E Diel, 1 Nëntor 2026

Austri, gjykata merr në pyetje ish kryeministrin kroat

Ish kryeministri i Kroacisë Ivo Sanader ka mohuar akuzat për korrupsion gjatë seancave të pyetjeve. Sanadër është marrë në pyetje nga një gjykatës austriak.
 

Sanader kërkohet në Kroaci mbi bazë të akuzave për korrupsion kur ishte në detyrë, ndërsa prej të premtes ndodhet në paraburgim në Austri. Ish kreu i qeverisë nuk ka pranuar para gjykatësit të Gjyqit federal në Salzburg të Austrisë asnjë nga akuzat e ngritura në ngarkim të tij nga autoritetet e Zagrebit. Sanader ka thënë se nuk ishte larguar nga Kroacia dhe se ishte arrestuar teksa po kthehej në Zagreb. Avokati i Ivo Sanaderit deklaroi se klienti i tij nuk do t`i kundërvihet dorëzimit në Kroaci.
 

Ish-kryeministri kroat akuzohet për keqpërdorim të postit dhe përfshirje në disa afera korrupsioni. Të premten ai u largua nga Kroacia me automjetin e tij ndërsa ndaj tij ishte artikuluar një urdhërarrest ndërkombëtar. Sanader u largua nga Kroacia të enjten, pak kohë para se parlamenti t`i hiqte imunitetin nga ndjekja penale si deputet. Policia austriake e ndaloi ish kryeministrin në një autostradë në perëndim të vendit. Sipas Sanader akuzat ndaj tij janë të motivuara politikisht. Vitin e kaluar, në mesin e mandatit si kryeministër, ai dha dorëheqjen në mënyrë të papritur ndërsa në janar Sanader u përjashtua nga partia në pushtet, Bashkimi Kristian-Demokrat.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›