Skeraj drejt Çekisë

Shqipran Skeraj më në fund pritet të rehatohet. Mbrojtësi kosovar ka gjasa të që karrierën ta vazhdojë në elitën e futbollit çek respektivisht te skuadra Banik Ostrava.
Anëtari i përfaqësueses së Kosovës, i cili është pa skuadër qe një kohë të gjatë, fillimisht pritet të testohet tek ekipi Baník Ostrava, derisa ka edhe një opsion te një klub tjetër nga Çekia.
“Menaxheri im më ka treguar se klubi çek, Ostrava është një opsion për mua. Brenda këtij muaji pritet të udhëtoj në Çeki dhe t’i bashkohem klubit ku fillimisht do të stërvit një javë dhe do të jetë si provë”, ka thënë Skeraj për Express.
“Është edhe një klub tjetër çek që ka mundësi të shkoj, por në Ostrava janë mundësitë më të mëdha që unë të nënshkruaj’, theksoi ish-futbollisti i Prishtinës dhe Lirisë nga Prizreni.
Ostrav sezonin e kaluar e ka pambyllur në vendin e 14-të derisa sezonin e ri nuk e ka filluar mirë. Në tri ndeshjet e para të këtij sezoni, ekipi çek ka pësuar po aq humbje dhe zë vendin e fundit në tabelë.
Mbrojtësi 25 vjeç tash e një vit ka mbetur pa klub që kur kishte shkëputur kontratën me ekipin gjerman, TUS Koblenz, i cili ra në Bundesliga 2. Në fakt, prizrenasi kishte nënshkruar me klubin suedez, Djurgårdens IF, por e kishte shkëputur atë vetëm pas disa javëve.
Aktualisht ish-mbrojtës i Greuther Furtith është duke stërvitur me klubin nga liga e pestë gjermane, SC Eltersdorf, sa për ta mbajtur formën.
“Me këtë ekip i kam filluar stërvitjet para një jave. Do të stërvit edhe disa ditë kështu që kur të udhëtoj në Çeki, të jem 100 për qind”, thotë Skeraj.
Për mbrojtësin prizrenas, i cili ka përjashtuar mundësinë e transferimit te ndonjë klub gjerman, ka thënë se prioritet për të është aktivizimi pasi nuk ka luajtur gati qe një vit.