E Diel, 1 Nëntor 2026

Marrëveshja, LSI merr 6 zv.ministra, emrat e rinj

 

ADI SHKEMBI

Partia Demokratike kompleton marrëveshjen bashkëqeverisëse me Lëvizjen Socialiste për Integrim. Pas marrjes së katër posteve në qeveri (tre ministra dhe zv.kryeministrin), forca politike e cila doli e treta me katër deputetë në zgjedhjet e 28 qershorit do të ketë gjashtë zv.ministra. Por ndonëse ka emëruar një përfaqësues të lartë të PAA-së në Ministrinë e Mjedisit, PD nuk ka mbyllur ende negociatat me forcat e tjera politike, përfshi këtu edhe Partinë Republikane, të cilës i shkarkoi një prej zv.ministrave.
Zv.ministrat e rinj
Në mbledhjen e djeshme të qeverisë janë miratuar disa prej lëvizjeve në nivelin e dytë të qeverisë, ku LSI ka ofruar propozimet e saj. Konkretisht në Ministrinë e Integrimit, Edmond Hoxha do të zërë vendin e Albert Gajos, anëtar i Komitetit të Orientimit të Politikave në Partinë Demokratike. Një tjetër ministri e rëndësishme ku LSI do të ketë përfaqësuesin e saj është ajo e Bujqësisë. Kështu, përmes vendimit të miratuar dje është liruar nga detyra përfaqësuesi i Partisë Agrare Ambientaliste, Ndue Preka, i cili e mbante këtë post që nga viti 2005 dhe në vend të tij është emëruar Tokli Thomai, ish-zv.rektor i Universitetit Bujqësor të Kamzës. Anëtarja e kryesisë së Partisë Demokratike, Marjeta Zaçe, është liruar nga detyra që mbante në Ministrinë e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta dhe në vend të saj është nënkryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Filloreta Kodra. Lëvizjet kanë prekur edhe dikasterin e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit. Stavri Ristani, zv.ministër dhe ish-kandidat për deputet në qarkun e Tiranës në zgjedhjet e 28 qershorit, është liruar nga detyra dhe në vend të tij është emëruar një tjetër përfaqësues i LSI-së, Edmond Haxhinasto, i cili është edhe kryetar i Komitetit Drejtues Kombëtar të kësaj partie. Në vendimin e parë që pas zgjedhjeve të 28 qershorit për emërimin e zv.ministrave, Partia Demokratike ka emëruar vetëm një përfaqësues të saj. Kështu Alfred Rushaj, i cili deri tani ka mbajtur postin e këshilltarit juridik në Ministrinë e Ekonomisë, është emëruar zv.ministër i Financave në vendet e mbetura vakant, për shkak se dy ish-zv.ministrat Florjon Mima dhe Sherefedin Shehu kanë marrë mandatin e deputetit. Në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, vendi i mbetur vakant nga Adriana Gjonaj, e cila u bë deputete e qarkut të Elbasanit, është plotësuar me Nora Malajn, anëtare e kryesisë dhe kandidate në qarkun e Shkodrës për Lëvizjen Socialiste për Integrim. Përfaqësuesi i gjashtë i kësaj force politike në nivelet e dyta të qeverisjes është Leonard Beqiri, drejtues i LSI-së në diasporë, do të zërë vendin e zv.ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, dikaster i cili drejtohet nga Dritan Prifti. Në Ministrinë e Mjedisit është shkarkuar nga detyra zv.ministri Aleksandër Garuli, nënkryetar i Partisë Republikane. Garuli e mbante postin në ministri prej katër vitesh që pas marrëveshjes së dy forcave politike pas zgjedhjeve të 3 korrikut 2005. Në vendin e tij u emërua Auron Mëneri, i cili gjatë këtyre katër viteve ka mbajtur postin e drejtorit të kabinetit në këtë ministri dhe do të jetë përfaqësues i PAA-së. Në të njëjtën kohë dje u vendos që të shkarkohet nga detyra e zv.ministrit të Jashtëm, Anton Gurakuqi, i cili u emërua në këtë post rreth dy vjet më parë falë marrëveshjes së PD-së me PDK-në, por që qëndroi edhe pas largimit të PDK-së nga koalicioni qeverisës. Ndërkohë pritet që në mbledhjen e ardhshme të qeverisë të emërohen edhe disa prej zv.ministrave në ministritë që kanë ende vende vakante.

Vendimi për zv.ministrat

Ministria e Integrimit
• Albert Gajo, zëvendësministër i Integrimit, lirohet nga kjo detyrë
• Edmond Hoxha, emërohet zëvendësministër i Integrimit (përfaqësues i LSI)

Ministria e Mjedisit
• Aleksandër Garuli, zëvendësministër i Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, lirohet nga kjo detyrë
• Auron Mëneri, emërohet zëvendësministër i Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave (përfaqësues i PAA)

Ministria e Bujqësisë
• Ndue Preka, zëvendësministër i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorëve, lirohet nga kjo detyrë
• Tokli K.Thomaj emërohet zëvendësministër i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorëve (përfaqësues i LSI)

Ministria e Punës
• Marjeta Zaçe, zëvendësministër i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, lirohet nga kjo detyrë
• Filloreta Kodra emërohet zëvendësministër i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta (përfaqësuese e LSI)

Ministria e Punëve Publike
• Stavri Ristani, zëvendësministër i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, lirohet nga kjo detyrë
• Edmond Haxhinasto emërohet zëvendësministër i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit (përfaqësues i LSI)

Ministria e Financave
• Alfred Rushaj, emërohet zëvendësministër i Financave (përfaqësues i PD)

Ministria e Arsimit
• Nora Malaj, emërohet zëvendësministër i Arsimit dhe Shkencës (përfaqësuese e LSI)

Ministria e Ekonomisë
• Leonard Beqiri, emërohet zëvendësministër i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës (përfaqësues i LSI)

Ministria e Jashtme
• Anton Gurakuqi, zëvendësministër i Punëve të Jashtme, lirohet nga kjo detyrë (përfaqësues i PDK).

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›