Dhunë në Librazhd, gurë mbi arbitrin e ndeshjes
Ndeshja e prapambetur Sopoti-Elbasani e vlefshme për javën e dytë të Kategorisë së Parë është kthyer në një arenë lufte. Vetëm futboll nuk është luajtur në këtë përballje. Pjesë e këtij takimi janë bërë edhe deputeti i Librazhdit Taulant Balla së bashku me kryetarin e bashkisë Kastriot Begaj, të cilët janë futur në fushën e lojës duke ushtruar dhunë mbi arbitrat e takimit. Nuk ka përfunduar me kaq pasi fusha e lojës është kthyer në një arenë qitjeje. Tifozët vendas të armatosur me gurë, bidona me ujë e çfarë të gjenin përreth kanë shënjestruar arbitrët e ndeshjes si dhe lojtarët miq nga Elbasani. Arbitri kryesor i ndeshjes Ardian Rama ka mbetur i plagosur. Trajneri i moshave të Elbasanit Shkëlqim Lleshanaku ka mbetur i plagosur në kokë pas një goditje me gurë që ka marrë. Dalja me të kuq e futbollistit të Librazhdit, Shkëlqim Hajdari është shoqëruar nga ky i fundit me grushta e shkelma ndaj arbitrit kryesor deri në atë pikë sa e ka shtritë në tokë. Arbitri ka dashur të ndërpresë lojën, por pas presionit të deputetit Balla është detyruar ta rifilloj. Klubi i Elbasanit reagoi pas ndeshjes së humbur 2-1 kundër Sopotit të Librazhdit duke kërkuar fitoren në tavolinë. Sipas tyre, në Librazhd u godit gjyqtari, ndërkohë që ndeshej u ndërpre për 10 minuta pas dëmtimit në kokë edhe të një tifozi elbasanas.