E Diel, 1 Nëntor 2026

Parlamenti i kaluar, merkato e deputetëve, njësoj si ai i futbollistëve



Në parlamentin e kaluar, merkato e deputetëve nuk ndryshonte aspak në krahasim me merkaton e tregut të futbollistëve. Pothuajse në çdo sezon të legjislaturës së kaluar, grupet parlamentare pësonin ndryshime, si rezultat i largimit apo i afrimit të deputetëve të caktuar. Protagonistët kryesorë të kësaj merkatoje, midis shumë të tjerëve, ishin deputetët Tom Doshi, Paulin Sterkaj dhe Hamit Kosta. Deputeti Doshi hyri në parlament si përfaqësues i Partisë Socialiste, për të kaluar më pas në radhët e grupit parlamentar të Partisë Demokristiane. Më pas Doshi do shkëputej nga ky grup parlamentar për tu shpallur i pavarur, derisa në fillim të këtij viti ju bashkua grupit parlamentar të Partisë Socialiste. Të shumta ishin edhe lëvizjet e deputetit Sterkaj. Fillimisht Sterkaj hyri në parlament si deputet i PS-së. U përjashtua nga ky grup parlamentar, pasi mori pjesë në procesin e votimit për zgjedhjen e Presidentit të Republikës, proces të cilin PS-ja e bojkotoi. Më pas Sterkaj u shpall i pavarur, derisa ju bashkangjit grupit parlamentar të Partisë Republikane, ndërkohë që në zgjedhjet e 28 qershorit kandidoi për Partinë Demokratike, duke fituar mandatin për këtë parti. Deputeti Kosta braktisi PDS-në për tju bashkangjitur PS-së deri në vitin 2007, kur u përjashtua për thyerje të vendimit politik, pasi votoi për zgjedhjen e presidentit, për tu pozicionuar më pas si deputet i pavarur. Sigurisht që këta nuk ishin protagonistë të vetëm. Përmendet gjithashtu kalimi i Pirro Lutaj nga PAD tek Partia Socialiste, Angjelina Kolës nga PSD-ja tek LSI-ja, Nikollaq Neranxit nga PAA-ja tek LSI-ja, Pashko Ujkës nga PAD tek PDK, etj.

PLL propozoi projektligjin gjatë fushatës elektorale

Partia Lëvizja e Legalitetit ishte partia e parë që propozoi gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit, miratimin e ligjit, i cili sipas saj do ti jepte fund korrupsionit parlamentar dhe trafikimit të mandateve. Sipas propozimit të PLL-së, çdo deputetët duhet të humbasë mandatin, në rast se voton ndryshe nga vendimi politik i partisë ku bën pjesë. Partia Lëvizja e Legalitetit e argumentonte këtë ligj me faktin se në zgjedhjet e 28 qershorit ku votohej për sistemin proporcional, preferencat e votuesve shprehen në radhë të parë ndaj partive politike dhe programeve të tyre. Një gjë të tillë, kreu i PLL-së Ekrem Spahia e deklaroi edhe gjatë një prej takimeve elektorale që ai zhvilloi në një nga qytetet e vendit. “Duke njohur faktin se sistemi zgjedhor është proporcional ku preferencat e votuesve shprehen në radhë të parë ndaj partive politike dhe programeve të tyre, PLL mendon se për t’i dhënë fund korrupsionit parlamentar dhe trafikimit të mandateve, nuk është e tepërt që të parashikohet në ligj humbja e mandatit për çdo parlamentar që voton ndryshe nga vendimi politik i partisë ku bën pjesë”, ka deklaruar Spahia.

31 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›