E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kërkah me kritere

Edicioni i ri i Superligës pritet të fillojë në këtë fundjavë, mirëpo 50 për qind e klubeve as që kanë aplikuar për licencim në Federatën e Futbollit të Kosovës. Janë vetëm tri skuadra që janë licencuar plotësisht deri tash dhe tri të tjera pjesërisht. Përkundër këtyre, drejtuesit e futbollit kosovar thonë se gjasat janë minimale që të shtyhet fillimi i kampionatit. Nga Valon Konushevci më 17 gusht 2011 në ora 13:33

Skuadrat e Superligës nuk janë kërkah në aspektin e përmbushjes së kritereve të vendosura nga Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) në mënyrë që të licencohen për pjesëmarrje në garat kampionale të cilat nisin këtë vikend.

Në fakt, sipas rregulloreve, klubet do të duhej të licencoheshin rrafsh një muaj para fillimit të kampionatit. Por, shumë nga to ende as që kanë trokitur në dyert e zyrave të FFK-së për të aplikuar për licencim, ndonëse kriteret që duhet t’i përmbushin skuadrat e elitës janë më se elementare.

Zyrtarë të administratës së FFK-së kanë treguar se deri të martën vetëm tri skuadra të Superligës janë licencuar nga ana e shtëpisë së futbollit kosovar për të garuar në elitë. Ato janë: Kampioni, Hysi, fituesi i Kupës, Besa dhe skuadra nga Kastrioti, KEK-u.

Sipas zyrtarëve të administratës së FFK-së, pjesërisht kriteret i kanë përmbushur Trepça ’89, Gjilani dhe Vëllaznimi. Ndërsa, Prishtina, Trepça, Liria, Drenica, Drita e Lepenci as që kanë aplikuar për licencim.

Megjithatë, drejtuesit e futbollit nuk besojnë se Komiteti Ekzekutiv i saj do të detyrohet ta shtyjë fillimin e edicionit të ri, i cili duhet të nisë të shtunën, për shkak të moslicencimit të klubeve.

“Të mërkurën, Komiteti Ekzekutiv i FFK-së do ta mbajë mbledhjen e vet të radhës, ekskluzivisht për këtë çështje. Do të shqyrtohen të gjitha informatat nga komisionet tona që i kanë nxjerrë prej klubeve. Do ta kemi një pasqyrë më të qartë se deri ku kanë mbërritur klubet me përmbushjen e kritereve dhe çka duhet të përmbushin”, deklaroi për Express nënkryetari i FFK-së, Agim Ademi.

Sipas Ademit, gjasat për t’u shtyrë fillimi i kampionatit të ri për shkak të kësaj çështjeje janë minimale. “Sipas rregulloreve, nëse mbi 70 për qind e klubeve licencohen, nuk mund të ketë shtyrje. Por, ato pak klube që mund të mbesin pa u licencuar, mund t’i humbasin pikët e ndeshjeve. Por, sikurse shumica nuk i plotësonin kriteret, do të shtyhej ndoshta për një javë dhe nuk do të bëhej kiameti”, thotë ai.

Edhe pse klubet kanë ngecur drejt licencimit, Agim Ademi thotë se shtëpia e futbollit kosovar nuk do të tolerojë. “Kriteret e vëna në fillim duhet të përmbushen nga ana e klubeve. Nuk do të ketë asnjë lëshim. Edhe vetë klubet janë të pajtimit që nuk duhet të bëjmë lëshime të tjera, sepse ju e dini që klubet janë liruar nga kuotizimet”, theksoi ai.

Sipas Ademit, përmirësimi i gjendjes së infrastrukturës sportive nëpër stadiume është kriteri në të cilin klubet po ngecin drejt marrjes së licencave.

Por, kryetari i Komisionit për pranimin e fushave dhe objekteve sportive të futbollit të Kosovës, Agim Maloku tregon se gjendja aktuale e stadiumeve është më e mirë sesa viteve të kaluara.

“Stadiumet nuk janë në gjendje sikurse viteve të kaluara. Nuk janë në gjendje të atillë që të ndikojnë në shtyrje të kampionatit. Realisht, sivjet ato janë në gjendje më të mirë, sepse edhe klubet me mundësitë e tyre kanë punuar diçka nëpër stadiumet e tyre”, tha Maloku për Express.

Ndërsa, Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) të martën vendosi që fillimin e edicionit të ri në Shqipëri ta shtyjë për disa javë, pasi klubet e saj nuk i kishin përmbushur disa kritere rreth rregullimit të mëtutjeshëm të infrastrukturës sportive, por edhe atë ligjore, respektivisht privatizimit të klubeve.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›