E Diel, 1 Nëntor 2026

Austria: Mbështesim anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian



Austria mbështet anëtarësimin e shpejtë të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Ministri i Jashtëm austriak Michael Spindelegger tha se kërkesës së Islandës për në BE, duhet ti bashkangjitet edhe kërkesa e paraqitur nga Shqipëria. “Çelja e negociatave mbi kërkesën e Islandës për tu anëtarësuar në BE duhet të përfshijë detyrimisht kërkesën e Shqipërisë dhe të Kroacisë. Negociatat Islandë-BE do të kushtëzohen vetëm nëse në këto negociata do të përfshihet bashkarisht edhe Kroacia dhe Shqipëria”, tha Ministri i Jashtëm i Austrisë. Mbështetjen ndaj kërkesës së Shqipërisë e ka shprehur edhe Ambasadori i Austrisë në Tiranë, Klaus Derkowitsch, i cili është takuar me kryeministrin Berisha, me rastin e përfundimit të misionit të tij diplomatik në Tiranë. Ambasadori Austriak tha se Shqipëria ka bërë progres të jashtëzakonshëm në shumë fusha.

LSI përshëndet deklaratat për integrimin e Shqipërisë në BE

Lëvizja Socialiste për Integrim ka përshëndetur qëndrimet e shprehura nga zyrtarë të lartë të BE-së, të cilët kanë inkurajuar procesin e liberalizimit të vizave dhe procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Zëdhënësi i LSI-së Ralf Gjoni përshëndeti deklaratat e presidentit të radhës të BE-së Karl Bildt dhe ish-komisionerit për punët e jashtme të BE-së, ministrit të jashtëm Italian Franko Fratini.
“Lëvizja Socialiste për Integrim vlerëson dhe mbështet qëndrimet paekuivok të drejtuesit të radhës së BE-së Karl Bildt, i cili është shprehur qartë dhe pa lënë dyshime për një proces të shpejtë të liberalizimit të vizave për Shqipërinë.
LSI përshëndet deklarimet shumë të qarta të zotit Frattini i cili është shprehur se “Shqipëria nuk mund të presë më dhe se kërkesa e hershme e saj nuk duhet të mbetet mbyllur në sirtarët e ndonjë burokrati në Bruksel.” Deklarata më e fundit e Frattinit për një samit të kryeministrave të BE-së për integrimin e Ballkanit perëndimor ku të jenë të ftuar edhe SHBA, është padyshim një propozim shumë i rëndësishëm dhe tregues i qartë për një përfshirje në veprimin konkret edhe të Uashingtonit për t’i dhënë një mbështetje konkrete procesit të pandalshëm të integrimit të Shqipërisë në Evropë”, tha zëdhënësi i LSI-së.

31 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›