Beqaj kthehet në Anorthosis, si trajner

Arjan Beqaj dhe Anorthosis janë bërë sërish së bashku. Mirëpo, kësaj here, portieri shqiptar nuk do të mbrojë për klubin qipriot, por do ta kryejë rolin e trajnerit të portierëve.
Ai e ka pranuar propozimin e ish-klubit të tij, pa hezitim. Lajmin e ka bërë të ditur gjiganti qipriot përmes uebfaqes së vet zyrtare.
“Anorthosis Famagusta njofton se e ka emëruar Arjan Beqajn trajner të portierëve. Beqaj do të jetë përgjegjës dhe do të përkujdeset për portierët e të gjitha kategorive”, shkruan në uebfaqen e klubit.
Reprezentuesi i Shqipërisë do ta zëvendësojë përgatitësin e deritashëm të portierëve, Michael Pampor. Ish-portieri i Olympiakos Nicosias, Anorthosisit, Ionikosit, OFI-së dhe Partizanit të Tiranës u largua të hënën nga skuadra e deritashme qipriote, Ermis Aradippou.
Largimi nga Ermisi dhe angazhimi te Anorthosisi si trajner i portierëve lë të nënkuptojë që 35-vjeçari nga Prizreni i ka thënë lamtumirë futbollit aktiv.