E Diel, 1 Nëntor 2026

KE: Liberalizojmë vizat për shqiptarët, nëse plotësoni kushtet



Komisioni Evropian është i përkushtuar për liberalizimin e vizave për qytetarët shqiptarë. Kjo është deklaruar dje nga i Ngarkuari me Punë i Delegacionit të Komisionit Evropian në Shqipëri, Garrido Ruiz, i cili mori pjesë në mbylljen e projektit te financuar nga BE “Mbështetje për Zbatimin e Strategjisë Kombëtare të Migracionit”. Duke vënë në dukje edhe përfitimet e shumta që vijnë nga ndjekja e rrugëve ligjore të migracionit, ai shtoi se “Lidhja e qartë mes migracionit të rregullt dhe liberalizimit të vizave nuk mund të anashkalohet, dhe unë do të doja ta shfrytëzoja këtë rast për të rikonfirmuar përkushtimin e patundshëm të Komisionit Evropian për liberalizimin e vizave për qytetarët e Shqipërisë. Ne e dimë se sa i rëndësishëm është liberalizimi për ta. Gjithashtu besojmë se nëse Shqipëria vazhdon të përparojë dhe nëse kushtet plotësohen, ajo do t’i bashkohet fqinjëve të saj së shpejti”. Ndërsa ministri i punëve sociale Viktor Gumi kërkoi më shumë financime nga qeveria për migracionin dhe menaxhimin e reminitancave. I pranishëm në këtë aktivitet ka qenë edhe Ambasadori i Italisë në Shqipëri, Saba Delia, i cili tha se ky projekt është mbështetur nga qeveria italiane në masën 140 mijë euro. Projekti i cili ka nisur që në vitin 2007 e deri më 2009 ka ndihmuar në disa aktivitete të përzgjedhura të strategjisë kombëtare për migracionin. Fondi i plotë i projektit ishte 1,000,000 euro dhe u bashkë-financua nga qeveria italiane dhe Organizata Ndërkombëtare për Migracionin. Një nismë e rëndësishme dhe e re e këtij projekti është gjithashtu inkurajimi i përfshirjes në zhvillimin e vendit i komunitetit shqiptar që jeton dhe punon jashtë shtetit.

31 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›