“Dëshmorët e Atdheut”, Pollo kryetar
Ministri i Shtetit për Reformat dhe Marrëdhëniet me Kuvendin, Genc Pollo, do të drejtojë Komisionin Qendror për dhënien e statusit “Dëshmor i Atdheut”. Në mbledhjen e djeshme të Qeverisë me propozim të Kryeministrit Berisha, u miratua një ndryshim në ligjin për statusin e “Dëshmorëve të Atdheut” që ia heq drejtimin e këtij komisioni zv.kry-eministrit. “Fjalia e parë ndryshohet si më poshtë vijon: “Komisioni Qendror për dhënien e statusit ‘Dëshmor i Atdheut’ kryesohet nga ministri i Shtetit për Reformat dhe Marrëdhëniet me Kuvendin dhe përbëhet nga..:”. Emërtimi “... Zëvendëskryeministri kryetar...” shfuqizohet”, thuhet në vendimin e miratuar dje. “Ndryshimet që propozohen të bëhen në vendimin nr. 151, datë 25.02.2002, të Këshillit të Ministrave, “Për statusin ‘Dëshmor i Atdheut’”, të ndryshuar, kanë për qëllim vijueshmërinë e punës së kryer deri më tani, nën kujdesin e të njëjtit ekip”, thuhet në relacionin e vendimit. “Deri tani Komisioni Qendror për dhënien e statusit ‘Dëshmor i Atdheut’, përbërja e të cilit nuk ndryshon, e ka kryer veprimtarinë nën mbikëqyrjen e zv.kryeministrit, ndërsa sipas vendimit, që paraqitet për miratim propozohet që kryesimi i këtij komisioni t’i ngarkohet ministrit të Shtetit për reformat dhe marrëdhëniet me Kuvendin”, vijon më tej relacioni.