Merkatoja e Kuvendit, PD dhe PS ligj për bllokimin e deputetëve të tyre
Harrojeni “merkaton” spektakolare të transferimeve të deputetëve nga një parti në një tjetër në parlamentin e ri! Harrojini edhe deputetët antikonformist, të cilët votojnë ndryshe nga vota e grupit parlamentar ku bëjnë pjesë! Këto dy fenomene, të cilat i kemi parë shpesh të ndodhin në legjislaturat e kaluara, tashmë pritet të mbetet vetëm një kujtim në historinë e parlamentarizmit shqiptar. Dy partitë kryesore, Partia Demokratike dhe Partia Socialiste, të cilat do të kenë rreth 95% të vendeve në Kuvendin e ri, po mendojnë të vënë në zbatim një nga mënyrat më radikale për të “blinduar” deputetët e tyre. Kushdo prej deputetëve që do të braktis partinë për të shkuar në një parti tjetër, apo që do të votojë ndryshe vendimi politik të grupit parlamentar ku bën pjesë, do të “ndëshkohet” me heqje të mandatit dhe zëvendësim të menjëhershëm nga emra të tjerë. Kjo do të vlejë për deputetët e të gjitha palëve. Një sanksion i tillë pritet të vendoset jo vetëm në statutet e brendshme të partive politike, por të kthehet shumë shpejt edhe në një ligj.
Ligji
Ligji i cili parashikon heqjen e mandatit për deputetët që braktisin grupin parlamentar, apo që votojnë ndryshe nga vendimet politike, pritet të jetë një ndër ligjet e para që do të miratohet në Kuvendin e ri. Dhe sigurisht do të jetë një ndër ligjet e para që do të miratohet me konsensusin e përbashkët, me votat e PS-së dhe PD-së, pasi të dyja palët janë të interesuara për përmbajtjen e tij. Në fakt propozimi për heqjen e mandateve ndaj deputetëve që “tradhtojnë” grupin parlamentar pritet që si fillim tu bashkangjitet statuteve të partive, megjithatë edhe nëse ndodh një gjë e tillë, propozimi nuk ka vlerë juridike. Kështu që e vetmja mundësi reale për heqjen e mandateve dhe zëvendësimit të deputetëve që braktisin grupin parlamentar mund të realizohet vetëm me anë të miratimit të një ligji në Kuvendin e ri.
Interesi i PD-së
Synimi për blindimin e deputetëve si nga ana e Partisë Demokratike, ashtu edhe nga ana e Partisë Socialiste merr shkas nga rezultati i zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit. Ndonëse do të jetë në koalicion me LSI-në dhe PDI-në, maxhoranca e krijuar nga Partia Demokratike ende mund të quhet e brishtë dhe jo me themele të forta, të paktën në aspektin numerik. Maxhoranca e re arrin në 74 deputetë, nga të cilët 68 janë deputetë të PD-së, 1 i PDI-së, 1 i Partisë Republikane dhe 4 deputetë të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Këto numra nuk janë edhe aq garantues për maxhorancën, sidomos në rast se përsëritet eksperienca e legjislaturës së kaluar, ku shumë deputetë të PD-së në disa raste votuan kundër vendimit të grupit parlamentar apo shprehën papajtueshmërinë e tyre ndaj vendimeve të kryeministrit Berisha. Nëse ndodh një gjë e tillë, do të mjaftonte vota kundër e 4 deputetëve të pakënaqur të PD-së, që qeveria të rrëzohej, parlamenti të shkrihej dhe të zhvilloheshin zgjedhje të parakohshme. Kështu që Partia Demokratike duket e vendosur për miratimin e këtij ligji, pasi duke sanksionuar heqjen e mandatit, për deputetët që “tradhtojnë”, Partia Demokratike garanton stabilitet në Kuvend brenda radhëve të saj dhe shmang çdo krizë të mundshme parlamentare, apo zgjedhje të parakohshme.
Interesi i PS-së
Partia Socialiste, nëpërmjet rezolutës së miratuar në Asamblenë Kombëtare të saj ka shpallur objektivin për zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme, pasi e cilëson parlamentin dhe qeverinë e re që do krijohet si ilegjitimë, për shkak të deformimit që ka pësuar sipas saj vullneti i zgjedhësve shqiptarë në zgjedhjet e 28 qershorit. Por objektivi i zgjedhjeve të parakohshme mund të dështojë që në fillim, në rast se disa prej deputetëve të PS-së do ta fusin veten në merkaton e transferimeve të Kuvendit, ashtu siç ndodhi rëndom në legjislaturën e kaluar. Miratimi i këtij ligji bëhet edhe më i domosdoshëm në kushtet kur një numër jo i vogël deputetësh janë pozicionuar kundër kryetarit të PS-së Edi Rama. Në këtë mënyrë, Partia Socialiste është e interesuar për miratimin e ligjit të sipërpërmendur, si e vetmja alternativë që do të sheshonte “çdo kryengritje” apo përçarje brenda grupit të saj parlamentar. Për më tepër drejtuesit socialistë kanë shprehur synimin për të patur një grup parlamentar unik dhe të konsoliduar,.
31 Korrik 2009