E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kandidaturat e PS-së për nënkryetarin e Kuvendit dhe kryetarin e grupit



Shaban Sulçe
Tani që Partia Socialiste ka konfirmuar qëndrimin e saj për të qenë prezente në parlamentin e ri, në ambientet e selisë rozë kanë nisur të artikulohen edhe kandidaturat e para për postet dhe funksionet e rëndësishme që do të ketë kjo parti në organikën e parlamentit. Padyshim që postet më të lakmuara janë ato të nënkryetarit të Kuvendit si dhe të kryetarit të grupit parlamentar të Partisë Socialiste. Por sigurisht në valle janë edhe drejtimi i komisioneve të përhershme parlamentare, ku nga tetë të tilla, të paktën tre prej tyre priten të drejtohen nga deputetë të Partisë Socialiste.

Nënkryetari i Kuvendit
Në parlamentin e kaluar, posti i nënkryetarit të Kuvendit që i takonte Partisë Socialiste iu caktua deputetit socialist Ylli Bufi. Por ky i fundit nuk u përfshi në listën e kandidatëve për deputetë të PS-së në zgjedhjet e 28 qershorit dhe tashmë vendi i lënë bosh prej tij, synohet nga të paktën dy kandidatura. Bëhet fjalë për deputetin dhe anëtarin e kryesisë Namik Dokle, i cili ka qenë kryetar i Kuvendit në kohën kur qeverinë e drejtonte Partia Socialiste katër vjet më parë. Ndërkohë kandidatura e dytë për postin e nënkryetarit është ajo e anëtares së kryesisë dhe deputetes Arta Dade.

Kreu i grupit
Një tjetër post i rëndësishëm kuvendor, por edhe politik do të jetë edhe posti i kryetarit të grupit parlamentar të Partisë Socialiste. Në parlamentin e kaluar, drejtimi i grupit parlamentar pësoi tre herë ndryshime. Në periudhën 2005-2006, grupi parlamentar u drejtua nga deputeti Pandeli Majko, i cili më pas dha dorëheqjen për tu zëvendësuar nga deputeti dhe anëtari i kryesisë Ben Blushi. Por Blushi do të qëndronte në këtë post deri në vitin 2007, pasi dha dorëheqjen e parevokueshme, për shkak se gjashtë deputetë të PS-së thyen vendimin e grupit parlamentar për të bojkotuar zgjedhjen e presidentit, duke marrë pjesë në procesin e votimit. Blushi do të zëvendësohej nga deputetja Valentina Leskaj, e cila udhëhoqi grupin parlamentar socialist deri në përfundim të mandatit të parlamentit të kaluar. Performanca pozitive dhe roli shumë aktiv i Leskaj në këtë post, e kuotojnë atë si kandidaturën më të mundshme për drejtimin e grupit parlamentar socialist edhe në parlamentin e ri. Ndërkohë që një tjetër kandidaturë e përfolur është edhe ajo e deputeti Pandeli Majko.

Komisionet
Nga tetë komisione të përhershme parlamentare, tre prej tyre pritet që të drejtohen nga opozita, pra nga Partia Socialiste. PS-ja pritet të marrë drejtimin e komisionit të integrimi, nga ku kandidatura më e mundshme është ajo e deputetit Ditmir Bushati. Gjithashtu Partia Socialiste do të ketë në drejtim dhe komisionin për veprimtarinë prodhuese, tregtinë dhe mjedisin si dhe komisionin për edukimin dhe mjetet e informimit publik.

Sondazhi i Gallup: Shqiptarët populli që dëshiron më tepër integrimin dhe lëvizjen drejt BE-së

Shqiptarët në Ballkan, si ata në Shqipëri dhe ata që mbipopullojnë Kosovën e dëshirojnë më shumë se çdo vend tjetër integrimin dhe lëvizjen drejt Bashkimit Europian. Shqiptarët e Shqipërisë janë në krye të listës së të gjithë ballkanasve që do të donin të emigronin drejt Bashkimit Europian sapo të hapeshin kufijtë. Ky fakt del në një raport të fundit të “Gallup” për “Ballkan Monitor” i bazuar në sondazhe me një numër të madh qytetarësh në Ballkan, për çështje të emigrimit. Raporti i vitit 2009 konstaton se pikërisht ato vende që u lanë jashtë liberalizimit të vizave e duan më shumë hyrjen në BE, ndërsa vendet që fituan së fundmi nga ky proces janë të renditura më poshtë. Madje Kroacia që aktualisht e ka në fuqi procesin e liberalizimit të vizave dhe është kandidati më i afërt për tu bërë anëtari i 28-të i Bashkimi Evropian, është vendi i fundit që e dëshiron anëtarësimin në bllok. Sipas raportit, një arsye që lidhet me dëshirën e shqiptarëve për të emigruar është fakti se shumë shqiptarë mendojnë se gjendja në vend po bëhet më keq. .
Gati një e katërta e qytetarëve në Shqipëri dhe Maqedoni do të donin të iknin dhe pak prej tyre mund të ktheheshin sërish. Edhe pse sipas raportit në krahasim me vitet e tjera është ulur numri i ballkanasve që duan të emigrojnë, gjithsej numri i atyre që do të largoheshin nga vendi i tyre në rast se hapeshin menjëherë kufijtë është rreth 120 mijë, shumica nga Shqipëria dhe Maqedonia. Të pyetur se në çfarë pike ballkanasit do të donin ndihmë nga komuniteti ndërkombëtar, shqiptarët janë në krye të listës të cilët përgjigjen “do të donin vetëm liberalizim vizash”, diçka që nuk e përfituan dot në fazën e parë të këtij procesi për Ballkanin. Raporti thotë se situata në Ballkan është qetësuar, por lëvizja e lirë do i ndihmonte qytetarët e rajonit të jetojnë në paqe.

31 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›