanë bërë trysni ndaj ekuipazhit.

“Prania në kabinë e zyrtarëve të lartë-shefit të forcave ajrore të Polonisë dhe kryesuesit të protokollit-si dhe reagimi i pritur negativ i udhëtarit kryesor në aeroplan, kanë shtuar trysninë psikologjike ndaj anëtarëve të ekuipazhit dhe kanë pasur ndikim në vendimmarrje, kur bëhej fjalë për vazhdimin me aterrim, përkundër kushteve të vështira atmosferike”, tha ajo.

Adonina nuk identifikoi “udhëtarin kryesor”, por duket se ajo iu referua Kaczynskit.

Ajo shtoi se gjatë fluturimit, ekuipazhi i aeroplanit është njoftuar për kushtet e vështira atmosferike në aeroportin Severny, në Smolensk.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›