Austri, policia në alarm për dy të arratisurit shqiptar nga burgu

Policia austriake është vënë në alarm për arratisjen e dy shqiptarëve nga burgu i sigurisë së lartë në Eisenstadt.
Në edicionet e lajmeve të mediave austriake qarkullojnë fotografitë e dy shtetasve shqiptarë, Kastriot Dushi dhe Kastriot Elezi, të cilët para tre ditëve janë arratisur nga burgu.
Në ekspertizën e kryer nga policia austriake ka rezultuar se shqiptarët u arratisën duke përdorur mjetet e kuzhinës dhe për t`iu shmangur rojeve të burgut janë larguar përmes tuneleve të ventilatorëve të kuzhinës.
Policia ka hedhur dyshime se dy të arratisurit kanë mundur të largohen nga ambjentet jashtë burgut me një makinë që drejtohej nga një person i tretë, i cili i ka ndihmuar në arratisjen e tyre.
Siç bëhet e ditur, dy shqiptarët ishin në listën e ekstradimit të tyre në Shqipëri dhe se ekstradimi do bëhej gjatë muajve të ardhshëm.