E Diel, 1 Nëntor 2026

Raporti: Bankat i rikthehen kreditimit për biznesin por persekutojnë individët

Kreditimi për biznesin po i rikthehet normalitetit por janë shtuar kriteret

Ervin KOÇI

Kreditimi bankar në vend po i kthehet ngadalë normalitetit pas një periudhe frike edhe pse ritmet e tij i ngjasojnë fillimeve të këtij shërbimi të ofruar nga bankat. I konsideruar si një serum që ka mbajtur në këmbë vitet e fundit ekonominë shqiptare, kreditimi është kërkuar me ngulm kohët e fundit sidomos nga kompanitë e biznesit. Por edhe bankat tregtare në Shqipëri, të cilat fitimet më të mëdha i kanë prej përqindjeve të larta që marrin nga normat e interesave të kredive, duket se po e rishikojnë qëndrimin e tyre në lidhje me ngurtësimin e kredidhënies. Ato duket se më tepër po u besojnë bizneseve se sa individëve në aktivitetin e tyre të kredidhënies. Vetëm pak kohë më parë Dhoma Amerikane e Tregtisë u bëri thirrje bankave të "kenë më shumë besim te biznesi" dhe ta kreditojnë atë, për shkak se sipas analizave të saj, kredia e keqe në vend po rritet përgjithësisht nga kredimarrësit individualë dhe jo nga ata të biznesit. Shumë shoqata biznesi janë ankuar gjatë kohëve të fundit për "bllokim të aktivitetit kreditues nga ana e bankave" dhe disa shoqata kanë organizuar takime të drejtpërdrejta me bankierët. Shoqata e Ndërtuesve, Dhoma Amerikane e grupime të tjera biznesi thonë se ashpërsimi i kushteve të kredidhënies nga ana e bankave po ia vështirëson situatën në kohë krize.

Situata e kreditimit

Ecuria e kreditimit nga muaji në muaj tregon se situata është drejt stabilizimit për sa u përket kredive për biznes, por kredia mbetet jashtëzakonisht e paktë për individët. Kriza e mungesës së kreditimit në Shqipëri filloi realisht në muajin shkurt, kur sasia e kredisë së re ra papritur me 33 për qind në bazë vjetore. Ritmi i rënies u zvogëlua në muajt në vijim për kreditë për biznes, ndërsa erdhi në përkeqësim për kredimarrësin individual. Në maj, sasia e kredisë së re për biznesin ishte në të njëjtin nivel, ndërsa ajo për individët, ishte e përgjysmuar në krahasim me majin 2008. Kreditimi i ekonomisë ka qenë shkaku kryesor i rritjes ekonomike të Shqipërisë gjatë gjashtë viteve të fundit. Duke filluar nga viti 2004, kur mori fund procesi i privatizimit të bankave shtetërore, portofoli i kredive u rrit me mbi 50 për qind në vit, shifër kjo e konsideruar si stratosferike. Konkurrenca e madhe për të kapur klientët afatgjatë i shtyu bankat të ulin interesat, por edhe të zbatojnë kontrata të hapura që krijojnë hapësirë për ndryshim kushtesh në të ardhmen. Bankat nxituan të kapin klientët që dëshirojnë të blejnë prona të paluajtshme, të cilët do të mbeten klientë të bankave për një apo dy dekada radhazi, duke krijuar kështu një biznes afatgjatë dhe të qëndrueshëm. Rreth 40 për qind e kredive të dhëna në Shqipëri janë destinuar për blerje pronash të patundshme.

Kredia për individët

Gjatë pesë muajve të parë të këtij viti, bankat në Shqipëri akorduan 92 miliardë lekë kredi të re (708 milionë euro), me rënie rreth 18 për qind kundrejt periudhës janar-maj 2008. Por, kredia për individët u tkurr me 38 për qind, ndërsa ajo për bizneset vetëm 11 për qind. Sektori i ndërtimit duket se u godit nga dy anë. Nga njëra anë, kredia e disponueshme për kompanitë e ndërtimit u zvogëlua si pasojë e përpjekjeve të bankave për të diversifikuar rrezikun dhe për t‘u larguar nga ky sektor dhe nga ana tjetër, kredia e disponueshme për blerje banese nga individët u tkurr në mënyrë dramatike, gjë që zvogëloi xhiron e përgjithshme të kompanive të ndërtimit. Kreditimi i individëve filloi relativisht vonë në Shqipëri, por gjatë pesë viteve të fundit bankat arritën të krijojnë një portofol prej 1 miliard eurosh kredi. Nga këto, rreth 77 për qind, ose 720 milionë euro u përkasin kredive afatgjata të dhëna për shtëpi. Kredia e re për prona të patundshme u pakësua me tri herë gjatë 5-mujorit. Zyrat e përmbarimit në të gjithë Shqipërinë kanë raportuar dyfishim të kërkesave të bankave në lidhje me përndjekjen e kredimarrësve të parregullt, përgjithësisht atyre që i përkasin linjës së kredive konsumatore.

BSH: Kreditimi, 5 herë më pak se vitin që shkoi

Gjatë këtij viti, bankat janë treguar dorështrënguara me bizneset dhe qytetarët. Kriza financiare botërore është shoqëruar me pasiguri edhe në vendin tonë, çka ka detyruar sistemin bankar që të zbatojë politika shtrënguese në kreditimin e ekonomisë. Nga të dhënat e Bankës së Shqipërisë rezulton se gjatë pjesës së parë të këtij viti, portofoli i kredisë ka njohur një rritje modeste prej 7.5 miliard lekësh, ose rreth 5 herë më pak se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Vështirësitë në marrjen e kredive i kanë ndjerë si qytetarët ashtu edhe bizneset, pasi huamarrja është shoqëruar me më shumë burokraci, por edhe me rritje të normave të interesit. Gjithsesi BSH-ja ka dhënë lajmin e mirë për kreditimin gjatë muajve të ardhshëm. Sistemi bankar ka sinjalizuar mosshtrëngimin e mëtejshëm të kushteve të kredisë, gjatë 3-mujorit të tretë e në vazhdim. Dy ditë më parë, Guvernatori i BSH-së, Ardian Fullani, u bëri thirrje bankave të nivelit të dytë që të vazhdojnë të mbështesin me kredi sektorin privat të ekonomisë. Ai ka theksuar se, BSH-ja do të vazhdojë të monitorojë veprimtarinë e sistemit bankar me qëllim ruajtjen e stabilitetit financiar në vend.

31 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›